Siraku 34 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Ëndrrat

1Njeriu i pamend ka shpresa të kota e të rreme,

ëndrrat i bëjnë me flatra të marrët.

2Si ai që kap hijen e ndjek erën,

është kush u beson ëndrrave.

3Në ëndërr shihet përthyerja,

si fytyra përballë vetë fytyrës.

4Çfarë mund të dalë e pastër nga papastërtia?

Po nga gënjeshtra ç'e vërtetë del?

5Fallet, shenjat e ëndrrat janë të kota,

si hamendjet e gruas gjatë lindjes.

6Nëse s'dërgohen nën kujdesin e të Tejlartit,

mos u merr me to.

7Ëndrrat kanë mashtruar shumë vetë,

janë zhgënjyer ata që shpresuan në to.

8Pa gënjeshtra, ligji është i përsosur,

edhe urtia në gojë të besimtarit është e përsosur.

Përvojat e jetës

9Njeriu i shëtitur është shumë i ditur,

kush ka shumë përvojë, di çfarë thotë.

10Kush nuk ka përvojë, di pak,

kush shëtit, i shton aftësitë.

11Në udhëtimet e mia kam parë shumë,

kam mësuar më shumë se ç'mund të tregoj.

12Shpesh herë kam rrezikuar të vdes,

por kam shpëtuar falë përvojës.

13Shpirti i atyre që druajnë Zotin do të jetojë,

se shpresojnë në atë që i shpëton.

14Kush druan Zotin s'trembet nga asgjë,

nuk tmerrohet, se shpreson tek ai.

15Lum ai shpirt që e druan Zotin!

Te kush t'i hedhë sytë? Kush i bëhet mbështetje?

16Sytë e Zotit mbi ata që e duan,

mburojë e fuqishme, mbështetje e fortë,

strehë nga vapa e hije nga zhegu,

rojë kundër pengesave e ndihmë kundër rrëzimit.

17Ai lartëson shpirtin e ndrit sytë,

dhuron shërim, jetë e bekim.

18Flija e fituar padrejtësisht është kushtim me cen,

nuk janë të pranueshme dhuratat e të paudhëve.

19Nuk i pranon i Tejlarti kushtimet e të pafeve,

nuk u shlyhen mëkatet prej flive të shumta.

20Vret birin para të atit

kush kushton fli nga prona e nevojtarëve.

21Buka e nevojtarëve është jeta e skamnorëve,

kush ua heq është gjakatar.

22Të afërtin e vret ai që i heq jetesën,

bën gjakderdhje kush i mban rrogën rrogëtarit.

23Njëri ndërton e tjetri shkatërron;

ç'fitojnë përveçse mundim?

24Njëri lutet e tjetri mallkon;

zërin e cilit dëgjon sunduesi?

25Kujt pastrohet nga i vdekuri, por e prek prapë,

ç'i duhet pastrimi?

26Kështu është njeriu që agjëron për mëkatet e veta,

por shkon e i bën prapë.

Kush ia dëgjon lutjen?

Ç'dobi i sjell përulja?

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help