Kuvendari 8 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Kush është si i urti

e kush di t'i dallojë gjërat?

Urtia njerëzore e shndrin fytyrën e tij

e ia shndërron fytyrën e ngrysur.

2Zbatoji urdhrat e mbretit, se i je betuar Perëndisë.

3Mos u largo me ngut prej tij, mos ngul këmbë në punë të mbrapshta, se ai mund të bëjë çfarë të dojë.

4Se fjala e mbretit është eprore dhe kush mund t'i thotë: «Çfarë po bën?».

5Ai që e zbaton urdhërimin nuk do të njohë asnjë të keqe. Zemërurti njeh kohën e doket.

6Se çdo gjë ka kohën e doket e veta dhe ligësia peshon mbi njeriun.

7Asnjë nuk e di ç'do të ndodhë, prandaj kush mund t'i tregojë si do të ndodhë?

8Asnjeri nuk është i zoti i frymës, që të mund ta ndalë frymën. Askush nuk është i zoti në ditën e vdekjes. Nuk ka rrugëdalje nga beteja dhe ligësia nuk e shpëton të zotin.

9Gjithë këtë gjë e kundrova ndërsa isha dhënë me gjithë zemër ndaj çdo gjëje që ndodh nën diell, kur njeriu e sundon njeriun për të zezën e tij.

10Ndërkohë i pashë të paudhët të varrosur. Kishin hyrë në vendin e shenjtë dhe kishin dalë, por në qytet kishin harruar se kishin vepruar kështu. Edhe kjo është tymnajë.

11Meqë nuk merret një vendim i shpejtë për veprat e liga, zemra e njerëzve priret krejt për ligësi.

12Ndonëse mëkatarit, që bën njëqind ligësi, i zgjatet jeta, jam i vetëdijshëm se ata që druajnë Perëndinë do të kenë mbarësi ngaqë e druajnë.

13Por i paudhi nuk do të ketë mbarësi e nuk do t'i zgjaten ditët porsi hija, se nuk e druan Perëndinë.

14Në tokë ndodh edhe një tymnajë. Disa të drejtëve u ndodhin gjërat që u takojnë keqbërësve. Disa të paudhëve u ndodhin gjërat që u takojnë të drejtëve. Them se edhe kjo është tymnajë.

15Prandaj e çmoj harenë, se për njeriun nuk ka të mirë tjetër nën diell përveçse të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo do ta shoqërojë në mundin e ditëve të jetës së tij që i dha Perëndia nën diell.

16Kur u dhashë me gjithë zemër për ta njohur urtinë e për ta vërejtur detyrën që është caktuar mbi tokë, sesi sytë nuk shohin gjumë as ditën, as natën,

17pashë gjithë punën e Perëndisë, se njeriu nuk mund ta marrë me mend veprën që është kryer nën diell. Sado të mundohet njerëzia të kërkojë, nuk do ta gjejë. Edhe nëse ndonjë i urtë do të thotë se e di, nuk do të mund ta gjejë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help