2 Makabenjve 12 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Fitore të tjera të Makabeut

1Kur u kryen këto marrëveshje, Lisia u kthye te mbreti, kurse judenjtë iu kthyen bujqësisë.

2Mirëpo disa kryeushtarakë të krahinave përreth, Timoteu e Apolloni i Geneut, Jeronimi e Demofoni, bashkë me Nikanorin, qeveritarin e Qipros, nuk i linin të jetonin të qetë e në paqe.

3Banorët e Jopës bënë këtë pabesi të madhe: judenjtë që banonin mes tyre, bashkë me gratë e fëmijët, i ftuan si pa të keq të hipnin në lundrat që kishin ndërtuar ata.

4Kjo ftesë u bë me vendim të gjithë qytetit. Kur judenjtë pranuan, se dëshironin të jetonin paqësisht me jopasit dhe nuk kishin asnjë dyshim ndaj tyre, jopasit fundosën në ujë jo më pak se dyqind vetë.

5Juda dëgjoi ç'u kishte ndodhur bashkëkombësve të vet, u dha urdhra burrave të tij,

6i thirri Perëndisë, gjykatësit të drejtë, u lëshua mbi vrasësit e vëllezërve të vet, i vuri flakën portit natën, dogji varkat e theri me shpatë të strehuarit aty.

7Meqenëse qyteti ishte mbyllur, u tërhoq, me qëllimin që të vinte një herë tjetër, për ta zhbirë qytetin e Jopës.

8Mirëpo, kur mori vesh se edhe qyteti i Jamnisë po mendonte t'u bënte të njëjtën gjë judenjve që banonin atje,

9i sulmoi jamnitët natën, i vuri flakën portit me gjithë anije, aq sa drita e flakës dukej deri në Jerusalem, dyzet e pesë kilometra larg.

10Pasi u larguan rreth dy kilometra nga Jamnia, duke mësyrë Timoteun, i sulmoi një ushtri arabësh me jo më pak se pesë mijë këmbësorë dhe pesëqind kalorës.

11Pas një beteje të egër, Juda dhe të vetët fituan me ndihmën e Perëndisë dhe i mundën endacakët. Këta i kërkuan Judës të lidhnin miqësi dhe u zotuan t'i jepnin bagëti e ta ndihmonin popullin e tij në gjithçka.

12Juda mendoi se këta njerëz mund të ishin të dobishëm dikur, prandaj vendosi të bënte paqe me ta. Si shtrënguan duart e djathta, u kthyen në tendat e veta.

13Juda sulmoi edhe njëfarë qyteti të fortifikuar, të rrethuar me mure e të banuar nga kombe të ndryshme. Ai quhej Kaspin.

14Banorët që ndodheshin brenda, të mbështetur te fuqia e mureve dhe gjendja e ushqimeve, lëshonin fyerje ndaj njerëzve të Judës, shanin e thoshin fjalë poshtëruese.

15Mirëpo Juda dhe njerëzit e tij i thirrën sundimtarit të madh të botës, atij që, pa desh e pa mjete lufte, e rrënoi Jerikonë në kohën e Jozuehut. Pastaj u vërsulën egërsisht mbi mur.

16E pushtuan qytetin me vullnetin e Perëndisë dhe bënë një therori aq të madhe, sa një liqen aty pranë, katërqind metra i gjerë, dukej i mbushur me gjak.

17Pasi u larguan njëqind e dyzet kilometra prej aty, mbërritën në Haraka, tek ata që quhen judenj tubianë.

18Timoteun nuk e gjetën atje, se i kishte lënë ato vende pa kryer punë, por kishte lënë një ushtri shumë të fortë në njëfarë vendi.

19Dositeu e Sosipatri, prijës të ushtrisë së Makabeut, shkuan e vranë ushtarët që kishte lënë Timoteu, më shumë se dhjetë mijë burra.

20Makabeu e ndau ushtrinë në grupe, vendosi prijës në krye të çdonjërit e u lëshua drejt Timoteut, i cili kishte me vete njëqind e njëzet mijë këmbësorë dhe dy mijë e pesëqind kalorës.

21Kur Timoteu mori vesh se po vinte Juda, dërgoi gratë, fëmijët e pajisjet në vendin e quajtur Karnion, që ishte i vështirë për t'u rrethuar dhe i vështirë për t'u arritur, pasi për në atë vend shkohej duke kaluar mes qafave të ngushta.

22Sapo u duk grupi i parë i udhëhequr nga Juda, armiqtë i zuri frika e tmerri, se iu shfaq ai që shikon gjithçka. Ikën në të gjitha drejtimet me aq vrap, saqë u plagosën shpesh nga shokët e vet dhe me majat e shpatave të veta.

23Juda shkoi pas tyre me vrull të madh e vrau rreth tridhjetë mijë burra.

24Vetë Timoteu ra në duart e Dositeut, të Sosipatrit e të njerëzve të tyre. Ai i joshi me dredhi të madhe ta linin të ikte pa u dëmtuar, pasi kishte robër shumë nga prindërit e vëllezërit e tyre dhe këta do të ishin në rrezik, po t'i ndodhte gjë atij.

25Pasi u bindën me premtimet e zotimet që u dha, e lanë të lirë, që të shpëtonin vëllezërit e tyre.

26Më pas Juda shkoi në Karnion e në Atergation dhe vrau njëzet e pesë mijë njerëz.

27Pas kësaj ndjekjeje dhe këtyre vrasjeve, Juda u kthye nga qyteti i fortifikuar i Efronit, ku ndodhej Lisia bashkë me njerëz nga kombe të ndryshme. Djelmosha të bëshëm luftonin fort para mureve, kurse pas mureve ishin vendosur mjete luftarake e shigjeta.

28I thirrën të fuqishmit, atij që me pushtet thyen forcat e kundërshtarëve, morën në dorë qytetin dhe vranë njëzet e pesë mijë vetë.

29U larguan prej aty e u lëshuan mbi qytetin e skitëve, njëqind e dhjetë kilometra larg Jerusalemit.

30Mirëpo, kur judenjtë që banonin atje dëshmuan se qytetarët e Skitopojës ishin sjellë bujarisht me ta dhe i kishin ndihmuar në kohë fatkeqësie,

31Juda me të vetët i falënderuan e i nxitën që edhe në të ardhmen të silleshin me dashamirësi ndaj judenjve. Pastaj u kthyen në Jerusalem, se po afrohej festa e Javëve.

32Pas festës së Rrëshajëve u sulën kundër Gorgias, kryeushtarakut të Idumesë.

33Gorgia doli të ndeshej i mbështetur nga tre mijë këmbësorë dhe katërqind kalorës.

34Ushtritë u përplasën, por prej judenjve u vranë pak vetë.

35Dositeu, njëri nga ushtarët e Bakenorit, kalorës fort i fuqishëm, e kapi Gorgian nga guna dhe e tërhoqi fort, se donte ta kapte të gjallë, mirëpo një kalorës trakas e sulmoi e i preu krahun. Atëherë Gorgia iku në Marisë.

36Burrat e Esdrit kishin kohë që luftonin e ishin lodhur. Atëherë Juda i thirri Zotit t'i përkrahte e të udhëhiqte ushtrinë në luftë.

37Ai këndoi himne me zë të lartë në gjuhën e të parëve, u lëshua duke klithur në sulm të beftë kundër Gorgias dhe e detyroi ushtrinë e tij të merrte arratinë.

38Juda mblodhi ushtrinë dhe u nis për në Odolam. Meqenëse po vinte fundi i javës, u pastruan, sipas traditës, dhe mbajtën të shtunën.

39Të nesërmen, meqë kishte ardhur koha, njerëzit e Judës shkuan për të marrë trupat e të rënëve, që t'i varrosnin bashkë me fisin e vet në varret e etërve të tyre.

40Poshtë petkave të të vrarëve gjetën hajmalitë e idhujve të Jamnisë, që ligji ua ndalon judenjve. Atëherë të gjithë e patën të qartë pse kishin rënë ata ushtarë.

41Të gjithë bashkë lavdëruan Zotin, gjykatësin e drejtë, që zbulon të fshehtat,

42dhe iu lutën t'i pastronte krejtësisht prej mëkatit të kryer. Trimi Judë iu lut popullit të ruhej nga mëkati, pasi panë vetë me sytë e tyre se ç'u kishte ndodhur atyre që kishin rënë në mëkat.

43Pastaj mblodhi nga çdonjëri prej burrave dy mijë drahma argjendi e i dërgoi në Jerusalem që të kushtohej një fli për pastrimin e mëkatit. Ky ishte veprim i mirë e i nderuar, se mbante parasysh ngjalljen e të vdekurve.

44Po të mos besonte në ngjalljen e të rënëve, do të kishte qenë e kotë e pa vend të lutej për të vdekurit.

45Veç kësaj, ai kishte mendimim e shenjtë e të përshpirtshëm, se ata që vdisnin me besim te Perëndia i priste një shpërblim i mrekullueshëm. Prandaj kushtoi fli për pastrimin e mëkateve të të vdekurve.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help