Luka 19 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jezui dhe Zakeu

1Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet.

2Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur.

3Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës.

4Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge.

5Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde».

6Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar.

7Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar».

8Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish».

9Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.

10Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».

Dhjetë monedhat(Mt 25.14-30)

11Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast.

12Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej.

13Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”.

14Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”.

15Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur.

16Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”.

17Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”.

18Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”.

19Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”.

20Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë,

21se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”.

22Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë?

23Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”.

24Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”.

25Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”.

26Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.

27Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».

Hyrja në Jerusalem(Mt 21.1-11; Mk 11.1-11; Gjn 12.12-19)

28Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem.

29Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve

30e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni.

31Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”».

32Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai.

33Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?».

34Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».

35Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të.

36Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre.

37Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë.

38Ata thoshin:

«Bekuar qoftë mbreti

që vjen në emër të Zotit!

Paqe në qiell

e lavdi në lartësitë e qiejve!».

39Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin».

40Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».

41Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të

42e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu.

43Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë.

44Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».

Pastrimi i tempullit(Mt 21.12-17; Mk 11.15-19; Gjn 2.13-22)

45Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty.

46Dhe u tha: «Është shkruar:

shtëpia ime

është shtëpi lutjeje,

por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

47Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin,

48por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help