1Koreu, biri i Icharit, të birit të Kohatit, të birit të Levit, bashkë me Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit, dhe me Onin, birin e Peletit, pasardhës i Rubenit,
2u ngritën kundër Moisiut. Me ta u ngritën edhe dyqind e pesëdhjetë izraelitë. Ata ishin prijës të bashkësisë, të përzgjedhur nga këshilli, burra me emër.
3Këta u bashkuan kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «E keni tepruar! Tërë bashkësia është e shenjtë. Gjithsecili është i shenjtë dhe Zoti është mes tyre. Përse, pra, e vini veten në krye të bashkësisë së Zotit?».
4Si i dëgjoi, Moisiu ra me fytyrë përdhe
5e i tha Koreut e njerëzve të tij: «Në mëngjes, Zoti do të tregojë se kush është i tiji, kush është i shenjtë e kush do të pranohet të dalë para tij. Atë që Zoti do të zgjedhë, do ta pranojë edhe të dalë para tij.
6Bëni, pra, kështu: Koreu e njerëzit e tij të marrin nga një temjanicë.
7Nesër, mbushini me zjarr e temjan e vendosini para Zotit. Atë që Zoti do të zgjedhë, ai do të jetë i shenjtë. E keni tepruar, o bijtë e Levit!».
8Moisiu i tha Koreut: «Dëgjoni, o bijtë e Levit!
9A ju duket pak që Perëndia i Izraelit ju ndau veç nga bashkësia e Izraelit e ju pranoi të dilni para tij për të shërbyer në tendën e Zotit dhe për të qëndruar para bashkësisë që t'i shërbeni?
10Ai të pranoi ty bashkë me gjithë vëllezërit e tu, o bijtë e Levit, e tani ju kërkoni edhe priftërinë?
11Prandaj, ti dhe gjithë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Kush është Aroni që murmurisni kundër tij?».
12Atëherë Moisiu dërgoi njerëz që të thërrisnin Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit, por ata i thanë: «Nuk vijmë!
13A të duket pak që na nxore nga toka ku rridhte qumësht e mjaltë për të na vrarë në shkretëtirë, e tani dashke edhe të na bëhesh prijës?
14Veç kësaj, as nuk na çove në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë e as nuk na dhe trashëgimi, fusha e vreshta. A kujton se do t'u hedhësh hi syve burrave si ne? Nuk vijmë!».
15Moisiu u zemërua shumë e i tha Zotit: «Mos i prano flitë e tyre. Nuk u kam marrë as edhe një gomar e nuk i kam bërë keq askujt prej tyre».
16Moisiu i tha Koreut: «Ti dhe tërë njerëzit e tu qëndroni nesër para Zotit. Ti, njerëzit e tu dhe Aroni.
17Secili të marrë temjanicën e vet, ta mbushë me temjan e t'ia paraqesë Zotit, gjithsej dyqind e pesëdhjetë temjanica. Kështu bëj edhe ti me Aronin».
18Secili mori temjanicën e vet, e mbushi me zjarr e temjan dhe qëndroi te hyrja e tendës së takimit bashkë me Moisiun e Aronin.
19Atëherë Koreu mblodhi te hyrja e tendës së takimit tërë bashkësinë kundër Moisiut e Aronit. Lavdia e Zotit iu dëftua tërë bashkësisë.
20Atëherë Zoti i tha Moisiut e Aronit:
21«Ndahuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë».
22Ata ranë me fytyrë përdhe e i thanë: «O Perëndi, Perëndi që i jep jetë çdo krijese, a do të zemërohesh me tërë bashkësinë ngaqë mëkatoi një njeri?».
23 Zoti i tha Moisiut:
24«Thuaji bashkësisë: largohuni nga rrethinat e banesave të Koreut, Datanit e Abiramit».
25Moisiu u ngrit e shkoi te Datani e Abirami. Pas tij shkuan dhe pleqtë e Izraelit.
26Atëherë ai i tha bashkësisë: «Largohuni nga tendat e këtyre njerëzve të mbrapshtë. Mos prekni asgjë që është në to, përndryshe do të shfaroseni bashkë me gjithë mëkatet e tyre».
27Kështu, ata u larguan nga rrethinat e banesave të Koreut, Datanit e Abiramit. Ndërkohë, Datani e Abirami dolën bashkë me gratë, fëmijët e të vegjlit dhe qëndruan te hyrja e tendave të tyre.
28Moisiu tha: «Me këtë do ta dini se Zoti dhe jo koka ime, më ka dërguar për të bërë të gjitha këto.
29Nëse këta njerëz vdesin natyrshëm, siç u ndodh të gjithëve, apo pësojnë të njëjtin fat si tërë njerëzit e tjerë, atëherë mua nuk më ka dërguar Zoti.
30Por, nëse Zoti bën diçka të pazakontë, nëse toka hap gojën e i përpin me gjithçka kanë e zbresin të gjallë në skëterrë, atëherë do ta dini së këta njerëz e kanë përbuzur Zotin».
31Sa mbaroi së foluri këto fjalë, nën këmbët e tyre u hap dheu.
32Toka hapi gojën dhe i përpiu me shtëpi e katandi, ata dhe njerëzit që shkuan pas Koreut.
33Ata zbritën të gjallë në skëterrë bashkë me gjithçka kishin. Toka i mbuloi e u zhbinë prej bashkësisë.
34Kur dëgjuan britmat e tyre, të gjithë izraelitët që i rrethonin ua mbathën, se thoshin: «Do të na përpijë toka!».
35Zoti lëshoi një zjarr, që i përpiu të dyqind e pesëdhjetë burrat që po paraqisnin temjan.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.