2 Kronikave 15 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Qortimet e Azarjahut

1Shpirti i Perëndisë erdhi mbi Azarjahun, birin e Odedit.

2Ai i doli përpara Asait e i tha: «Dëgjomë, o Asa e mbarë ti, o Judë dhe Benjamin! Zoti është me ty kur edhe ti je me të. Nëse e kërkoni, do ta gjeni, por, nëse e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë.

3Për shumë kohë izraelitët mbetën pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj, që t'i mësonin, dhe pa ligjin.

4Por kur u kthyen te Zoti, Perëndia i Izraelit, për shkak të fatkeqësive dhe e kërkuan, ai iu gjend.

5Në atë kohë nuk kishte paqe për ata që udhëtonin, sepse kishte shumë trazira mes banorëve të vendit.

6Një komb ngrihej kundër një kombi tjetër e një qytet sulmonte qytetin tjetër, sepse Perëndia i godiste me fatkeqësi të ndryshme.

7Por tani, jini të fortë e mos t'ju këputen krahët, sepse vepra juaj do të shpërblehet».

8Kur Asai i dëgjoi këto fjalë e këtë profeci të profetit Oded, mori forcë dhe i hoqi idhujt e neveritshëm nga gjithë vendi i Judës dhe i Benjaminit, si edhe nga qytetet që kishte pushtuar në malësinë e Efraimit. Ai ndreqi edhe altarin e Zotit që ndodhej përpara portikut të Zotit.

9Mandej Asai mblodhi bashkë të gjithë Judën dhe Benjaminin, si edhe të gjithë ata nga fiset e Efraimit, Manaseut dhe Simeonit, që ishin bashkuar me të, sepse shumë banorë të Izraelit ishin bashkuar me Asain, kur kishin parë se Zoti, Perëndia i tij, ishte me të.

10Ata u mblodhën në Jerusalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Asait.

11Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë së luftës, që kishin marrë me vete, shtatëqind dema dhe shtatë mijë dele.

12Bënë edhe një besëlidhje për ta kërkuar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër e me gjithë shpirt.

13Kushdo që nuk do t'i shërbente Zotit, Perëndisë së Izraelit, i madh a i vogël, burrë a grua, do të vritej.

14Mandej u betuan para Zotit me zë të lartë, me brohoritje gazmore dhe me tinguj borish e brirësh.

15I gjithë populli i Judës u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër, e kishin kërkuar Zotin me gjithë forcat e tyre dhe e kishin gjetur e Zoti u kishte dhënë paqe nga të gjitha anët.

16Asai ia hoqi të ëmës, Makës, vendin e nënës mbretëreshë, për shkak se ajo kishte bërë një shtyllë të Asherasë së pështirë. Ai e copëtoi idhullin, e thërrmoi dhe e dogji në luginën e Kidronit.

17Por faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan në Izrael, ndonëse zemra e Asait mbeti gjithmonë e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit.

18Asai solli në tempullin e Perëndisë sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga ai vetë.

19Deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërimit të Asait nuk pati luftë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help