Siraku 31 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Pasuritë

1Kujdesi për pasuri dëmton trupin,

shqetësimi për të prish gjumin.

2Pagjumësia nga vramendja heq dremitjen,

sëmundja e rëndë prish gjumin.

3I pasuri mundohet për të mbledhur pasuri,

pushon e ngopet me kënaqësi.

4Skamnori mundohet se s'i del jetesa,

pushon e bëhet nevojtar.

5Kush do arin nuk shfajësohet,

kush ndjek paranë prej saj mashtrohet.

6Shumë janë bërë kufomë nga ari,

u ka dalë para rrënimi.

7Është kurth për ngashëryesit e vet,

në të bie çdo i marrë.

8Lum i pasuri që gjendet pa faj

e që nuk rend pas arit.

9Kush është ai? Le ta përgëzojmë,

se bën mrekulli mes popullit të vet.

10Kush sprovohet me të e mbetet i përkryer?

Ai ka me çka krenohet.

Kush mund të bëjë lëshime e nuk i bën,

të bëjë keq e nuk e bën?

11Begatia e tij është e qëndrueshme,

bamirësitë e tij i tregon bashkësia.

Gostitë

12Je ulur në tryezën e të mëdhenjve?

Mos u bëj grykës,

mos thuaj: «Sa shumë!».

13Kujtohu se syri lakmitar është i keq.

Çfarë është krijuar dhe është më keq se syri?

Prandaj derdh lot në çdo faqe.

14Mos e zgjat dorën te çdo gjë që sheh

e mos e fut në të njëjtën pjatë.

15Diktoje të afërtin si veten

e mendohu për çdo veprim.

16Çfarë të kanë shtruar, haje si njeri

e mos u mbllaçit, që të mos përbuzesh.

17Përfundo i pari, për hir të mirësjelljes,

mos u babëzit, që të mos fyhesh.

18Nëse je ulur mes shumë të tjerëve,

mos e zgjat dorën para tyre.

19Njeriut të sjellshëm i mjafton pak,

ai bie në shtrat e nuk dihat.

20Kush ha me masë bën gjumë të shëndetshëm,

zgjohet herët e ndihet i gjallë.

Mundi i pagjumësisë, pështjellimi

e përzierja e zënë grykësin.

21Po të hash me zor, çohu,

vill larg e pusho.

22Dëgjomë, o bir, e mos më shpërfill,

se në fund të del fjala ime.

Tregohu i përkorë në çdo veprim

e nuk do të të zërë asnjë lëngatë.

23Buzët e bekojnë bujtësin bujar,

dëshmia për mirësinë e tij është e besueshme.

24Kopracin për bukë qyteti e shan,

dëshmia për ligësinë e tij është e përpiktë.

25Mos bëj burrëri me verën,

se shumë vetë ka rrënuar ajo.

26Furra sprovon çelikun e kalitur,

edhe vera zemrat e grindavecëve mendjemëdhenj.

27Vera është si jeta për njerëzit,

nëse pihet me masë.

Çfarë është jeta pa verë?

Ajo u krijua për të gazmuar njerëzit.

28Gëzon zemrën e kënaq shpirtin

vera e pirë me masë, kur duhet.

29Vera me tepri është hidhërim për shpirtin,

dalldisje e marrje këmbësh.

30Dehja ia shton zemërimin të pamendit

e i bën dëm,

ia pakëson fuqinë e i shton plagët.

31Mos e qorto të afërtin me verën shtruar,

mos e përçmo pse është gëzuar,

mos i thuaj fjalë fyese

e mos e mërzit me kërkesa.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help