Isaia 26 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kënga e të çliruarve

1Atë ditë në tokën e Judës

kjo këngë do të këndohet:

qytetin e kemi të fortë,

të ndërtuar për shpëtimin tonë,

me mure e me bedena.

2Hapini dyert,

që të hyjë kombi i drejtë,

kombi që qëndron besnik.

3Synimet e tij nuk luhaten

dhe ti e mban në paqe,

e mban në paqe,

se ka shpresuar te ti.

4Kini përherë shpresë te Zoti,

se Zoti, Zoti

është shkëmbi i amshuar.

5Ai i përuli ata që rrinin lart,

qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi,

e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi.

6E shkelin me këmbë,

e shkelmojnë këmbët e skamnorëve,

e shtypin hapat e të varfërve.

7Udha e të drejtit është e sheshtë;

ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë!

8Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o Zot,

shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd!

9Të dëshiron shpirti im natën,

fryma ime përbrenda të kërkon.

Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë,

banorët e botës do të mësojnë drejtësinë.

10Po t'i jepet mëshirë të paudhit,

drejtësinë s'ka për ta mësuar,

në një vend të ndershëm

të keqen do të bëjë,

madhështinë e Zotit

s'ka për ta parë.

11Dora jote është ngritur, o Zot,

por ata s'e shohin.

Do të shohin zellin tënd për popullit tënd

e do të turpërohen,

zjarri i armiqve të tu

ka për t'i përpirë.

12O Zot, ti do të na japësh paqen,

se çdo vepër tonën, ti e ke kryer.

13O Zot, Perëndia ynë,

të tjerë sundues, e jo ti, na kanë sunduar,

por ne kujtojmë vetëm emrin tënd.

14Të vdekurit nuk do të jetojnë më,

hijet më nuk do të ngrihen,

prandaj ti i ndëshkove e i zhbive,

kujtimin e tyre e shkatërrove.

15E ke shtuar kombin, o Zot,

kombin e ke shtuar;

u bëre i lavdishëm,

tërë kufijtë e vendit i zgjerove.

16Ty, o Zot, të kërkuan në fatkeqësi,

ty t'u përgjëruan, kur i ndëshkoje.

17Si shtatzëna, kur i vjen koha për të lindur,

kur përpëlitet e bërtet nga dhimbjet,

ashtu kemi qenë para teje, o Zot.

18Ishim ngjizur, kishim dhimbje,

si të ishim gati për të lindur,

por pollëm erë, tokës shpëtim s'i sollëm

e as banorë të tjerë botës nuk i lindëm.

19Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish,

kufomat do të ringjallen.

Ngrihuni e brohoritni,

o ju që dergjeni në pluhur!

Se vesa jote është vesë drite

dhe tokën e hijeve ti e sjell në jetë.

20Përpara, o populli im,

hyr në dhomat e tua!

Mbylle derën pas teje

e fshihu për pak kohë,

sa të kalojë zemërimi.

21Se, ja, Zoti po del prej banesës,

për të ndëshkuar paudhësinë

që bënë kundër tij banorët e tokës.

Do ta nxjerrë në shesh toka gjakun e derdhur

e më s'do t'i fshehë të vrarët e saj.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help