1 Kronikave 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Regjistrimi i popullsisë

1Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin t'i numëronte izraelitët.

2Davidi i tha Joabit e prijësve të popullit: «Shkoni e numërojini izraelitët nga Bersheba në Dan dhe ma sillni numrin, që ta di».

3Por Joabi i tha: «Zoti e shumoftë popullin e vet njëqindfish, por a nuk janë ata të gjithë shërbëtorët e timzoti, o imzot mbret? Pse po e kërkon këtë, imzot? Pse duhet të bjerë ky faj mbi Izraelin?».

4Por fjala e mbretit e detyroi Joabin, prandaj ai shkoi gjithandej në Izrael e u kthye në Jerusalem.

5Joabi i dorëzoi Davidit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej një milion e njëqind mijë burra në Izrael dhe katërqind e shtatëdhjetë mijë burra në Judë.

6Ndër ta nuk kishte numëruar as levitët, as fisin e Benjaminit, sepse urdhri i mbretit i ishte dukur i neveritshëm Joabit.

7Perëndisë nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e ndëshkoi Izraelin.

8Davidi i tha Perëndisë: «Mëkatova shumë me këtë që bëra. Por, po të përgjërohem, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe».

9Atëherë Zoti i tha Gadit, vegimtarit të Davidit:

10«Shko e thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty».

11Gadi erdhi te Davidi e i tha se kështu thotë Zoti: «Zgjidh për vete,

12ose tri vjet zi buke, ose tre muaj arrati nga armiqtë e tu, shpata e të cilëve do të jetë më e fortë, ose tri ditë nën shpatën e Zotit, me murtajën, që merr dhenë, dhe me engjëllin e Zotit që shkreton Izraelin skaj më skaj. Prandaj, shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi».

13Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!».

14Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe ranë shtatëdhjetë mijë vetë.

15Perëndia dërgoi engjëllin në Jerusalem për ta shkatërruar. Por, ndërsa po e shkatërronte, Zoti pa dhe hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Ornan Jebusitit.

16Davidi çoi sytë e pa engjëllin e Zotit tek qëndronte mes tokës e qiellit, me shpatën zhveshur në dorë në drejtim të Jerusalemit. Pastaj Davidi e pleqtë u veshën me grathore e ranë përmbys.

17Davidi i tha Perëndisë: «A nuk e dhashë unë urdhrin për të numëruar popullin? Unë mëkatova e veprova me ligësi, por, këto dele çfarë kanë bërë? O Zot, Perëndia im, të lutem, le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti, por të mos godasë popullin tënd».

Kushtimi i altarit

18Engjëlli i Zotit i tha Gadit t'i thoshte Davidit që të ngjitej e t'i ngrinte Zotit një altar në lëmin e Ornan Jebusitit.

19Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi në emër të Zotit.

20Ornani u kthye e pa engjëllin. Katër bijtë e tij, që ishin me të, u fshehën. Ornani po shinte drithin,

21kur iu afrua Davidi. Porsa e pa, e vuri re se ishte Davidi, doli nga lëmi dhe u përkul para Davidit me fytyrë përdhe.

22Davidi i tha Ornanit: «Ma jep mua vendin e lëmit, që t'i ndërtoj Zotit një altar. Ma jep me çmim të plotë, që të largohet lëngata nga populli».

23Ornani i tha Davidit: «Merre dhe le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja, po të jap edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, edhe sharrën për dru, edhe drithin për flinë e drithit. Po të jap gjithçka».

24Por mbreti David i tha Ornanit: «Jo, dua ta blej me çmim të plotë. Nuk do t'i kushtoj Zotit diçka që të përket ty e të kushtoj një fli shkrumbimi falas».

25Atëherë Davidi i dha Ornanit gjashtëqind sikla ar për atë vend.

26Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Ai e thirri Zotin e ai iu përgjigj me zjarrin që ra prej qiellit mbi altarin e flisë së shkrumbimit.

27Zoti e urdhëroi engjëllin dhe ai e ktheu shpatën në mill.

28Në atë kohë, pasi Davidi pa se Zoti e dëgjoi te lëmi i Ornan Jebusitit, po aty kushtoi fli.

29Tenda e Zotit, që Moisiu kishte ngritur në shkretëtirë, dhe altari i flive të shkrumbimit ishin në atë kohë në lartësinë e Gibeonit,

30por Davidi nuk mundi të shkonte atje për t'u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte i tmerruar nga shpata e engjëllit të Zotit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help