1Kur izraelitët që banonin në Jude dëgjuan gjithçka u kishte bërë kombeve Oloferni, kryeushtaraku i Nabukodonosorit, mbretit të asirianëve, si i kishte plaçkitur e rrënuar të gjithë tempujt e tyre,
2u tmerruan së tepërmi prej tij, por edhe për Jerusalemin dhe tempullin e Zotit, Perëndisë së tyre.
3Ata sapo ishin kthyer nga shpërngulja. Mbarë populli i Judesë sapo ishte bashkuar. Enët e shenjta, altari e tempulli ishin shenjtëruar, sepse kishin qenë përdhosur.
4Prandaj dërguan lajmëtarë në të gjitha trojet e Samarisë, në Konë, në Bet Horon, në Belmain, në Jeriko, në Kobë, në Aesorë e në luginën e Salemit.
5I pushtuan të gjitha majat e maleve menjëherë, fortifikuan fshatrat që gjendeshin në to e mblodhën ushqime për luftë, sepse arat i kishin korrur së voni.
6Kryeprifti Joakim, që ndodhej në Jerusalem në atë kohë, i shkroi popullit të Betulisë e të Betomashtaimit, kundruall Esdrelonit, përballë rrafshit të Dotanit,
7me urdhrin të zinin qafat e maleve, se prej andej mund të pushtohej Judeja, prandaj mund të ishte e lehtë t'i ndalnin kalimtarët, se kalimi ishte i ngushtë e duhej të ecnin dy nga dy.
Lutjet dhe pendesa8Izraelitët vepruan siç i kishte urdhëruar kryeprifti Joakim dhe pleqësia e mbarë popullit të Izraelit, që ishte mbledhur në Jerusalem.
9Çdo njeri në Jerusalem i thirri Perëndisë me përkushtim të madh dhe u përulën me vendosmëri të madhe.
10Ata, gratë e tyre, fëmijët, kafshët, të huajt, mëditësit dhe skllevërit e blerë, të gjithë i ngjeshën ijët me thasë.
11Të gjithë izraelitët, burrat, gratë dhe fëmijët që banonin në Jerusalem ranë përmbys para tempullit, hodhën hi mbi kokë dhe tundën thasët para Zotit.
12Edhe altarin e mbështollën me thasë, i thirrën njëzëri Perëndisë së Izraelit e iu përgjëruan që foshnjat e tyre të mos i përlante plaçkitësi, gratë të mos ua bënin pre, të mos u shkatërroheshin qytetet që kishin trashëguar, të mos përdhosej shenjtërorja e të mos bëhej ligësisht përrallë për kombet.
13Zoti ua dëgjoi zërin dhe ua mori parasysh pikëllimin. Populli agjëroi për shumë ditë nëpër Jude e në Jerusalem, para shenjtërores së Zotit të gjithëpushtetshëm.
14Kryeprifti Joakim dhe të gjithë priftërinjtë që qëndronin në praninë e Zotit, me thasët në ijë, kushtonin flinë e përditshme të shkrumbimit, flitë kushtimore dhe flitë vullnetare të popullit.
15Me hirin mbi kësula i thërrisnin Zotit sa të mundnin, që të kujdesej mirësisht për tërë shtëpinë e Izraelit.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.