Zanafilla 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kaini dhe Abeli

1Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e Zotit

fitova një njeri!».

2Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën.

3Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi Zotit nga frytet e tokës.

4Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. Zoti e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij,

5ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra.

6Zoti i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra?

7Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh».

8Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau.

9Zoti i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!».

10Zoti i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd.

11Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate.

12Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë».

13Kaini i tha Zotit: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj.

14Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë».

15Zoti i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe Zoti i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë.

16Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.

Pasardhësit e Kainit

17Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit.

18Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku.

19Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila.

20Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë.

21Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit.

22Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama.

23Lameku u tha grave të veta:

«Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim.

O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time:

për një plagë vrava një burrë,

për një të goditur, një djalosh.

24Shtatëfish iu mor haku Kainit

e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë».

25Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini».

26Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh.

Asokohe filloi të thirret emri i Zotit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help