Levitiku 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Mëkati i Nadabit dhe Abihuit

1Nadabi e Abihui, bijtë e Aronit, morën secili temjanicën e vet, i mbushën me prush, vunë mbi to temjan dhe i kushtuan Zotit një zjarr të pashenjtëruar që ai nuk ua kishte urdhëruar.

2Atëherë prej pranisë së Zotit doli një zjarr, që i përpiu, e ata vdiqën në prani të Zotit.

3Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Për këtë foli Zoti kur tha:

“Tek ata që më afrohen

do ta tregoj shenjtërinë time,

do të përlëvdohem

para syve të mbarë popullit”».

Aroni nuk foli.

4Moisiu thirri Mishaelin dhe Elcafanin, bijtë e Uzielit, ungjit të Aronit, e u tha: «Shkoni e merrni vëllezërit tuaj prej shenjtërores dhe nxirrini jashtë fushimit».

5Ata shkuan dhe i nxorën me gjithë rroba jashtë fushimit, siç kishte urdhëruar Moisiu.

6Pastaj Moisiu i tha Aronit e bijve të tij, Eleazarit e Itamarit: «Mos i shkulni flokët e mos i shqyeni rrobat, që të mos vdisni e që të mos bjerë zemërimi i Zotit mbi gjithë bashkësinë. Ata që i dogji zjarri i Zotit le t'i qajnë vëllezërit tuaj dhe mbarë shtëpia e Izraelit.

7Mos dilni jashtë derës së tendës së takimit, se jeni lyer me vajin e vajosjes së Zotit. Përndryshe, do të vdisni». Ata bënë siç i urdhëroi Moisiu.

8 Zoti i tha Aronit:

9«Kur të hyni në tendën e takimit, mos pini verë e pije dehëse, as ti e as bijtë e tu, që të mos vdisni. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë.

10Kështu, do të mund të dalloni mes gjërave të shenjta e gjërave të rëndomta, mes të pastrave e të papastrave,

11dhe do të mund t'u mësoni izraelitëve të gjitha rregullat që u ka urdhëruar Zoti përmes Moisiut».

12Moisiu i tha Aronit e bijve që i kishin mbetur, Eleazarit e Itamarit: «Çka mbetet prej flisë së drithit pas kushtimit të flive të zjarrit për Zotin, merreni dhe hajeni si bukë të ndorme pranë altarit, sepse është gjë shumë e shenjtë.

13Hajeni në vendin e shenjtë, se është pjesa e caktuar për ju e për bijtë tuaj prej flive të zjarrit për Zotin. Kështu më është urdhëruar.

14Gjoksin e flisë së lartësimit dhe kofshën e dhuratës hajeni në një vend të pastër bashkë me bijtë e me bijat, se kjo është pjesa e caktuar për ju e për bijtë tuaj prej flive të paqtimit të izraelitëve.

15Kofshën e dhuratës dhe gjoksin e flisë së lartësimit silleni e ngrijeni bashkë me dhjamin e flive të zjarrit si fli lartësimi për Zotin. Ju përket juve e bijve tuaj, si një e drejtë e përhershme, siç ka urdhëruar Zoti».

16Mandej, Moisiu kërkoi të dinte si e kishin kushtuar cjapin e flisë për mëkatin dhe mori vesh se e kishin djegur. Atëherë ai u zemërua me Eleazarin e me Itamarin, bijtë që i kishin mbetur Aronit, e u tha:

17«Pse nuk e hëngrët flinë për mëkatin në vendin e shenjtë? Ajo është gjë shumë e shenjtë e ju është dhënë për të hequr fajin e bashkësisë dhe për të bërë shlyerjen për të para Zotit.

18Meqenëse gjaku i flisë nuk ishte sjellë brenda shenjtërores, ju duhet ta hanit atë në shenjtërore, siç ju urdhërova».

19Aroni iu përgjigj Moisiut: «Ja, sot që u kushtua flija për mëkatin dhe flija e shkrumbimit para Zotit, më ndodhën gjithë këto gjëra. Po të haja sot flinë për mëkatin, a do ta kisha pëlqimin e Zotit?».

20Kur Moisiu i dëgjoi këto, mbeti i kënaqur.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help