2 Mbretërve 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Elia dhe Ahazjahu

1Pas vdekjes së Ahabit, Moabi u ngrit kundër Izraelit.

2Një ditë mbreti Ahazjah ra nga hekurat e dritares së dhomës së sipërme në Samari e u lëndua. Ai dërgoi disa njerëz, që të merrnin vesh prej Baal Zebubit, perëndisë së Ekronit, në do të shërohej a jo.

3Atëherë engjëlli i Zotit i tha Eli Tishbitit: «Ngrihu e shko të takosh të dërguarit e mbretit të Samarisë e thuaju: “A nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit?

4Prandaj, kështu thotë Zoti: prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mandej Elia u largua.

5Të dërguarit u kthyen te mbreti e ai i pyeti: «Përse u kthyet?».

6Ata iu përgjigjën: «Na doli përpara një burrë e na tha: “Kthehuni te mbreti, që ju dërgoi, e thuajini: kështu thotë Zoti: a nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”».

7Mbreti i pyeti: «Si ishte nga pamja burri që ju doli përpara e ju tha këto gjëra?».

8Ata iu përgjigjën: «Ishte njeri leshtor dhe rreth ijëve kishte ngjeshur një brez lëkure». Ai u tha: «Është Eli Tishbiti».

9Mbreti Ahazjah dërgoi një nga kryepesëdhjetësit me pesëdhjetë luftëtarë për ta kapur Elinë. Ata shkuan tek Elia dhe e gjetën duke ndenjur në majë të malit. Atëherë kreu i njësisë ushtarake i tha: «O njeri i Perëndisë, mbreti ka urdhëruar të zbresësh».

10Elia iu përgjigj kreut të njësisë ushtarake: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij.

11Mbreti dërgoi sërish një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i njësisë ushtarake i tha Elisë: «O njeri i Perëndisë, kështu thotë mbreti: “Zbrit poshtë menjëherë!”».

12Elia i tha atij dhe luftëtarëve të tij: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarri prej qiellit e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij.

13Mbreti dërgoi për herë të tretë një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i tretë i njësisë ushtarake shkoi tek Elia, ra në gjunjë para tij dhe iu përgjërua me këtë fjalë: «O njeri i Perëndisë, të lutem të të vijë keq për jetën time dhe për jetën e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu.

14Dy kryepesëdhjetësit e parë dhe pesëdhjetë luftëtarët e tyre i përpiu zjarri, që zbriti prej qiellit. Tani, po të lutem, të të dhimbset jeta ime».

15Atëherë engjëlli i Zotit i tha Elisë: «Zbrit me të e mos ki frikë prej tij». Elia zbriti nga mali, shkoi te mbreti

16e i tha: «Kështu thotë Zoti: meqenëse ke dërguar njerëz për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit, a thua se nuk paska Perëndi në Izrael, nuk ke për t'u ngritur nga shtrati ku ke rënë e aty ke për të vdekur».

17Ahazjahu vdiq sipas fjalës që kishte thënë Zoti përmes profetit Elia. Pas Ahazjahut, në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoramit, birit të Joshafatit, në Judë, mbretëroi i vëllai, Jehorami, sepse Ahazjahu nuk kishte djalë.

18Bëmat e tjera të Ahazjahut janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help