1Mandej Ezra u largua nga oborri i tempullit, shkoi në dhomën e Johananit, birit të Eliashibit,
2dhe aty bujti. Nuk hëngri bukë e nuk piu ujë, sepse mbante zi për paudhësitë e mëdha të turmës.
3Atëherë u bë një shpallje në Jude e në Jerusalem, se të gjithë të kthyerit nga robëria duhej të mblidheshin në Jerusalem.
4Nëse dikush nuk do të vinte brenda dy apo tri ditësh, sipas vendimit të krerëve të pleqësisë, do t'i merreshin bagëtitë dhe do të përjashtohej prej bashkësisë së të kthyerve nga robëria.
5Burrat e fisit të Judës dhe të Benjaminit u mblodhën brenda tri ditëve në Jerusalem. Ishte dita e njëzetë e muajit të nëntë.
6Mbarë turma u ul në sheshin e tempullit, duke u dridhur për shkak të dimrit.
7Atëherë prifti Ezra u ngrit e u tha: «Ju keni kryer paudhësi, kur jeni martuar me gra të huaja, dhe kështu e keni shtuar mëkatin e Izraelit.
8E tani, përlëvdoni dhe jepini lavdi Zotit, Perëndisë së etërve tuaj.
9Veproni sipas vullnetit të tij dhe ndahuni nga kombet e vendit dhe nga gratë e huaja».
10Mbarë turma thirri e tha me zë të lartë: «Do të bëjmë siç thua ti.
11Por, ka shumë popull, moti është i keq dhe nuk mund të rrimë jashtë. Për më tepër, kjo punë nuk bëhet për një apo dy ditë, sepse jemi shumë që e kemi bërë këtë mëkat.
12Le të qëndrojnë këtu krerët e popullit dhe të gjithë ata që janë martuar me gra të huaja në qytetet tona, të vijnë në një kohë të caktuar
13me pleqtë dhe me gjyqtarët e çdo qyteti, derisa të largohet prej nesh zemërimi i Zotit për shkak të kësaj çështjeje».
14Vetëm Jonatani, biri i Asahelit, dhe Jezia, biri i Tokanit, e kundërshtuan këtë gjë, të përkrahur nga Meshulami, Levi dhe Shabetai.
15Të kthyerit nga robëria vepruan ashtu.
16Prifti Ezra dhe krerët e familjeve u zgjodhën të gjithë me emër dhe u ulën për të shqyrtuar çështjen në hënën e plotë të muajit të dhjetë.
17Në hënën e plotë të muajit të parë zgjidhën rastet e burrave të martuar me gra të huaja.
Të martuarit me të huaja18Ndër priftërinjtë, e martuar me gra të huaja,
19ishin disa nga bijtë e Jozuehut, të birit të Jocadakut, dhe të vëllezërve të tij, Masejahut, Eliezerit, Jaribit dhe Jodanit.
20Ata u zotuan se do t'i dëbonin gratë e tyre dhe do të kushtonin desh si fli mëkati.
21Nga bijtë e Imerit ishin Hanani dhe Zebadjahu;
22nga bijtë e Pashhurit, Eljoenai, Masejahu, Ishmaeli, Natanaeli, Okideli dhe Saltai;
23nga levitët, Jozabadi, Shimei, Kelajahu, që është Kelitai, Petahiahu, Udai dhe Johanai;
24nga këngëtarët, Eliashibi dhe Bakhuri;
25nga derëtarët, Shalumi dhe Telemi.
26Nga izraelitët ishin këta: nga bijtë e Paroshit, Jermai, Jezia, Malkjahu, Mijamini, Eleazari, Hasibiahu dhe Benajahu;
27nga bijtë e Elamit, Matanjahu, Zakaria, Jezrieli, Abdia, Jeremoti dhe Elia;
28nga bijtë e Zamotit, Eliadai, Eliasimi, Otonia, Jeremoti, Sabatai dhe Zerdajahu;
29nga bijtë e Bebait, Johanani, Hananiahu, Zabdoi dhe Ematiu;
30nga bijtë e Manit, Olami, Mamuhoi, Jedajahu, Jashubi, Asaeli dhe Jeremoti;
31nga bijtë e Adit, Natai, Mosiahu, Lakuni, Naidoi, Beskaspasmiu, Sesteli, Balnui dhe Manaseu;
32nga bijtë e Hananit, Eljoenai, Asajahu, Malkjahu, Sabajahu dhe Simon Hosamajahu;
33nga bijtë e Hashumit, Maltanai, Matatia, Sabanai, Elifalati, Manaseu dhe Shimei;
34nga bijtë e Baniut, Jeremia, Momdiu, Maeri, Joeli, Mamdai, Pediahu, Anoi, Karabasioni, Eliashibi, Mamnitanemoi Eliasiu, Baniu, Elialiu, Somei, Selemia dhe Natanjahu; nga bijtë e Ezorit, Sesiu, Ezrili, Azaeli, Shamati, Zambriu dhe Josepi;
35nga bijtë e Nomait, Mazitjahu, Zabadi, Jadai, Joeli dhe Benajahu.
36Të gjithë këta ishin martuar me gra të huaja, por i lanë ato bashkë me fëmijët.
Leximi i ligjit37Priftërinjtë, levitët dhe shumë nga izraelitët u vendosën në Jerusalem dhe në krahinat përreth. Në hënën e plotë të muajit të shtatë, pasi izraelitët kishin hyrë në shtëpitë e tyre,
38mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së shenjtë Lindore
39e i thanë Ezrës, kryepriftit dhe shkruesit, të sillte librin e ligjit të Moisiut, që i ishte dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit.
40Kryeprifti Ezra e solli ligjin para mbarë turmës, para burrave, grave dhe të gjithë priftërinjve, që ta dëgjonin në hënën e plotë të muajit të shtatë.
41E lexoi me zë në sheshin para portës së shenjtë, nga mëngjesi deri në mesditë, para burrave e grave. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit.
42Prifti dhe shkruesi i ligjit Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë,
43ndërsa përbri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Azarjahu, Uriahu, Ezekia dhe Balsami, në krahun e djathtë,
44ndërsa në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Lotasubi, Nabariahu dhe Zakaria.
45Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, sepse ishte më lart se tërë populli.
46Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Perëndinë e tejlartë, Perëndinë e ushtrive, të gjithëpushtetshmin,
47ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para Zotit.
48Jozuehu, Aniuti, Sherebiahu, Jadini, Jakubi, Shabetai, Autajahu, Majanahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, i mësonin popullit ligjin e Zotit, ua lexonin dhe i ndihmonin që ta kuptonin.
49Atarati i tha Ezrës, kryepriftit dhe shkruesit, si dhe levitëve, të cilët e mësonin popullin:
50«Kjo ditë i kushtohet Zotit». Të gjithë qanin teksa dëgjonin fjalët e ligjit.
51«Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë,
52se kjo ditë është e shenjtë për Zotin. Mos u mërzitni, sepse Zoti do t'ju japë lavdi».
53Kështu levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni».
54Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dëfryer e për t'u dhënë një pjesë atyre që nuk kishin e për të gëzuar shumë,
55sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë. Të gjithë u mblodhën bashkë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.