1 Ezra 7 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Përfundimi i tempullit

1Sisini, qeveritari i Sirisë së Madhe e Fenikës, Shetarboznai dhe bashkëpunëtorët e tyre ndoqën urdhrin e mbretit Dar.

2Ata i mbikëqyrnin punët e shenjta me më shumë kujdes, duke bashkëpunuar me pleqësinë e judenjve dhe me përgjegjësit e tempullit.

3Punimet e shenjta vijuan edhe me nxitjen e profecive të profetit Haga dhe të profetit Zakari.

4Ata i përfunduan ndërtimet sipas urdhrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit.

5Me urdhrin e Kirit, Darit dhe Artakserksit, mbretërve të persëve, ndërtimi i tempullit të shenjtë përfundoi në ditën e njëzet e tretë të muajit Adar, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

6Bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe gjithë të kthyerit prej robërisë vepruan sipas librit të Moisiut.

7Për kushtimin e tempullit flijuan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja

8dhe, për mëkatin e mbarë Izraelit, dymbëdhjetë cjep sipas numrit të krerëve të dymbjedhjetë fiseve të Izraelit.

9Mandej caktuan priftërinj dhe levitë, sipas rendit të tyre, veshur me stoli, për shërbesën e Zotit, Perëndisë së Izraelit, siç është në librin e Moisiut. U caktuan edhe derëtarët e secilës portë.

Kremtimi i Pashkës

10Izraelitët e kthyer prej robërisë kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. Priftërinjtë ishin pastruar bashkë me levitët.

11Nuk e bënë pastrimin të gjithë të kthyerit prej robërisë, por vetëm levitët u pastruan të gjithë bashkë.

12Ata therën flinë e Pashkës për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për vete.

13Izraelitët e kthyer prej robërisë hëngrën Pashkën bashkë me të gjithë ata që kishin hequr dorë nga fëlligështia e kombeve të vendit, për të kërkuar Zotin.

14Mandej kremtuan për shtatë ditë të kremten e Bukëve të ndorme, me gëzim para Zotit,

15sepse Zoti e kishte prirë zemrën e mbretit të Asirisë në të mirë të tyre, që ai t'i ndihmonte për të bërë veprat e Zotit, Perëndisë së Izraelit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help