1Kombet përreth u zemëruan shumë kur dëgjuan se ishte ndërtuar altari dhe se ishte kushtuar shenjtërorja si më parë.
2Atëherë vendosën t'ia shuanin farën Jakobit, që gjendej mes tyre, dhe filluan t'i vrisnin e ta shfarosnin popullin.
3Juda luftoi kundër bijve të Esaut në Idume, në Akrabatenë, se ata e kishin rrethuar Izraelin. U ra dhe i goditi fort, i mposhti e u mori prenë.
4Iu kujtua edhe ligësia e bijve të Beanit, që ishin bërë kurth e pengesë për popullin dhe i zinin pritë rrugëve.
5Ata u ngujuan nëpër kulla për shkak të tij, por ai i rrethoi, u betua se do t'i shkatërronte dhe u vuri flakën kullave me gjithë ç'ishin brenda.
6Pastaj u kthye kundër bijve të Amonit, por hasi në një ushtri të fortë, të mbështetur nga populli, nën udhëheqjen e Timoteut.
7Hapi shumë beteja kundër tyre, i mundi e i zhbiu.
8Pastaj pushtoi Jazerin me fshatra e u kthye në Jude.
Çlirimi i galileasve9Kombet që ndodheshin në Gilead u mblodhën kundër izraelitëve që gjendeshin nëpër vendet e tyre, për t'i shfarosur, por ata u strehuan në fortesën e Datemës.
10Atëherë i dërguan një letër Judës e vëllezërve të tij, ku thuhej: «Kombet përreth na kanë rrethuar për të na shfarosur
11e po përgatiten të vijnë e të marrin fortesën ku jemi strehuar. Ushtrisë së tyre i prin Timoteu,
12prandaj eja e na shpëto prej duarve të tyre, se shumë prej nesh kanë rënë.
13Të gjithë vëllezërit në Tob na kanë mbetur të vrarë. Gratë, bijtë e plëngun e tyre i kanë grabitur. Atje kanë mbetur të vrarë rreth një mijë burra».
14Gjatë leximit të kësaj letre, mbërritën lajmës të tjerë nga Galilea, me rroba të shqyera e me lajme të ngjashme.
15Treguan se kombet ishin mbledhur nga Ptolemaida, Tiri, Sidoni e nga gjithë Galilea për t'i shfarosur.
16Kur Juda e populli e dëgjuan këtë lajm, u thirr një bashkësi e madhe për të vendosur ç'të bënin për vëllezërit e tyre në ngushticë, të cilëve u ishte shpallur luftë.
17Juda i tha vëllait të vet, Simonit: «Zgjidh burrat e tu e shko të shpëtosh vëllezërit në Galile. Unë e Jonatani, im vëlla, do të shkojmë në Gilead».
18Në Jude caktoi prijës të popullit Jozefin, birin e Zakarisë, bashkë me Azarjahun dhe me pjesën tjetër të ushtrisë, si mbrojtje.
19U dha këtë urdhër: «Drejtojeni popullin e mos u shpallni luftë kombeve derisa të kthehemi ne».
20Simonit i caktuan tre mijë burra për të shkuar në Galile e Judës tetë mijë burra për në Gilead.
21Simoni shkoi në Galile, bëri shumë beteja kundër kombeve dhe kombet u thyen para tij.
22Ai i ndoqi deri te porta e Ptolemaidës dhe prej kombeve mbetën të vrarë tre mijë burra, të cilëve u mori plaçkën.
23Pastaj mori galileasit dhe arbatitët me gra, fëmijë e gjithë ç'kishin, e i solli në Jude me gëzim të madh.
24Judë Makabeu e vëllai i tij, Jonatani, kaluan Jordanin e udhëtuan tri ditë në shkretëtirë.
25U takuan me nabatenjtë, të cilët i pritën paqësisht. Atëherë u treguan gjithçka u kishte ndodhur vëllezërve të tyre në Gilead:
26«Shumë prej tyre ishin rrethuar në Bosorë e Bosor, në Alema e Hasfo, në Maked e Karnaim, të gjitha qytete të forta e të mëdha,
27por disa ishin rrethuar në qytetet e tjera të Gileadit dhe armiqtë po përgatiteshin t'i sulmonin nesër nëpër fortesa, t'i kapnin e t'i shfarosnin të gjithë brenda ditës».
28Atëherë Juda u kthye nga udha për në shkretëtirën e Bosorës, zaptoi qytetin, çdo mashkull e kaloi në teh të shpatës, mori çdo plaçkë lufte e qytetit i vuri zjarrin.
29U largua prej andej natën e shkoi deri te fortesa.
30Në ag ngritën sytë e panë një turmë të madhe, të panumërt. Ata mbartnin shkallë e mjete për të pushtuar fortesën e për të luftuar kundër tyre.
31Juda, kur pa se beteja kishte filluar dhe britma e qytetit kishte mbërritur në qiell, me bori e klithma të forta,
32u tha burrave të ushtrisë së vet: «Luftoni sot për vëllezërit tuaj».
33Ai u doli nga pas me tri çeta. Atëherë u ranë borive e lëshuan britma përgjëruese.
34Kur fushimi i Timoteut e mori vesh se ishte Makabeu, morën arratinë prej tij. Ai i goditi rëndë dhe atë ditë u vranë prej tyre rreth tetë mijë vetë.
35Pastaj u kthye për në Alema, e sulmoi, e pushtoi, i vrau çdo mashkull, e plaçkiti e i vuri flakën.
36U largua prej andej e pushtoi Hasfonë, Makedin, Bosorin e qytetet e tjera të Gileadit.
37Pas këtyre ngjarjeve, Timoteu mblodhi një ushtri tjetër e fushoi përballë Rafonit, matanë përroit.
38Juda dërgoi njerëz për të përgjuar fushimin. Këta e njoftuan e i thanë: «Mbarë kombet që na rrethojnë janë bashkuar me të. Ushtria është shumë e madhe.
39Kanë marrë për ndihmë edhe luftëtarë arabë me pagesë. Ata kanë fushuar matanë përroit e janë gati të dalin në luftë kundër teje». Atëherë Juda u doli para.
40Kur Juda dhe ushtria e tij iu afrua përroit, Timoteu u tha prijësve të ushtrisë së vet: «Po të kalojë ai këndej i pari, nuk do t'i bëjmë ballë e do të na mundë.
41Por, nëse trembet e fushon në anën tjetër të lumit, do të sulemi ne kundër tij e do ta mundim».
42Kur Juda iu afrua rrjedhës së ujit, i ndali shkruesit e popullit ndanë rrjedhës e u dha këtë urdhër: «Mos lejoni askënd të fushojë, por të gjithë të shkojnë në betejë».
43Ai e kaloi lumin i pari e gjithë populli i shkoi pas. Të gjitha kombet u thyen para tij, hodhën armët e u strehuan në tempullin e Karnaimit.
44E pushtuan qytetin e i vunë zjarrin tempullit me gjithë ç'kishte brenda. Karnaimi u pushtua e nuk i bëri dot ballë Judës.
45Juda mblodhi të gjithë izraelitët e Gileadit, të vegjël e të mëdhenj, me gra, fëmijë e pasuri, një vargan shumë i madh, për në tokën e Judesë.
46Mbërritën në Efron, qytet i madh e i mbrojtur fort, që ishte në udhë e nuk e shmangnin dot, as djathtas, as majtas, por duhej t'i kalonin përmes.
47Banorët e qytetit ua kishin mbyllur kalimin e u kishin vënë gurë portave.
48Juda u dërgoi fjalë paqësore, duke thënë: «Na duhet të kalojmë nëpër tokën tuaj, për të shkuar në tokën tonë. Askush nuk do t'ju dëmtojë, vetëm do të kalojmë më këmbë». Por ata nuk deshën t'ua hapnin portat.
49Atëherë Juda urdhëroi e nxori shpalljen që ushtria të rreshtohej në vend.
50Burrat e ushtrisë u rreshtuan, luftuan kundër qytetit gjithë ditën e gjithë natën e qyteti u dorëzua.
51Çdo mashkull e shkoi në teh të shpatës. Qytetin e rrafshoi dhe e plaçkiti. Atëherë kaluan përmes qytetit duke shkelur mbi të vrarët.
52Pastaj kaluan Jordanin për në rrafshin e madh përballë Betshanit.
53Juda mblidhte ata që mbesnin të fundit e i jepte zemër popullit gjatë gjithë udhës, derisa mbërritën në Jude.
54Ata u ngjitën në malin Sion me gëzim e hare e kushtuan fli shkrumbimi, se nuk kishte rënë askush prej tyre, por ishin kthyer shëndoshë e mirë.
Shpartallimi i Jozefit dhe Azarjahut55Kur Juda e Jonatani ishin në dheun e Gileadit dhe Simoni, vëllai i tij, ishte në Galile, përballë Ptolemaidës,
56Jozefi, biri i Zakarisë, dhe Azarjahu, prijësit e ushtrisë, dëgjuan për trimëritë e për luftën që kishin bërë.
57Atëherë thanë: «Le të bëjmë bujë edhe ne. Të shkojmë e të luftojmë me kombet që na rrethojnë».
58I dhanë urdhra ushtrisë që ishte me ta e mësynë Jamninë.
59Gorgia doli nga qyteti bashkë me burrat e vet, për t'u ndeshur me ta në betejë.
60Jozefi e Azarjahu u mundën e u ndoqën deri në kufijtë e Judesë. Atë ditë ranë rreth dy mijë vetë nga populli i Izraelit.
61Populli e pësoi këtë shpartallim të rëndë, se nuk dëgjoi Judën e vëllezërit e tij, duke menduar se po bënte trimëri.
62Këta nuk ishin nga fisi i atyre burrave, në dorën e të cilëve ishte lënë shpëtimi i Izraelit.
63Trimi Judë e vëllezërit e tij u nderuan prej mbarë Izraelit e prej të gjitha kombeve, kudo iu dëgjua emri.
64Mblidheshin rreth tyre e i lavdëronin.
65Pastaj Juda e vëllezërit e tij dolën e luftuan kundër bijve të Esaut, në krahinën jugore. I ra Hebronit e fshatrave të tij, ia shkatërroi fortesat e u vuri zjarrin kullave përreth.
66Prej andej shkuan në tokën e të huajve, duke kaluar nëpër Marisë.
67Atë ditë ranë në luftë disa priftërinj, se deshën të tregoheshin trima e dolën në luftë me shpërfillje.
68Juda u kthye për në Azot, në dheun e të huajve. Ai i shkatërroi altarët e tyre, dogji në zjarr shtatoret e perëndive të tyre, plaçkiti qytetet e u kthye në dheun e Judesë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.