1Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë Aleksandër Epifani, biri i Antiokut, shkoi e pushtoi Ptolemaidën. Njerëzit e mirëpritën dhe mbretëroi atje.
2Kur mbreti Dhimitër e mori vesh, mblodhi një ushtri të madhe e doli të ndeshej në betejë.
3Dhimitri i dërgoi Jonatanit letra me fjalë paqësore, për t'i dhënë rëndësi,
4se thoshte me vete: «Më mirë të bëj paqe me Jonatanin para se ai të bëjë marrëveshje me Aleksandrin e të na dalë kundër.
5Do t'i kujtohen të gjitha të këqiat që i bëmë atij, vëllezërve të tij e kombit të tij».
6Atëherë Dhimitri i dha Jonatanit të drejtën të mblidhte ushtri, të përgatiste armët e të bëhej përkrahës i tij. Pastaj urdhëroi t'i dorëzoheshin pengjet që mbante në fortesë.
7Jonatani erdhi në Jerusalem e i lexoi letrat para mbarë popullit në fortesë.
8Ata u trembën shumë kur dëgjuan se mbreti i kishte dhënë leje të mblidhte ushtri.
9I dorëzuan pengjet e mbyllura në fortesë e ai i çoi te prindërit e tyre.
10Jonatani banoi në Jerusalem e filloi ta rindërtonte e ta përtërinte qytetin.
11Urdhëroi punëtorët të ndërtonin muret e të rrethonin malin Sion me gurë të latuar për ta fortifikuar mirë. Kështu bënë.
12Të huajt që ndodheshin në fortesat e ndërtuara nga Bakidi u larguan.
13Secili u nis për në vendin e vet e shkoi në tokën e vet.
14Vetëm në Betcur mbetën disa prej atyre që kishin braktisur ligjin e urdhëresat. Ai ishte bërë strehimi i tyre.
15Mbreti Aleksandër dëgjoi të gjitha premtimet që Dhimitri i kishte bërë Jonatanit. I treguan luftrat e trimëritë që kishte bërë Jonatani e vëllezërit e tij, si dhe mundin që kishin hequr,
16prandaj tha: «A e gjejmë dot një burrë të tillë? Ta bëjmë mik e përkrahës që tani».
17Shkroi letra, e ia dërgoi, me këto fjalë:
18«Mbreti Aleksandër vëllait Jonatan: përshëndetje.
19Kemi dëgjuar për ty, se je burrë i fortë e i fuqishëm dhe i denjë për të qenë miku ynë.
20Sot të kemi caktuar kryeprift të kombit tënd. Do të quhesh mik i mbretit, do të kesh një mendje me ne e do të mbash miqësi me ne». I dërgoi një petk të purpurt e një kurorë të artë.
21Jonatani e veshi petkun e shenjtë muajin e shtatë të vitit njëqind e gjashtëdhjetë, në festën e Kasolleve. Ai mblodhi ushtri e përgatiti shumë armë.
Letra e Dhimitrit22Dhimitri i dëgjoi këto gjëra, i erdhi keq e tha:
23«Ç'ishte kjo që bëmë? Aleksandri na e kaloi se lidhi miqësi me judenjtë, për t'u forcuar.
24Do t'u shkruaj edhe unë, për t'i bërë për vete si ndihmë, me premtime mikluese, lartimi e dhuratash».
25U dërgoi letër me këto fjalë: «Mbreti Dhimitër kombit të judenjve: përshëndetje.
26Ju e mbajtët marrëveshjen e bërë me ne, i ndenjët miqësisë sonë e nuk u bashkuat me armikun tonë. Ne e kemi dëgjuar këtë dhe jemi gëzuar.
27Tani, vijoni të keni besim te ne e do t'ju shpërblejmë me të mira për çka bëni për ne.
28Do t'ju lirojmë nga shumë tagra e do t'ju japim dhurata.
29Që tani po ju çliroj ju e të gjithë judenjve po u heq taksat e kripës e të kurorave.
30Në vend të një të tretës së farës, në vend të gjysmës së prodhimit të pemëve që duhet të marr, i liroj që sot e tutje nga detyrimet prej tokës së Judesë e prej tri krahinave që i janë bashkangjitur nga Samaria e Galilea.
31Jerusalemi të jetë i shenjtë e i lirë, deri në kufijtë e tij. Të jetë i çliruar nga tagrat.
32Heq dorë edhe nga zotërimi i fortesës së Jerusalemit e ia jap kryepriftit që të vendosë atje njerëzit që do të zgjedhë ai vetë për ta ruajtur.
33Çdo shpirt judeu, që është marrë rob nga toka e Judesë në mbarë mbretërinë time e lë të lirë pa shpërblim. Të gjithë janë të lirë edhe nga tagrat mbi bagëtitë.
34Të gjitha festat, të shtunat, hënat e reja, ditët e caktuara, tre ditë para e tre ditë pas festës do të jenë ditë lirimi nga tagrat për të gjithë judenjtë që jetojnë në mbretërinë time.
35Askush nuk do të ketë të drejtë t'u kërkojë gjë apo t'i shqetësojë për ndonjë punë.
36Në ushtrinë e mbretit të thirren deri në tridhjetë mijë judenj e t'u jepet rrogë si të gjithë ushtarëve të tjerë të mbretit.
37Disa prej tyre të vendosen në fortesat e mëdha të mbretit dhe, mes tyre, disa të caktohen në vende të besuara të mbretërisë. Të kenë prijësit e udhëheqësit e vet, që të mbajnë ligjet e tyre, siç urdhëroi mbreti për tokën e Judesë.
38Tre rrethet që i janë bashkangjitur Judesë nga vendi i Samarisë, t'i jepen Judesë, që të mbahet parasysh se kanë vetëm një sundues e se duhet t'i binden vetëm pushtetit të kryepriftit.
39Ptolemaidën me rrethina ia bëj dhuratë tempullit të Jerusalemit, që të mbulojë shpenzimet e tempullit.
40Edhe unë vetë do të jap pesëmbëdhjetë mijë sikla argjendi në vit nga të drejtat e mbretit në vendet që i përkasin.
41Të gjitha shtesat që zyrtarët nuk i kanë dhënë si gjatë viteve të mëparshme, t'i japin që tani për punimet e tempullit.
42Për më tepër, pesë mijë siklat e argjendit, që i kanë marrë nga shuma e të ardhurave të tempullit çdo vit, janë të shlyera e u përkasin priftërinjve që kryejnë shërbesën.
43Të strehuarit në tempullin e Jerusalemit e në gjithë malet e tij për shkak të detyrimeve ndaj mbretit e për çdo arsye, të lirohen e t'u kthehet çdo pronë në mbretërinë time.
44Shpenzimet për ndërtimin dhe meremetimin e shenjtërores do të merren përsipër nga të ardhurat e mbretit.
45Edhe për ndërtimin e mureve të Jerusalemit e të fortifikimit përqark, shpenzimet do të bëhen prej mbretit. Po ashtu edhe për ndërtimin e mureve të Judesë».
Vdekja e Dhimitrit46Jonatani e populli i dëgjuan këto fjalë dhe nuk i besuan e nuk i pranuan, se kujtuan ligësitë e mëdha që i kishte bërë mbreti Izraelit dhe sa shumë i kishte munduar.
47Parapapëlqyen Aleksandrin, se ai u kishte folur fjalë paqësore i pari, dhe bënë marrëveshje të përhershme me të.
48Mbreti Aleksandër mblodhi ushtri të madhe e fushoi përballë Dhimitrit.
49Dy mbretërit u ndeshën në luftë. Ushtria e Dhimitrit mori arratinë. Aleksandri e ndoqi pas dhe e mundi.
50U bë luftë e fortë derisa perëndoi dielli. Dhimitri u vra atë ditë.
Ptolemeu dhe Aleksandri51Aleksandri i dërgoi përfaqëues Ptolemeut, mbretit të Egjiptit, me këto fjalë:
52«Që kur u ktheva në mbretërinë time e u ula në fronin e etërve të mi, mora pushtetin, shkatërrova Dhimitrin e vura sundimin në trojet e mia.
53U ndesha me të në betejë. Ai e ushtria e tij u shpartalluan nga ne dhe u ulëm në fronin e mbretërisë së tij.
54Tani le të lidhim miqësi. Më jep për grua vajzën tënde, që të bëhem dhëndri yt. Unë do t'i jap asaj dhe ty dhurata të denja për ty».
55Mbreti Ptoleme u përgjigj: «E mbarë qe dita kur u ktheve në dheun e etërve të tu e u ule në fronin e mbretërisë së tyre.
56Do të veproj me ty siç më ke shkruar. Le të takohemi në Ptolemaidë, të shihemi me njëri-tjetrin, e do të bëhem vjehrri yt, siç the».
57Ptolemeu u nis nga Egjipti me të bijën, Kleopatrën, e mbërritën në Ptolemaidë në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e dy.
58Mbreti Aleksandër i doli para. Ptolemeu i dha për grua bijën e tij, Kleopatrën, dhe dasmën ia bëri në Ptolemaidë me lavdi të madhe, siç u ka hije mbretërve.
59Mbreti Aleksandër i shkroi letër Jonatanit të vinte e ta takonte.
60Ai shkoi në Ptolemaidë me lavdi e u takua me të dy mbretërit. I dha atij e miqve të tij argjend, ar e dhurata të shumta e i bëri për vete.
61Disa izraelitë ngatërrestarë, burra të paudhë, u mblodhën kundër tij dhe e paditën, por mbreti nuk i përfilli.
62Përkundrazi, mbreti urdhëroi t'ia hiqnin rrobat Jonatanit e ta vishnin me të purpurta. Dhe ashtu u bë.
63Mbreti e vuri të ulej pranë tij e u tha prijësve të vet: «Shkoni me të në mes të qytetit e shpallni se askush nuk do të ngrejë padi kundër tij për asnjë shkak e askush të mos e shqetësojë për asnjë arsye».
64Paditësit e tij morën arratinë kur e panë lavdinë e Jonatanit, siç ishte shpallur, e kur e panë të veshur me purpur.
65Mbreti e nderoi Jonatanin dhe e radhiti me miqtë më të afërt, e bëri kryeushtarak e qeveritar të krahinës.
66Jonatani u kthye në Jerusalem me paqe e hare.
Fitorja mbi Apollonin67Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e pesë Dhimitri, biri i Dhimitrit, erdhi nga Kreta në dheun e etërve të tij.
68Kur mbreti Aleksandër e dëgjoi këtë, u trishtua fort e u kthye në Antioki.
69Dhimitri i dha Apollonit Sirinë e Madhe. Ai mblodhi ushtri të madhe dhe nguli fushimin kundër Jamnisë. Pastaj i dërgoi kryepriftit Jonatan këtë fjalë:
70«Ti je i vetmi që ke ngritur krye kundër nesh dhe, për shkakun tënd, më përqeshin e më tallin. Pse e përdor pushtetin kundër nesh në malësi?
71Nëse ke besim tek ushtria jote, zbrit në fushë e të matemi atje, se ushtritë e qyteteve janë me mua.
72Pyet e mëso kush jam unë dhe ata që më ndihmojnë mua. Do të të thonë se nuk të mbajnë këmbët para nesh, se edhe etërit e tu u mundën dy herë prej nesh në dheun e tyre.
73As tani nuk mund t'i bësh ballë kalorësisë e kësaj ushtrie në fushë, ku nuk as ka shkëmb, as thep, as vend ku të fshihesh».
74Kur Jonatani i dëgjoi fjalët e Apollonit, iu çart mendja. Zgjodhi dhjetë mijë burra, doli nga Jerusalemi. Në ndihmë i erdhi vëllai i tij, Simoni.
75Fushoi përballë Jopës, por banorët e atij qyteti ia mbyllën dyert, sepse në Jopë gjendeshin rojat e Apollonit. Atëherë i sulmoi.
76Banorët e qytetit u trembën, ia hapën dyert e Jonatani e mori në zotërim Jopën.
77Kur Apolloni e dëgjoi këtë, mblodhi tre mijë kalorës me një ushtri të madhe e shkoi në Azot, kinse donte të shkonte asaj udhe, por shkoi në fushë, se kishte një turmë kalorësish, te të cilët kishte besim.
78Jonatani e ndoqi në Azot dhe ushtritë u ndeshën në betejë.
79Apolloni kishte lënë një mijë kalorës të fshehur pas tij.
80Jonatani e kuptoi se i kishin ngritur kurth nga pas, se ia rrethuan ushtrinë dhe e gjuajtën me shigjeta nga mëngjesi në darkë.
81Por burrat e tij bënë qëndresë, siç i kishte urdhëruar Jonatani, ndërsa kuajt e armikut u lodhën.
82Atëherë Simoni nxori ushtrinë e vet, u ndesh me krahun e kalorësisë. Ata u shpartalluan e morën arratinë, se kuajt ishin të lodhur.
83Kalorësit u shpërndanë nëpër fushë, u strehuan në Azot dhe hynë në Betdagon, në tempullin e idhullit të tyre, për të shpëtuar.
84Jonatani i vuri flakën Azotit me qytetet përreth e i plaçkiti. Tempullin e Dagonit dhe ata që ishin strehuar në të i dogji.
85Numri i të vrarëve nga shpata dhe i të djegurve nga zjarri arriti në tetë mijë burra.
86Pastaj Jonatani u largua e fushoi përballë Askalonit. Banorët dolën dhe e pritën me lavdi të madhe.
87Jonatani u kthye në Jerusalem me plaçkë të madhe.
88Kur mbreti Aleksandër i dëgjoi këto fjalë, e nderoi edhe më shumë Jonatanin.
89I dërgoi një togzë të artë që i jepej sipas dokes fisit të mbretit. I dha në pronë edhe Ekronin me të gjitha rrethinat.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.