Zbulesa 18 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rënia e Babilonisë

1Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli. Ai kishte pushtet të madh dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij.

2Atëherë engjëlli thirri me zë të lartë:

«Ra, ra

Babilonia e madhe!

Ra e u bë banesë djajsh,

strofull e çdo shpirti të ndyrë,

shpendi të papastër

e bishe të fëlliqur e të urryer.

3Me verën e zemërimit të kurvërisë së saj

u dehën gjithë kombet.

Mbretërit e tokës bënë kurvëri me të,

ndërsa tregtarët e tokës u pasuruan

me kamjen e saj të shfrenuar».

4Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli që tha:

«Populli im, dilni prej saj,

që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj

e të mos merrni plagë

nga plagët e saj.

5Se, mëkatet e saj arritën deri në qiell

dhe Perëndia i kujtoi padrejtësitë e saj.

6Silluni me të siç u soll ajo me ju,

shpërblejani dyfish veprat,

ndërsa kupën që ju dha të pini,

mbushjani dy herë më shumë.

7Jepini asaj po aq mundim e vajtim,

sa i dha lavdi e kamje vetes,

ajo që vazhdon të thotë në zemrën e vet:

“Unë rri ulur si mbretëreshë,

nuk jam vejushë,

nuk do të shoh kurrë vajtim me sy”.

8Prandaj në një ditë të vetme do të mblidhen plagët e saj:

vdekja, vajtimi e zia e bukës.

Ajo do të digjet e tëra në zjarr,

se Zoti Perëndi që e gjykon është i fuqishëm.

9Mbretërit e tokës, që bënë kurvëri me të dhe dëfryen me kamjen e saj, do ta qajnë e do të vajtojnë kur të shohin tymin e flakëve të saj.

10Ata do t'i qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj e do të thonë:

“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,

o qytet i fortë, Babiloni,

se brenda një ore të erdhi ndëshkimi!”.

11Tregtarët e tokës do të qajnë e do të vajtojnë për të, sepse askush nuk ua blen më mallin,

12mall prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, pëlhura liri e purpuri, mëndafshi e të kuqe, si dhe gjithfarë drurësh erëmirë e gjithfarë sendesh fildishi e druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri e mermeri,

13kanellë e parfume, temjane, mirrë e livandë, verë e vaj, majë mielli e grurë, gjedhë e dhen, kuaj e qerre, trupa e shpirtra njerëzish.

14Ata do t'i thonë:

“Gjithë të mirat që dëshironte shpirti yt

ikën,

gjithë pasuritë e madhështitë

morën fund

e nuk do t'i gjesh më”.

15Tregtarët që u pasuruan prej saj do të qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj, do të qajnë e do të vajtojnë

16duke thënë:

“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,

veshur me li të purpurt e të kuq,

zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë,

17se gjithë kjo pasuri u shkretua për një orë!”.

Të gjithë kapitenët e anijeve dhe udhëtarët, detarët dhe ata që punonin në lundrim qëndronin larg

18e thërrisnin duke parë tymin e flakëve të saj: “Cili qytet ngjan me qytetin e madh?”.

19Hidhnin dhe mbi kokë e thërrisnin, duke qarë e duke vajtuar:

“Mjerë!

Mjerë qyteti i madh,

me pasurinë e të cilit

të gjithë ata që kishin anije në det!

u pasuruan.

Mjerë, se u shkretua për një orë”.

20Gëzohu për shkatërrimin e saj, o qiell!

Gëzohuni edhe ju të shenjtë,

apostuj e profetë,

se Perëndia e gjykoi

për të keqen që ju bëri».

21Pastaj një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh sa një gur mulliri, e hodhi në det e tha:

«Po kaq furishëm

do të hidhet tej

edhe Babilonia, qyteti i madh,

e nuk do të gjendet kurrë më.

22Tingulli i harpave e i muzikantëve,

fyelltarëve e trumbetarëve,

nuk do të dëgjohet më te ti.

Asnjë mjeshtër,

i çfarëdo mjeshtërie,

nuk do të gjendet më aty

edhe zhurma e mullirit

nuk do të dëgjohet më kurrë.

23Drita e pishtarit

nuk do të ndriçojë më

e nuk do të dëgjohet më

as zë dhëndri e as zë nuseje.

Tregtarët e tu

të mëdhenjtë e tokës ishin,

me magjinë tënde

u mashtruan të gjitha kombet.

24Në ty u gjet gjak profetësh e të shenjtësh,

gjaku i të gjithë atyre që u vranë mbi tokë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help