Numrat 30 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1 Moisiu u tha izraelitëve gjithçka që i kishte urdhëruar Zoti.

Rregullat për zotimet

2Atëherë Moisiu u tha prijësve të fiseve të izraelit: «Ja çfarë urdhëron Zoti:

3kushdo që i zotohet Zotit ose betohet që të përmbushë ndonjë kusht, të mos e shkelë fjalën e dhënë, por ta çojë atë në vend.

4Kur një grua i zotohet Zotit ose bën ndonjë kusht ndërkohë që është e re dhe jeton në shtëpinë e të atit,

5nëse i ati dëgjon për zotimin dhe kushtin e saj e nuk i bën zë, atëherë të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme.

6Por nëse e ndalon kur dëgjon për to, zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të pavlefshme dhe Zoti do ta falë, sepse i ati e ndaloi.

7Kur martohet pasi është zotuar apo pasi ka bërë ndonjë kusht me mendjelehtësi,

8nëse i shoqi dëgjon për to e nuk i bën zë, atëherë zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme.

9Por nëse ai e ndalon kur dëgjon për to, atëherë ai do të zhbëjë zotimin dhe kushtin e bërë me mendjelehtësi prej saj dhe Zoti do ta falë.

10Ndërsa të gjitha zotimet, të gjitha kushtet e bëra nga një vejushë apo nga një e ndarë do të jenë të vlefshme.

11Kur ajo është në shtëpinë e të shoqit dhe zotohet e betohet për të përmbushur ndonjë kusht,

12nëse i shoqi dëgjon për to, por nuk i bën zë dhe nuk e ndalon, atëherë të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme.

13Nëse i shoqi i zhbën kur dëgjon për to, atëherë gjithçka për të cilat ajo u zotua e bëri kusht nuk do të jenë të vlefshme. I shoqi i ka zhbërë dhe Zoti do ta falë.

14I shoqi ka të drejtë të pranojë apo zhbëjë çdo zotim ose kusht që ajo bën për të përulur veten.

15Nëse i shoqi nuk i bën zë brenda ditës, atëherë ai i ka pranuar të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj. Ato do të jenë të vlefshme, sepse ai nuk i bëri zë ditën kur dëgjoi për to.

16Nëse i zhbën më vonë, ai do të jetë fajtor në vend të saj».

17Këto janë rregullat që Zoti i urdhëroi Moisiut në lidhje me burrin e gruan, atin e të bijën, kur ajo është e re dhe jeton ende në shtëpinë e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help