1 Makabenjve 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Beteja e Emausit

1Gorgia mori pesë mijë burra e një mijë kalorës të zgjedhur dhe u largua nga fushimi që me natë

2për të sulmuar ushtrinë e judenjve e t'i godiste befas. Udhën ua tregonin disa njerëz nga qyteti.

3Juda e mori vesh, u ngrit me ushtrinë e vet dhe e mposhti ushtrinë e mbretit në Emaus,

4ndërkohë që ushtria ishte jashtë fushimit.

5Gorgia hyri në fushimin e judenjve natën, por nuk gjeti askënd. Kërkoi për ta nëpër kodra, sepse, mendoi: «Po ia mbathin prej nesh».

6Kur zbardhi, Juda doli në fushë me tre mijë burra pa parzmoret e shpatat e duhura.

7Panë se fushimi i kombeve ishte i fortë e i mbrojtur, rrethuar me kalorës të aftë për luftë.

8Juda u tha burrave që ishin me të: «Mos u trembni nga numri i tyre e mos e kini frikë hovin e tyre.

9Kujtoni si shpëtuan etërit tanë në detin e Kuq, kur i ndoqi faraoni me ushtri.

10Le t'i thërrasim, pra, qiellit, që të na përkrahë, të kujtojë besëlidhjen me etërit tanë e ta shkatërrojë sot këtë ushtri përpara nesh.

11Kështu gjithë kombet do ta dinë se ka kush e shpengon dhe shpëton Izraelin».

12Të huajt ngritën sytë e panë judenjtë që iu vërsulën.

13Atëherë dolën nga fushimi për të luftuar. Burrat e Judës u ranë trumbetave

14e u hodhën në sulm. Kombet u mundën e u shpërndanë nëpër fushë.

15Ata që mbetën prapa, u vranë me shpatë. Judenjtë i ndoqën deri në Gezer e në fushat e Idumesë, të Azotit e të Jamnisë. Mbetën të vrarë tre mijë burra.

16Juda dhe ushtria e tij nuk i ndoqën më. Kur u kthyen,

17i tha popullit: «Mos e dëshironi prenë, se kemi ende luftë përpara.

18Gorgia dhe ushtria e tij ndodhen në malet pranë nesh. Qëndroni kundër armikut e luftojeni, pastaj do ta merrni prenë me qetësi».

19Teksa Juda thoshte këto, një pjesë e ushtrisë armike doli nga mali

20dhe panë se ushtria e tyre ia kishte mbathur e se fushimi po digjej, siç dukej nga tymi.

21Kur i panë këto, u trembën shumë. Vunë re ushtrinë e Judës në fushë, gati për betejë,

22dhe ikën të gjithë në dheun e të huajve.

23Atëherë Juda u kthye në fushim dhe e plaçkiti. Morën shumë ar e argjend, coha të blerta e të kuqe, si dhe pasuri të madhe.

24Në kthim këndonin e bekonin qiellin: «Ai është i mirë, mëshira e tij mbetet përjetë».

25Atë ditë Izraeli korri një fitore të madhe.

Mposhtja e Lisisë

26Të huajt që shpëtuan i treguan Lisisë gjithçka kishte ngjarë.

27Kur i dëgjoi, Lisia u trondit e u dëshpërua, sepse Izraelit nuk i kishte ndodhur siç kishte dashur e siç kishte urdhëruar mbreti.

28Pas një viti mblodhi gjashtëdhjetë mijë burra të zgjedhur dhe pesë mijë kalorës, që t'i sulmonte izraelitët.

29Mbërriti në Idume e fushoi në Betcur. Juda u doli para me dhjetë mijë burra.

30Kur pa se ushtria e tyre ishte e fortë, u lut e tha: «I bekuar je ti, o shpëtimtar i Izraelit, që ia preve hovin të fortit me dorën e shërbëtorit tënd Davidit dhe ushtrinë e të huajve ia le në dorë Jonatanit, birit të Saulit dhe armëmbajtësit të tij.

31Lëre këtë ushtri në dorë të popullit tënd Izraelit e le të turpërohen forcat dhe kalorësit e saj.

32Shtiju frikën e hiqju besimin te forca e vet. Le të dridhen nga rrënimi.

33Rrëzoji me shpatën e atyre që të duan e le të të thurin lavde të gjithë ata që njohin emrin tënd».

34Ushtritë u ndeshën dhe nga ushtria e Lisisë ranë pesë mijë burra.

35Lisia pa se ushtria e vet u shpartallua dhe se ushtria e Judës mori guxim dhe ishte e gatshme të luftonte për jetë a vdekje. Atëherë u nis për në Antioki. Atje mblodhi shumë ushtarë, që ta sulmonte sërish Judenë.

Pastrimi i tempullit

36Juda e vëllezërit e tij thanë: «Ja, armiqtë tanë u shfarosën. Le të shkojmë ta pastrojmë shenjtëroren e ta kushtojmë».

37E gjithë bashkësia u mblodh e u ngjit në malin Sion.

38Shenjtëroren e gjetën të shkretuar e altarin të përdhosur. Dyert ishin djegur e tremet ishin mbuluar me bimë, si shkurret nëpër male. Dhomat e shenjta ishin rrënuar.

39Atëherë shqyen rrobat, vunë kujën, hodhën hi mbi kokë,

40ranë me fytyrë përdhe, u ranë borive e i klithën qiellit.

41Juda dha urdhër të luftonin kundër atyre që ishin në qytet, derisa ai të pastronte shenjtëroren.

42Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e të përkushtuar ndaj ligjit.

43Ata pastruan shenjtëroren dhe gurët e përdhosur i hodhën në një vend të papastër.

44Pastaj u këshilluan se çdo të bënin me altarin e flive të shkrumbimit, që ishte përdhosur.

45Vendosën ta shkatërronin, që të mos u mbetej si njollë turpi për shkak të përdhosjes që i kishin bërë kombet. Atëherë e shkatërruan altarin

46dhe gurët i ruajtën në një vend të përshtatshëm në malin e tempullit, derisa të vinte ndonjë profet e t'u thoshte se ç'duhej të bënin me ta.

47Morën gurë të palatuar, sipas ligjit, dhe ndërtuan një altar të ri, të ngjashëm me të parin.

48Ndërtuan shenjtëroren dhe pjesën e brendshme të tempullit dhe shenjtëruan tremet.

49Enët e shenjta i bënë të reja. Brenda tempullit sollën kandilin, altarin e temjanit dhe tryezën.

50Kushtuan temjan në altar, ndezën llambat e shandanit dhe tempulli u ndriçua.

51Vendosën bukë në tryezë e varën perdet. Kështu përfunduan të gjitha punët.

52Mëngjesin e ditës së njëzet e pestë të muajit të nëntë, që është muaji Haselev, të vitit të njëqindedyzetetetë, u ngritën

53e kushtuan fli sipas ligjit në altarin e ri që kishin ndërtuar për flitë e shkrumbimit.

54E kushtuan me këngë, cetra, harpa e cimbale në të njëjtën kohë e në të njëjtën ditë që e kishin përdhosur kombet.

55I gjithë populli ra me fytyrë përdhe dhe adhuruan e bekuan qiellin që u kishte dhënë begati.

56Kushtimin e altarit e kremtuan për tetë ditë dhe kushtuan fli shkrumbimi me gëzim, fli shpëtimi e lavdërimi.

57Ballinën e tempullit e stolisën me kurora të arta e me shqyte. Rindërtuan portat e tempullit dhe dhomat e shenjta, të cilave u vunë dyert.

58Populli u gëzua shumë e kështu u hoq poshtërimi i kombeve.

59Atëherë Juda, vëllezërit e tij dhe gjithë bashkësia e Izraelit caktuan që ditët e kushtimit të altarit të përkujtoheshin me gëzim e ngazëllim në të njëjtën kohë, çdo vit, për tetë ditë, duke filluar nga dita e njëzetepestë e muajit Haselev.

60Në atë kohë ndërtuan rreth malit Sion mure të larta e kulla të forta, që të mos i sulmonin përsëri kombet e t'i mposhtin, siç kishin bërë më parë.

61Vendosi atje roja për ta mbrojtur dhe fortifikoi Betcurin, që populli të kishte një strehim përballë Idumesë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help