Ezekieli 32 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vajtim për Faraonin

1Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

2«Bir i njeriut, merrja vajit për faraonin, mbretin e Egjiptit, e thuaji:

si luani i kombeve ngjasoje,

ishe si përbindëshi në det,

vërsuleshe nëpër lumenjtë e tu,

i turbulloje ujërat me këmbë

e ua ndotje lumenjtë.

3Kështu thotë Zoti im, Zoti:

do ta ndeh rrjetën time mbi ty,

me bashkësinë e shumë popujve,

e ata do të të ngrenë me rrjetën time.

4Do të të hedh përtokë,

në arë do të të plandos,

do të vendoj në ty të gjithë shpendët e qiellit,

do të ngopen me ty gjallesat e mbarë dheut.

5Do ta përhap nëpër male mishin tënd,

do t'i mbush luginat me kërmën tënde.

6Do ta vel tokën gjer në mal

me çurgun e gjakut tënd

e përrenjtë do të mbushen prej teje.

7Pasi të jesh shuar, do ta mbuloj qiellin,

do t'ia errësoj yjet.

Diellin me re do ta mbuloj

e hëna nuk do të bëjë më dritë.

8Të gjithë dritëdhënësit e qiellit

do t'i terratis mbi ty

e do të pllakos errësirën në dheun tënd,

kumton Zoti im, Zoti.

9Do t'ua trazoj zemrën shumë popujve, kur t'u jap lajmin e rrënimit tënd kombeve, vendeve që nuk i ke njohur.

10Do të çorodit shumë popuj për shkakun tënd. Mbretërit e tyre do të dridhen për shkakun tënd, kur ta vringëlloj shpatën para tyre. Do të tranden pareshtur, secili për jetën e vet, ditën e shembjes sate.

11Se kështu thotë Zoti im, Zoti: shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ju.

12Turmën tënde do ta rrëzoj me shpatën e trimave, të gjithë prej kombeve mizore.

Do ta shkretojnë krenarinë e Egjiptit

e do të shkretohet tërë turma e tij.

13Do t'ia shkatërroj të gjitha bagëtitë

ndanë ujërave të begata.

Nuk do t'i turbullojë më këmbë njeriu,

as thundrat e kafshëve nuk do t'i turbullojnë.

14Atëherë do t'ua kthjelloj ujërat

e lumenjtë e tyre si vaji do të rrëshqasin,

kumton Zoti im, Zoti.

15Kur ta kem shkretuar dheun e Egjiptit,

kur të jetë shkretuar dheu nga gjithçka që e mbushte,

kur të kem goditur të gjithë banorët e tij,

do ta marrin vesh se unë jam Zoti.

16Ky është vajtim e do të vajtohet. Bijat e kombeve do ta vajtojnë. Mbi Egjiptin e mbarë turmën e tij do ta vajtojnë, kumton Zoti im, Zoti.

17Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

18bir i njeriut, vajto mbi turmën e Egjiptit e jepu tatëpjetën drejt nëndheut bashkë me ata që zbresin në gropë, atij e bijave të kombeve të fuqishme.

19Më i bukur se kush qenke ti?

Zbrit e prehu me të parrethprerët.

20Do të bien mes të therurve me shpatë. U zhvesh shpata. Goditeni me mbarë turmën e tij.

21Prijësit guximtarë, në mes të skëterrës, do të thonë për të e për ndihmësit: kanë zbritur e janë prehur të parrethprerët dhe të therurit me shpatë.

22Aty është Asiria, me tërë hordhinë e vet. Rreth e rrotull i ka varret. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës.

23Varret e saj janë vënë në skaj të gropës dhe hordhitë i ka rreth varrit. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës që kall datën në dheun e të gjallëve.

24Aty është Elami, me turmën rreth varrit të vet. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës. Zbritën në nëntokë me të parrethprerët që kallin datën në dheun e të gjallëve. Mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë.

25Mes të therurve ia vunë shtrojën, me mbarë turmën, me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës. Se i kallën datën tokës së të gjallëve dhe mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë. Mes të therurve janë vendosur.

26Aty është Meshek Tubali dhe tërë turma e tij me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës, se i kallën datën dheut të të gjallëve.

27Nuk prehen me heronjtë ata që ranë prej të parrethprerëve, që zbritën në skëterrë me armët e luftës. Shpatat ua vunë nën kokë dhe ligësinë kishin nëpër eshtra, se i kallën datën dheut të të gjallëve.

28Edhe ti do të prehesh me të parrethprerët, me të rënët prej shpatës.

29Atje është Edomi, mbretërit e tërë princat e tij. Ata prehen me të therurit me shpatë, me të parrethprerët dhe me ata që zbresin në gropë, ndonëse ishin të fuqishëm.

30Atje janë, të turpëruar, mbarë udhëheqësit e veriut e mbarë sidonasit, që zbritën me të therurit, për shkak të tmerrit që shkaktuan me fuqinë e tyre. Prehen me të parrethprerët, me të therurit me shpatë, dhe mbartin turpin e atyre që zbresin në gropë.

31Faraoni do t'i shohë e do të ngushëllohet me tërë këtë turmë, faraoni dhe mbarë ushtria e tij, të therur me shpatë, kumton Zoti im, Zoti,

32se ia kalla datën dheut të të gjallëve. Faraoni me tërë turmën e tij prehet mes të parrethprerëve, me të therurit me shpatë, kumton Zoti im, Zoti».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help