Tobia 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Lutja e Tobitit

1I pikëlluar në shpirt, qava me dënesë dhe fillova të lutesha me ofshama:

2«I drejtë je, o Zot,

dhe të drejta tërë veprat e tua.

Mëshirë e vërtetësi tërë udhët e tua,

botën ti e gjykon.

3Tani ti, o Zot, kujtomë e vështromë!

Mos i ndëshko mëkatet e mia,

as çfarë kam bërë pa dije unë

dhe etërit e mi

që mëkatuan kundër teje

4e i shpërfillën urdhrat e tua.

Na lëshove plaçkitjen, shpërnguljen dhe vdekjen,

përgojimin, thashethemen dhe shpotinë

e mbarë kombeve ku na shpërndave.

5Dhe tani të shumta janë gjykimet e tua të drejta,

që të veprosh me mua sipas mëkateve të mia,

se nuk i zbatuam urdhërimet e tua

e nuk ecëm me vërtetësi para teje.

6Tani bëj me mua si të duash,

urdhëro të më dalë shpirti,

që të zhdukem nga faqja e dheut

e të bëhem dhe.

Më mirë të vdes, se të jetoj,

se shpoti të pavërteta dëgjova

e më ka zënë trishtim i madh.

O Zot, urdhëro të lirohem nga kjo shtrëngesë,

lërmë të shkoj në vendin e amshuar

dhe mos e largo fytyrën tënde prej meje, o Zot,

sepse është më mirë për mua të vdes,

se të shoh tërë këtë shtrëngesë në jetën time

e të dëgjoj shpotitë».

Lutja e Sarës

7Po atë ditë ndodhi që, Sarën, të bijën e Raguelit, e tallte njëra prej shpërbëtoreve të të atit në Ekbatanë të Medës,

8sepse kishte pasur shtatë burra, por demoni i lig Asmode i vriste para se të shkonin me të, siç shkohet me gratë. Shërbëtorja i thoshte: «Ti je ajo që i vret burrat e tu. Ja, je martuar me shtatë dhe s'ke marrë emrin e asnjërit prej tyre.

9Pse na fshikullon për burrat e tu të vdekur? Shko edhe ti me ta e mos pafshim kurrë djalë apo vajzë prej teje!».

10Atë ditë Sara u pikëllua në shpirt e qau. U ngjit në dhomën e sipërme të të atit e deshi të varte veten, por u mendua e tha: «Mos shpotitin tim atë e i thonë: “Një bijë të vetme e të dashur pate dhe ajo vari veten nga e keqja”. Kështu do t'ia zhysja pleqërinë tim eti me trishtim në skëterrë. Më mirë të mos varem, por t'i lutem Zotit të vdes e të mos dëgjoj më asnjë shpoti në jetën time».

11Atëherë shtriu duart nga dritarja, u lut e tha:

«I bekuar je, o Perëndi i mëshirshëm,

dhe i bekuar është emri yt në amshim.

Përherë të bekofshin të gjitha veprat e tua!

12Tani fytyrën dhe sytë e mi

drejt teje po i ngre.

13Urdhëro të zhbihem nga dheu

e të mos dëgjoj më shpoti.

14Ti e di, o sundues, se jam e pastër

nga çdo papastërti burri.

15Nuk e njollosa emrin tim,

as emrin e tim eti në dheun e mërgimit.

Jam bija e vetme e tim eti,

nuk ka tjetër fëmijë që ta trashëgojë,

as vëlla apo të afërm,

për të cilin të ruhem si grua.

Shtatë burra humba tashmë,

ç'më duhet jeta?

Por, po s'më le të vdes, o Zot,

dëgjoje shpotinë që më ra».

16Në atë kohë lutjet e të dyve u dëgjuan para lavdisë së Perëndisë

17dhe u dërgua Rafaeli, që t'i shëronte të dy. Tobitin ta çlironte nga cipat e bardha në sy, që të shihte me sytë e vet dritën e Perëndisë, kurse Sarën e Raguelit t'ia jepte për grua Tobisë, të birit të Tobitit, dhe ta lironte nga demoni i lig Asmode. Sara i takonte Tobisë më shumë se të gjithë atyre që dëshironin ta merrnin. Në atë kohë Tobiti u kthye në shtëpi nga tremja dhe Sara e Raguelit zbriti nga dhoma e sipërme.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help