1Judë Makabeu dhe shoqëruesit e tij hynë fshehtas nëpër fshatra, thirrën të afërmit, mblodhën ata që kishin qëndruar në judaizëm dhe u bënë rreth gjashtë mijë vetë.
2Iu lutën Zotit të hidhte sytë mbi popullin e shtypur dhe të kishte mëshirë për tempullin që ndotej nga njerëz të pafe,
3të kishte mëshirë për qytetin e rrënuar që do të rrafshohej së shpejti dhe të dëgjonte gjakun që thërriste drejt tij,
4të kujtonte edhe vrasjen e foshnjave të pafajshme, fyerjet kundër emrit të tij dhe urrejtjen ndaj ligësisë.
5Kur Makabeu mblodhi ushtrinë, u bë i pathyeshëm nga kombet, sepse zemërimi i Zotit ishte kthyer në mëshirë.
6Hynte befas në qytete e fshatra dhe i digjte. Zinte vendet më të përshtatshme dhe u jepte arratinë armiqve jo të paktë.
7Për këto sulme zgjidhte kryesisht natën. Trimëria e tij bëri bujë kudo.
8Kur Filipi vuri re përparimin hap pas hapi të Makabeut dhe se fitoret po i shtoheshin, i shkroi letër Ptolemeut, kryeushtarakut të Sirisë së Madhe e Fenikës, dhe i kërkoi ndihmë për të mbrojtur çështjen e mbretit.
9Ptolemeu caktoi menjëherë Nikanorin, të birin e Patroklit, njërin nga miqtë e afërt të mbretit, dhe e dërgoi në krye të jo më pak se njëzet mijë burrave nga kombe të ndryshme, që t'ia shuante farën Judesë. Bashkë me të dërgoi edhe Gorgian, kryeushtarak trim dhe me përvojë në punët e luftës.
10Nikanori vendosi ta paguante taksën e mbretit ndaj Romës, pesëdhjetë e katër tonë argjend, duke shitur skllevër judenjtë e zënë robër.
11Ai dërgoi menjëherë njerëz në qytetet bregdetare për t'i ftuar tregtarët të blinin judenj. U premtoi nëntëdhjetë skllevër për njëzet e shtatë kilogramë argjend, pa menduar se gjykimi i të gjithëpushtetshmit do të binte mbi të.
12Juda mori vesh për mësymjen e Nikanorit e u çoi fjalë mbështetësve të tij se kishte ardhur ushtria.
13Disa frikacakë, që nuk besonin te drejtësia e Perëndisë, ikën e u larguan.
14Të tjerët shitën gjithçka kishin dhe i luteshin Zotit t'i shpëtonte nga Nikanori i pafe, i cili i kishte shitur që para se të ndesheshin.
15Edhe sikur të mos e bënte për hir të tyre, le t'i shpëtonte në emër të besës që kishte lidhur me etërit e tyre e për nder të emrit madhështor që thirrej mbi ta.
16Makabeu mblodhi gjashtë mijë vetë e u kërkoi të mos trembeshin nga armiku, as të mos frikësoheshin nga numri i madh i kombeve që padrejtësisht po vinin kundër tyre, por të luftonin trimërisht,
17e të mbanin parasysh dhunimin e paligjshëm që kishin bërë kombet në vendin e shenjtë, mundimin e qytetit të qesëndisur dhe përmbysjen e traditave të të parëve.
18U thoshte: «Ata besojnë tek armët dhe te guximi, ndërsa ne i besojmë Perëndisë së gjithëpushtetshëm, i cili me një lëvizje mund të mposhtë ata që dalin kundër nesh dhe gjithë botën».
19Po ashtu, u kujtoi edhe çfarë u kishte ndodhur paraardhësve të tyre, në kohën e Sankeribit, kur u shpartalluan tetëdhjetë e pesë mijë armiq,
20si dhe betejën kundër galatasve në Babiloni, kur tetë mijë judenj luftuan bashkë me katër mijë maqedonas, por, kur maqedonasit u gjetën ngushtë, këta tetë mijë vetë, me ndihmën që u erdhi nga qielli, shpartalluan njëqind e njëzet mijë vetë dhe morën plaçkë të madhe lufte.
Shpartallimi i Nikanorit21Me këto fjalë u dha zemër e i bëri të gatshëm të vdisnin për ligjin e për atdheun. Pastaj e ndau ushtrinë në katër pjesë.
22Secili vëlla i printe një njësiti. Pra, Simonin, Jozefin e Jonatanin i vuri secilin në krye të një mijë e pesëqind ushtarëve,
23kurse Eleazarin e caktoi të lexonte librin e shenjtë. Pastaj dha kushtrimin: «Na ndihtë Perëndia!». Dhe u hodh i pari në sulm kundër Nikanorit.
24Me ndihmën e të gjithëpushtetshmit vranë më shumë se nëntë mijë armiq, plagosën e gjymtuan shumicën e ushtrisë së Nikanorit dhe i detyruan të tërhiqeshin.
25Morën paratë e atyre që kishin paguar për blerjen e skllevërve, e ndoqën armikun deri larg, pastaj u kthyen, se ishte bërë vonë.
26Të nesërmen ishte e shtunë, prandaj nuk i ndoqën më tej.
27Pasi morën armët e plaçkën që kishte lënë armiku, filluan ta festonin me gëzim të shtunën dhe bekuan e lavdëruan Zotin që i kishte shpëtuar atë ditë dhe e kishte caktuar si fillimin e mëshirës për ta.
28Pas së shtunës, një pjesë të plaçkës ua dhanë të munduarve, vejushave e jetimëve, kurse pjesën tjetër e ndanë mes vetes e bijve të vet.
29Pasi kryen këto, u lutën së bashku e i kërkuan Zotit të mëshirshëm pajtimin e plotë me shërbëtorët e tij.
Fitorja kundër Timoteut dhe Bakidit30Luftuan edhe kundër Timoteut e Bakidit, vranë më shumë se njëzet mijë prej tyre, pushtuan pa mundim fortesa me mure të larta, ndanë plaçkën e madhe të luftës në pjesë të barabarta për vete, për të munduarit, për jetimët, për të vejat e për pleqtë.
31I mblodhën armët e armikut dhe vunë gjithçka me kujdes në vende të përshtatshme, ndërsa pjesën tjetër të plaçkës e çuan në Jerusalem.
32Vranë prijësin e ushtarëve të Timoteut, njeriun e pashpirt, që i kishte munduar shumë judenjtë.
33Kur po kremtonin fitoren në atdheun e etërve të tyre, dogjën të gjallë ata që kishin djegur portat e shenjta dhe Kalistenin, i cili ishte fshehur në një shtëpizë. Kështu mori shpërblimin që kishte merituar me përdhosjen e vet.
34Mjerani Nikanor, që kishte sjellë një mijë tregtarë për të blerë judenjtë,
35u poshtërua me ndihmën e Perëndisë nga ata që kishte përçmuar, zhveshi petkun e lavdisë, u end nëpër vend e në shkretëtirë derisa mbërriti në Antioki, i vetëm dhe me fat që kishte mbetur gjallë kur tërë ushtria e tij ishte shpartalluar.
36Ai që u kishte premtuar romakëve se do t'u paguante tagrat me shitjen e robërve të Jerusalemit, shpallte se judenjtë kishin një mbrojtës, prandaj edhe ishin të paprekshëm, sepse ndiqnin ligjet e caktuara prej tij.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.