Siraku 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Shoqëritë

1Kush prek ziftin, ndotet,

kush shoqërohet me krenarin, bëhet si ai.

2Mos ngri pesha që s'i mban dot,

mos rri me njerëz më të fortë e më të pasur se ti.

Si mund të shoqërohet poçja me kusinë?

Kusia e godet e poçja thyhet.

3I pasuri bën padrejtësi e hakërrehet.

Të varfrit i bëhet padrejtësi

e i duhet të kërkojë falje.

4Kur i duhesh, i pasuri të përdor,

në nevojë, të braktis.

5Po të kesh, jeton me ty,

të zhvat pa keqardhje.

6Kur ta ka nevojën, të mashtron,

të buzëqesh e të mban me shpresa,

të flet ëmbël e të pyet:

«Për çfarë ke nevojë?».

7Të fton në gosti e pastaj të turpëron,

mandej të zhvat dyfish a trefish

e në fund tallet me ty.

Kur të sheh më pas, të shmang

e shkon duke tundur kokën.

8Kujdes se mos mashtrohesh

e poshtërohesh nga mendjelehtësia.

9Kur të fton një i pushtetshëm, shmangu,

se pastaj të fton prapë.

10Mos u turr, se të kthejnë pas,

mos rri larg, se të harrojnë.

11Mos i fol si i barabartë,

mos ia beso fjalët e shumta,

se me fjalë të shumta të vë në provë

e të heton buzagaz.

12Kush nuk mban gojën është i pamëshirshëm,

nuk t'i kursen as ndëshkimet, as burgun.

13Ruhu e bëj kujdes,

sepse po ecën drejt rrënimit.

14[Kur të dëgjosh këto fjalë në gjumë, zgjohu,

duaje Zotin për gjithë jetën

dhe atij kërkoi ndihmë për shpëtim.]

15Çdo kafshë e do llojin e vet

e çdo njeri të afërtin e tij.

16Çdo gjallesë çiftohet me llojin e vet,

njeriu bashkohet me njeriun.

17Çfarë ka të përbashkët ujku me qengjin?

Kështu edhe mëkatari me besimtarin.

18Si mund ta lërë në paqe hiena qenin?

Si mund ta lërë në paqe i pasuri të varfrin?

19Gomari i egër është preja e luanit,

të varfrit haja e të pasurve.

20Përulësia është neveri për krenarin,

i varfri neveri për të pasurin.

21Kur i pasuri lëkundet, e mbështetin miqtë,

kur i varfri bie, edhe miqtë i japin të shtyrën.

22Kur i pasuri gabon, shumë vetë e ndihmojnë,

flet marrëzira, por e shfajësojnë.

Kur i varfri gabon, e shajnë,

flet me mençuri, por nuk i japin rëndësi.

23Flet i pasuri e të gjithë heshtin,

ia ngrenë fjalën gjer në re.

Flet i varfri e thonë: «Kush është ky?».

Po të pengohet i japin teposhtën.

24Pasuria është e mirë kur nuk është mëkat,

vetëm për të pafetë varfëria është e keqe.

25Zemra ia ndryshon njeriut pamjen,

për mirë a për keq.

26Zemra e mirë shihet te fytyra e qeshur,

duhet ta lodhësh mendjen për të gjetur shëmbëlltyra.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help