Hebrenjve 7 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Melkisedeku

1Ky Melkisedeku ishte mbret i Salemit dhe prift i të tejlartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi.

2Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje.

Emri Melkisedek do të thotë së pari «mbret i drejtësisë». Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë «mbret i paqes».

3Nuk ia njohim as të atin, as nënën e as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen e as për vdekjen e tij. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

4Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur.

5Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit.

6Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë.

7Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.

8Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton.

9Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën,

10sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij, Abrahamit, kur ky u takua me Melkisedekun.

11Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç'nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit?

12Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.

13Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit.

14Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë.

15Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun,

16i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s'ka fund.

17Sepse dëshmohet se

ti je prift në amshim

sipas urdhrit të Melkisedekut.

18Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm.

19Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.

20Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim.

21Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha:

Zoti u betua

e nuk do të pendohet.

Ti je prift në amshim .

22Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë.

23Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë,

24ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme.

25Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.

26I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt.

27Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim.

28Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help