Isaia 52 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Çlirimi i Sionit prej robërisë

1Zgjohu, zgjohu,

ngjishu me fuqi, o Sion,

vishi rrobat e tua më të bukura,

o Jerusalem, qyteti i shenjtë,

se te ti nuk do të vijë më kurrë

i parrethpreri e i papastri.

2Shkunde pluhurin,

ngrihu, o Jerusalem i robëruar,

zgjidhi vargonjtë që ke në qafë,

o e robëruara bijë e Sionit.

3Se kështu thotë Zoti:

Ju shitën për hiçgjë,

por pa para do të shpengoheni.

4Se kështu thotë Zoti Perëndi:

populli im zbriti dikur në Egjipt për të jetuar.

Mandej erdhën asirianët dhe e shtypën pa shkak.

5E tani ç'fitoj unë këtu, kumton Zoti,

kur popullin tim e rrëmbyen pa shkak?

Sunduesit e tij ngadhënjejnë, kumton Zoti,

dhe emri im shahet përherë tërë ditën.

6Prandaj populli im do ta njohë emrin tim,

prandaj atë ditë do ta dijë se unë jam

ai që thoshte: «Ja ku jam!».

7Sa të bukura janë mbi male

këmbët e lajmëtarit,

të atij që shpall lajmin e paqes,

që shpall shpëtimin e i thotë Sionit:

«Perëndia yt mbretëron!».

8Rojtarët e tu po thërrasin,

po ngrenë tok zërin e po brohorasin,

se me sytë e tyre po shohin

Zotin që kthehet në Sion.

9Shpërtheni së bashku në britma gëzimi,

o rrënojat e Jerusalemit,

se Zoti i jep ngushëllim popullit të tij,

Jerusalemin po e shpengon.

10Se Zoti e zhveshi krahun e tij të shenjtë

në sytë e mbarë kombeve.

Mbarë skajet e tokës do ta shohin

shpëtimin e Perëndisë tonë.

11Nisuni, nisuni, dilni prej andej,

mos prekni asgjë të papastër,

dilni prej Babilonisë e pastrohuni,

o ju që mbartni enët e Zotit.

12Se nuk do të dilni me nxitim,

me ngut nuk do të ikni.

Para jush do të shkojë Zoti,

pas jush do të jetë Perëndia i Izraelit.

Vuajtjet e shërbëtorit të Zotit

13Ja, shërbëtorit tim do t'i prijë e mbara,

do të nderohet, do të lartësohet, shumë do të madhërohet.

14Të shumtë ata që u shtangën prej tij,

kur panë pamjen e njeriut të shfytyruar,

kaq ndryshe nga trajta e bijve të njeriut.

15Kështu, ai do të mahnitë shumë kombe

e mbretërit do të mbyllin gojën para tij,

sepse do të shohin çka nuk u ishte treguar,

do të kuptojnë çka nuk kishin dëgjuar.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help