1Kur Dhimitri mori vesh se Nikanori e ushtria e tij humbën betejën, dërgoi Bakidin e Alkimin për herë të dytë në tokën e Judesë bashkë me krahun e djathtë të ushtrisë.
2Ata u nisën për në Gilgal e fushuan në Mesalot, në Arbela. E pushtuan e vranë shumë vetë.
3Muajin e parë të vitit njëqind e pesëdhjetë e dy fushuan kundër Jerusalemit.
4Pastaj u larguan e shkuan në Berea me njëzet mijë burra e dy mijë kuaj.
5Juda kishte fushuar në Elasë me tre mijë burra të zgjedhur.
6Kur panë sa e madhe ishte hordhia e ushtrisë, u trembën fort. Shumë vetë u larguan nga fushimi e mbetën jo më shumë se tetëqind burra.
7Juda pa se ushtria u largua dhe se beteja ishte afër e iu mek zemra, se nuk kishte kohë t'i mblidhte.
8I rraskapitur, u tha atyre që kishin mbetur: «Të ngrihemi e t'i sulemi armikut, se ndoshta kemi fuqi për të luftuar kundër tyre».
9Por ata e ndalën e i thanë: «Nuk kemi fuqi. Më mirë të shpëtojmë jetën tonë tani, të kthehemi bashkë me vëllezërit e pastaj të luftojmë. Kemi mbetur pak».
10Por Juda tha: «Mos ndodhtë një gjë e tillë, që të ikim prej tyre! Nëse ka ardhur koha jonë, le të vdesim si burra edhe për vëllezërit tanë e të mos i vëmë njollë lavdisë sonë».
11Ushtria e Bakidit doli nga fushimi e zuri vend për t'u ndeshur me ta. Kalorësia u nda në dy pjesë. Ata që gjuanin me hobe dhe harkëtarët i prinin ushtrisë. Në ballë të luftës ishin të fuqishmit, kurse Bakidi ndenji në krahun e djathtë.
12Me të rënë boritë, rreshtimi u afrua nga të dyja anët. Edhe nga ana e Judës u ranë borive.
13Toka u trondit nga zhurma e ushtrive e beteja zgjati nga mëngjesi në mbrëmje.
14Juda pa se Bakidi dhe pjesa më e fuqishme e ushtrisë ndodhej në të djathtë. Atëherë shkuan me të burrat më guximtarë,
15shpartalluan krahun e djathtë dhe e ndoqën deri në malin Azot.
16Kur ata të anës së majtë panë se ana e djathtë u shpartallua, u kthyen pas Judës, në gjurmët e tij dhe të atyre që ishin me të.
17Beteja u bë më e ashpër e mbetën shumë të vrarë nga të dyja palët.
18Edhe Juda ra e të tjerët morën arratinë.
19Jonatani e Simoni e morën Judën, vëllanë e tyre, dhe e varrosën në varrin e etërve të tij në Modein.
20Mbarë Izraeli e vajtoi. Mbajtën zi të madhe dhe vajtuan për shumë ditë e thanë:
21«Si ra i fuqishmi që shpëtoi Izraelin?».
22Veprat e tjera, luftrat, trimëritë e madhështia e Judës nuk u shkruan, se qenë të shumta.
Jonatani i zë vendin Judës23Pas vdekjes së Judës gjithë të paudhët u shfaqën nga të gjitha anët e Izraelit. Të gjithë ata që kishin vepruar padrejtësisht u ringritën.
24Gjatë atyre ditëve ra një zi e madhe buke, prandaj vendi kaloi në anën e tyre.
25Bakidi zgjodhi burra të pafe e i caktoi sundues të vendit.
26Bënë kërkime e gjetën miqtë e Judës. I nxorën përpara Bakidit dhe ky u hakmor mbi ta e i poshtëroi.
27Në Izrael ndodhën fatkeqësi të mëdha, që nuk kishin ndodhur prej kohës kur nuk kishin dalë më profetë ndër ta.
28Miqtë e Judës u mblodhën të gjithë e i thanë Jonatanit:
29«Që prej vdekjes së vëllait tënd, Judës, nuk u ngrit asnjë burrë i ngjashëm me të që të dilte kundër armiqve, Bakidit e kundërshtarëve të kombit tonë.
30Prandaj sot po të zgjedhim ty për të zënë vendin e tij si kryetar e prijës në luftën tonë».
31Jonatani e pranoi kryesimin në atë kohë e zuri vendin e Judës, të vëllait.
32Kur Bakidi e mori vesh këtë, u përpoq ta vriste.
33Por Jonatani, vëllai i tij, Simoni, e gjithë sa ishin me të e morën vesh, u larguan për në shkretëtirën e Tekoasë e fushuan pranë sternës me ujë në Asfar.
34Bakidi e mori vesh këtë ditën e shtunë dhe kapërceu Jordanin me gjithë ushtrinë.
35Jonatani dërgoi të vëllanë si prijës të turmës, që t'u luteshin nabatenjve, miqve të tij, t'u ruanin pajistjet e shumta që kishin me vete.
36Por bijtë e Jambrit dolën nga Medeba dhe kapën Johananin me gjithë ç'kishte e ikën të ngarkuar.
37Pas këtyre ngjarjeve i sollën Jonatanit e Simonit, të vëllait, këtë njoftim: «Bijtë e Jambrit po bëjnë dasmë të madhe e po çojnë nuse në Nadabat me një shpurë të madhe. Ajo është bija e njërit prej fisnikëve të Kanaanit».
38Atëherë ata kujtuan gjakun e Johananit, vëllait të tyre, prandaj u ngjitën e u fshehën nën mburojën e malit.
39Ngritën sytë dhe, ja, panë një shpurë me pajë të madhe. Dhëndri kishte dalë bashkë me miqtë e vëllezërit për t'i pritur me tamburë, me muzikë e me shumë armë.
40Atëherë dolën nga prita e i vranë. Shumë vetë u plagosën e ranë, ndërsa të tjerët morën malin. Izraelitët morën gjithë plaçkën e tyre.
41Kështu dasma u kthye në zi e tingulli i muzikës së tyre në vaj.
42Pasi morën hak për gjakun e vëllait të tyre, u kthyen në moçalin e Jordanit.
Kalimi i Jordanit43Bakidi e mori vesh, erdhi ditën e shtunë pranë brigjeve të Jordanit me ushtri të madhe.
44Jonatani u tha atyre që ishin me të: «Të çohemi e të luftojmë për të shpëtuar jetën tonë, se sot nuk është njësoj si më parë.
45Se, ja, betejën e kemi përballë e pas shpine. Nga të dyja anët ujin e Jordanit, moçalin e pyllin. Nuk kemi nga të sillemi.
46Tani lëshojeni britmën drejt qiellit, që të shpëtojmë nga duart e armiqve».
47Atëherë filloi beteja. Jonatani shtriu krahun, që të godiste Bakidin, por ky e shmangu e u tërhoq pas.
48Jonatani me të vetët u hodhën në Jordan e notuan deri në bregun tjetër, ndërsa armiku nuk kapërceu matanë. Të tjerët nuk e kaluan Jordanin.
49Atë ditë ranë rreth një mijë burra të Bakidit.
50Bakidi u kthye në Jerusalem e ndërtoi qytete të fortifikuara në Jude, fortesën në Jeriko, në Emaus, në Bet Horon, në Betel, në Timnat, në Paraton e në Tefon, me mure të larta, me porta e me shula.
51Vuri edhe roje në to, për të ngucur Izraelin.
52Ai fortifikoi edhe qytetin e Betcurit, Gazarën e fortesën dhe vendosi në to ushtarë e ushqime.
53Bijtë e prijësve të vendit i mori peng e i burgosi në fortesën e Jerusalemit.
54Në vitin njëqind e pesëdhjetë e tre, në muajin e dytë, Alkimi urdhëroi të shembej muri i oborrit të brendshëm të shenjtërores. Ai shembi veprat e profetëve. Filloi të shembte,
55por në atë kohë Alkimi pësoi një goditje e punët iu penguan. Iu mbyll goja, u paralizua, e nuk nxirrte dot asnjë fjalë, as për të dhënë urdhra në shtëpinë e vet.
56Alkimi vuajti shumë në atë kohë e vdiq.
57Bakidi pa se Alkimi vdiq dhe u kthye tek mbreti. Dheu i Judesë ra në qetësi për dy vjet.
58Të gjithë të paudhët u mblodhën e thanë: «Ja, Jonatani e njerëzit e tij jetojnë të qetë e të sigurt. Le të kthejmë Bakidin e t'i kapë të gjithë brenda natës».
59Atëherë shkuan e kuvenduan me të.
60Ai u nis të vinte me ushtri të madhe e u dërgoi letra fshehurazi përkrahësve të tij në Jude, ku u kërkonte të kapnin Jonatanin e njerëzit e tij, por nuk mundën, se iu mor vesh synimi.
61Njerëzit e Jonatanit kapën rreth pesëdhjetë burra, drejtues të këtyre ligësive, e i vranë.
62Jonatani, Simoni e njerëzit e tyre u larguan në Betbasi, në shkretëtirë, ndërtuan ç'ishte rrënuar dhe e fortifikuan.
63Bakidi e mori vesh, mblodhi të gjitha trupat e u dërgoi fjalë atyre nga Judeja.
64Pastaj erdhi dhe fushoi në Betbasi. Luftoi kundër tij për shumë ditë dhe ndërtoi mjete lufte.
65Jonatani la në qytet Simonin, të vëllanë, doli nga fortesa dhe udhëtoi me pak vetë.
66Goditi Odomerain me vëllezërit dhe bijtë e Fasironit në tendat e tyre. Filloi t'i sulmonte dhe u bë më i fortë.
67Simoni dhe burrat që ishin me të dolën nga qyteti dhe u vunë flakën mjeteve të luftës.
68Luftuan kundër Bakidit e ai u shpartallua. E pikëlluan shumë, sepse synimet dhe përpjekja e tij dolën të kota.
69Bakidi u zemërua fort me të paudhët që e kishin këshilluar të vinte në Jude, prandaj vrau shumë prej tyre e vendosi të largohej në dheun e vet.
70Jonatani e mori vesh këtë, prandaj i dërgoi përfaqësues, që të bënin paqe e të shkëmbenin robërit.
71Ai pranoi e veproi siç kishte folur. Iu betua se nuk do t'i bënte kurrë më keq sa të ishte gjallë.
72I ktheu robërit që kishte kapur më parë në tokën e Judesë, pastaj u kthye, shkoi në dheun e vet e nuk erdhi më në trojet e Judesë.
73Kështu shpata u largua prej Izraelit. Jonatani u vendos në Mikmas e filloi të gjykonte popullin. Ai i zhbiu të pafetë nga Izraeli.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.