2 Makabenjve 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rënia e Antiok Epifanit

1Rreth asaj kohe ndodhi tërheqja me turp e Antiokut nga Persia.

2Ai kishte hyrë në qytetin e quajtur Persepojë, ishte përpjekur të zhvaste tempujt e të pushtonte qytetin, por populli, me ngut, i kishte dalë zot vetes me armë. Antioku dhe ushtria e tij ishin shpartalluar, prandaj banorët i kishin dhënë arratinë Antiokut dhe ai ishte larguar me turp.

3Kur ndodhej në Ekbatanë, mori vesh ç'i kishte ndodhur Nikanorit e Timoteut.

4Atëherë u mbush me zemërim e mendoi të shfrynte mbi judenjtë turpin e pësuar prej atyre që e kishin dëbuar në Persepojë, prandaj urdhëroi karrocierin të vijonte rrugën pa u ndalur, por e ndiqte ndëshkimi i qiellit, se thoshte me mujshi: «Do ta kthej Jerusalemin në varrin e judenjve, sapo të mbërrij».

5Atëherë Zoti, që sheh gjithçka, Perëndia i Izraelit, i shkaktoi një plagë të pashërueshme dhe të padukshme, se menjëherë, sapo përfundoi fjalën, e kapën dhimbje barku të padurueshme e therje të mprehta të brendshme,

6gjë e drejtë, se i kishte munduar barqet e të tjerëve me shumë mizori të çuditshme.

7Megjithatë, nuk u tërhoq nga krekosja e vet, por me krenari e volli zjarrin e zemërimit kundër judenjve dhe urdhëroi të shpejtonin edhe më shumë. Atëherë u rrëzua nga koçia që ngiste me hov dhe, nga rënia, iu thyen të gjitha gjymtyrët e trupit.

8Ai që pak më parë, në krenarinë e vet mbinjerëzore, kujtonte se mund të urdhëronte edhe dallgët e detit dhe se mund të vinte në peshore malet e larta, u bë një me tokën dhe, kur po e ngrinin në vig, u shfaqte të gjithëve fuqinë e Perëndisë.

9Deri edhe krimba dolën nga trupi i të pafeut dhe, ndërsa ende jetonte në vuajtje e dhimbje, mishi i binte copë dhe tërë ushtrisë i pështillej prej kalbjes e qelbjes së tij.

10Atij, që para pak kohe donte të kapte yjet e qiellit me dorë, askush nuk i afrohej ta mbartte, për shkak të erës së qelbur.

11Në këtë gjendje, krenaria e madhe filloi t'i thyhej dhe nisi të kuptonte fshikullin hyjnor, se dhimbjet sa vinin e i shtoheshin.

12Kur ai vetë nuk duronte më as kutërbimin e vet, tha: «Është e drejtë t'i nënshtrohesh Perëndisë dhe asnjë vdekatar nuk duhet ta pandehë veten njësoj me të».

13Atëherë i ndyri i tha sunduesit, i cili nuk do të tregonte mëshirë për të,

14se qytetin e shenjtë, drejt të cilit po vraponte për ta rrafshuar dhe për ta bërë varrezë, do ta linte të lirë,

15kurse judenjtë, që s'i mbante të denjë as për varrim, por i kishte lënë t'i hanin shpendët a t'i shqyenin bishat bashkë me foshnjat e tyre, do t'i bënte të gjithë të barabartë me athinasit.

16Tempullin e shenjtë, që më parë e kishte zhvatur, do ta stoliste me dhurata dhe enët e shenjta do t'i kthente shumëfish, kurse shpenzimet e flijimeve do t'i jepte nga të ardhurat e veta.

17Veç këtyre, ai vetë do të bëhej jude e do të shkonte në çdo vend të banuar për të shpallur fuqinë e Perëndisë.

18Mirëpo dhimbjet nuk u mpakën, pasi mbi të kishte rënë me të drejtë gjykimi i Perëndisë. I dëshpëruar për veten, u shkroi judenjve këtë letër përgjëruese, ku thoshte:

19«Qytetarëve të mirë judenj: shumë të fala, shëndet e begati ju uron mbreti e kryeushtaraku Antiok.

20Uroj që fëmijët t'i keni mirë, vetë të jeni mirë dhe punët t'ju shkojnë siç dëshironi. Unë shpresoj vetëm te qielli

21dhe kujtoj me mall nderin e mirësinë tuaj. Duke u kthyer nga vendet e Persisë, më ra një sëmundje e rëndë, prandaj mendoj të përkujdesem për sigurinë e përbashkët të të gjithëve.

22Nuk dëshpërohem për gjendjen në të cilën jam, por shpresoj se do ta kaloj sëmundjen.

23Megjithatë, mendoj se edhe im atë, sa herë që nisej për fushim në vendet e veriut, linte një pasardhës,

24që, po të ndodhte ndonjë e papritur apo e keqe, banorët ta dinin se kush ishte caktuar të mbretëronte e të mos shqetësoheshin.

25Veç kësaj, e di se sundimtarët fqinjë të mbretërisë sime presin prej kohësh të ndodhë diçka, prandaj caktova mbret tim bir, Antiokun, të cilin e kam lënë shumë herë në besën tuaj, kur shpesh nisesha për fushim në veri. I shkrova edhe atij, siç mund ta shihni më poshtë.

26Ju lutem e ju kërkoj të kujtoni gjithmonë mirësitë që ju kam bërë veçmas apo bashkarisht e të keni të njëjtën mirësi edhe për tim bir, siç e patët për mua.

27Jam i bindur se edhe ai do të ndjekë shembullin tim e do të sillet me ju me maturi e njerëzi».

28Vrasësi e blasfemuesi pësoi të gjithë të këqijat që u kishte bërë të tjerëve. Ai e humbi jetën në vend të huaj mes maleve.

29Trupin ia çoi në shtëpi Filipi, miku i tij i ngushtë. Mirëpo, meqë kishte frikë nga i biri, Antioku, shkoi te Ptoleme Filometori në Egjipt.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help