Kënga e këngëve 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Ai

1Hyra në kopshtin tim,

o motërza ime, nuse,

mblodha mirrën time e vajin erëmirë,

nga hualli im mjaltin hëngra

e verën time piva

bashkë me qumështin tim.

Hani ju, o miq,

pini e dehuni, o të dashur.

Poema e katërtAjo

2Flija unë, por zemra s'po më flinte.

Trokëllimë! I shtrenjti im troket!

«Hapma derën, motra ime, mikja ime,

pëllumbesha ime, e përkryera ime,

se plot vesë unë kokën kam,

me lagshtën e natës dredhat më janë mbushur!».

3«Po unë këmishën e kam zhveshur,

si ta vesh unë prapë?

Po unë këmbët i kam larë,

si t'i ndot unë prapë?».

4I shtrenjti im dorën në vrimë e shtiu

e krejt u meka unë.

5U ngrita, të shtrenjtit derën t'i hap,

e duart mirrë më rridhnin,

gishtat mirrë më pikonin

përmbi vegët e kajnacës.

6Të shtrenjtit tim ia hapa,

por kish shkuar i shtrenjti im,

gjetiu ai kish ikur

e sa s'më la fryma, që kish ikur.

E kërkova, por s'e gjeta,

i bëzajta, por nuk më gjegji.

7Rojtarët, që qytetit enden,

më kapën mua e më rrahën,

më lënduan e më zhveshën

rojtarët e mureve.

8Ju përbej, o bijat e Jerusalemit,

po e gjetët të shtrenjtin tim,

ja se ç'do t'i thoni:

më ligu dashuria.

Mikeshat

9Ç'ka më shumë i shtrenjti yt,

o e bukura ndër gra?

Ç'ka më shumë i shtrenjti yt,

që kështu po na përben?

Ajo

10Shndrin e kuqëlon i shtrenjti im,

ai spikat ndër një mijë vetë.

11Kryet e tij, ar i kulluar,

flokët e tij, dredha-dredha,

janë të zinj si penda e korbit,

12sytë e tij porsi pëllumbat

ndanë çurgut të ujërave,

larë në qumësht

e ndenjur shtruar.

13Faqet e tij si lehe erëzash,

pirgje erëmirë buzët e tij,

lilakë që vesojnë, mirrë që çurgon.

14Duart e tij si rrathë të artë,

me margaritarë dendur.

Barku i tij enë fildishi,

mbuluar me safirë.

15Këmbët e tij shtylla mermeri,

mbi themele ari të pastër.

Nga të pamët është si Libani,

si cedrat më të mirë.

16Ëmbëltim prej goje i del

e është i tëri i dëshirueshëm.

Ja, ky është i shtrenjti im,

o bijat e Jerusalemit,

e ky është miku im.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help