1Kush e do të birin, e frushkullon gjithnjë,
për t'iu gëzuar në fund.
2Kush e qorton të birin, ia nxjerr fitimin
e krenohet me të para të njohurve.
3Kush e mëson të birin, i bën armiqtë me smirë,
por me miqtë ngazëllen falë tij.
4Kur i vdes i ati, është si të mos vdiste,
se lë pas dikë si veten.
5Sa është gjallë e sheh e gëzohet,
vdes pa u pikëlluar.
6Lë një hakmarrës kundër armiqve
dhe një shpërblyes për miqtë.
7Kush llaston të birin, duhet t'i lidhë plagët,
për çdo britmë do të tronditet.
8Kali i pazbutur bëhet me huqe,
djali i pashtruar bëhet i ngutur.
9Përkëdhele fëmijën e ai të tmerron,
luaj me të e të bën të qash.
10Mos qesh me të, që të mos vuash
e të mos kërcëllish dhëmbët në fund.
11Mos i jep liri në rini
[e mos ia shpërfill gabimet].
12Thyeja brinjët sa është i ri,
se bëhet kokëfortë e nuk të bindet.
13Ndreqe birin e rëndoja zgjedhën,
që paturpësitë e tij të mos të turpërojnë.
14Më mirë skamnor, me shëndet e i fortë,
se i pasur e shtatlig.
15Më mirë se ari, shëndeti e kalitja,
trupi i lidhur, se pasuria e pamasë.
16Nuk ka pasuri më të mirë se trupi i shëndetshëm,
nuk ka ngazëllim mbi gëzimin e zemrës.
17Më e mirë është vdekja se një jetë e hidhur,
prehja e amshuar se lëngata e përhershme.
18Të zbrazësh begati në një gojë të kyçur
është si të shtrosh një larmi ushqimesh mbi një varr.
19Ç'i duhet fryti një idhulli
që as ha e as nuhat?
Njësoj është i ndëshkuari nga Zoti.
20Sheh me sy e rënkon,
siç rënkon eunuku që përqafon një vashë.
21Mos e shtjer shpirtin në trishtim,
mos u pikëllo me dashje.
22Zemra e hareshme është jeta e njeriut,
ngazëllimi ia zgjat jetën.
23Gënjeje mendjen, qetësoje zemrën
dhe flake larg trishtimin,
se shumë ka rrënuar trishtimi
e nuk ka dobi prej tij.
24Smira e zemërimi e shkurtojnë jetën,
telashet të plakin para kohe.
25Atij që ha me zemër të bardhë e mirësi,
i bëjnë mirë ushqimet.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
