1Në vitin njëqind e shtatëdhjetë e dy mbreti Dhimitër mblodhi ushtrinë e tij dhe e u nis drejt Medës, për të kërkuar ndihmë për luftë kundër Trifonit.
2Arsakesi, mbreti i Persisë e Medës, dëgjoi se Dhimitri kishte ardhur në trojet e tij dhe dërgoi njërin prej prijësve ta kapnin të gjallë.
3Ai shkoi, e mundi ushtrinë e Dhimitrit, e kapi atë dhe e solli te Arsakesi, i cili e burgosi.
4Toka e Judesë ra në qetësi gjatë gjithë kohës së Simonit. Ai kërkoi të mirën e kombit të vet dhe atyre u pëlqeu pushteti e lavdia e tij gjithmonë.
5Përveç tërë lavdisë që pati, pushtoi edhe Jopën, që kishte port, dhe hapi hyrjen për në ishujt e detit.
6I zgjeroi kufijtë e kombit të vet dhe e mbajti vendin nën pushtet.
7Mblodhi shumë robër, sundoi Gazarën, Betcurin dhe fortesën. Ia hoqi pështirësitë dhe s'pati kush ta kundërshtonte.
8Në paqe e punonin tokën e vet. Toka i jepte frytet e veta dhe drurët e fushave frytin e vet.
9Pleqtë rrinin ulur nëpër sheshe e flitnin të gjithë për begatinë. Të rinjtë visheshin hijshëm e me petka lufte.
10Qyteteve u gjeti ushqime dhe i pajisi me mjete fortifikimi aq sa emri i tij i lavdishëm përmendej gjer në skajet e dheut.
11Ai vuri paqen mbi tokë dhe Izraeli u gëzua fort.
12Secili u mor me vreshtin e me fikun e vet e askush nuk i trembte.
13Nuk mbeti askush mbi dhe që t'i luftonte. Edhe mbretërit ishin mposhtur në atë kohë.
14I forcoi të vuajturit e popullit të vet. U dha pas ligjit dhe zhbiu të paudhët e të ligjtë.
15I dha lavdi shenjtërores dhe i shtoi enët e shenjta.
16Në Romë e në Spartë u dëgjua se Jonatani kishte vdekur dhe u mërzitën shumë.
17Por, kur dëgjuan se vëllai i tij Simoni ishte bërë kryeprift në vend të tij dhe se kishte nën sundim vendin dhe qytetet e tij,
18i shkruan në pllaka bakri që të përtërinin miqësinë e marrëveshjen e lidhur me vëllezërit e tij, Judën e Jonatanin.
19Këto u lexuan para bashkësisë në Jerusalem.
20Kjo është kopja e letrës që dërguan spartanët: «Sundimtarët e Spartës dhe qyteti kryepriftit Simon, pleqve, priftërinjve e popullit vëlla jude: përshëndetje.
21Përfaqësuesit e dërguar te populli ynë na treguan për lavdinë e nderin tuaj dhe ardhja e tyre na gëzoi.
22Çfarë thanë ata në kuvendin e popullit, i kemi hedhur me shkrim: “Numeni, biri i Antiokut, dhe Antipatri, biri i Jasonit, përfaqësuesit e judenjve, erdhën te ne për të përtërirë miqësinë.
23Popullit i pëlqeu t'i priste këta burra me lavdi e të mbahej një kopje e fjalëve të tyre në librat e veçantë të popullit, që spartanët t'i mbanin si kujtim. Një kopje ia shkruan kryepriftit Simon”».
24Pas këtyre Simoni dërgoi në Romë Numenin me një mburojë ari të madhe, që peshonte pesëqind kilogramë, për të përforcuar marrëveshjen me ta.
25Kur populli i mori vesh këto gjëra, tha: «Si t'ia dimë për nder Simonit e bijve të tij?
26Ai bëri qëndresë bashkë me vëllezërit e tij dhe me shtëpinë e atit të tij. Ai i luftoi armiqtë e Izraelit e solli lirinë». Bënë një shkrim mbi pllaka bakri dhe i vendosën nëpër shtylla në malin Sion.
27Kopja e shkrimit është kjo: «Më tetëmbëdhjetë të muajit Elul të vitit njëqind e shtatëdhjetë e dy, viti i tretë i Simonit, kryepriftit të madh, në Asaramel,
28në një mbledhje të madhe të priftërinjve, të popullit, të prijësve të kombit e të pleqve të vendit, na u bënë me dije këto:
29shumë herë plasën luftra në vend. Simoni, biri i Matatisë, prift nga bijtë e Joaribit, dhe vëllezërit e tij, u vunë në rrezik e iu kundërvunë armiqve të kombit të vet, që të mbetej në këmbë tempulli e ligji. Ata i dhanë lavdi të madhe kombit të tyre.
30Jonatani bashkoi kombin, u bë kryeprift i tij dhe u preh me kombin e vet.
31Armiqtë vendosën t'ua pushtonin vendin e të vinin dorë në shenjtëroren e tij.
32Atëherë Simoni u ngrit e luftoi për kombin e vet. Dha shumë pasuri të vetat për të armatosur burrat e ushtrisë së kombit dhe për t'i paguar.
33Fortifikoi qytetet e Judesë e Betcurin, në trojet e Judesë, ku kishin qenë më parë armët e armiqve, dhe vuri atje një njësit me ushtarë judenj.
34Fortifikoi Jopën bregdetare dhe Gazarën, në trojet e Azotit, ku më parë jetonin armiqtë. Atje vendosi judenjtë dhe i ndihmoi me gjithçka nevojitej për rindërtimin.
35Populli e pa besnikërinë e Simonit dhe lavdinë që donte të fitonte për popullin e vet, prandaj e bënë prijësin dhe kryepriftin e tyre për të gjithë këto bëma, për drejtësinë dhe besimin që ruajti te kombi i vet dhe për të gjithë përpjekjet për lartësimin e popullit të tij.
36Në kohën e tij u bë e mundur, përmes tij, të dëboheshin nga vendi i tyre kombet dhe ata që gjendeshin në qytetin e Davidit e në Jerusalem. Ata kishin ndërtuar fortesën dhe, kur dilnin prej saj, përdhosnin rrethinat e shenjtërores e fyenin rëndë dëlirësinë e saj.
37Ai vuri në fortesë burra judenj, e fortifikoi për sigurinë e vendit e të qytetit dhe ngriti muret e Jerusalemit.
38Për këtë mbreti Dhimitër ia njohu kryepriftërinë.
39E bëri mik e i dha nderime të mëdha.
40Dëgjoi se judenjtë mbaheshin si miq, vëllezër e përkrahës të romakëve dhe se këta i kishin pritur me nderime përfaqësuesit e Simonit,
41se judenjtë dhe priftërinjtë e kishin miratuar Simonin si prijës e kryeprift përgjithmonë, derisa të shfaqej ndonjë profet i besueshëm,
42se e kishin bërë kryeushtarak, se duhej të kujdesej për tempullin e të caktonte përgjegjës për punët e tij, të vendit, të armëve e të fortesave,
43se duhej të kujdesej për tempullin, se duhej ta dëgjonin të gjithë, se të gjitha marrëveshjet e vendit duhej të shkruheshin në emrin e tij dhe se mund të vishej me purpur e me stoli të arta.
44Askush nga populli apo nga priftërinjtë nuk kishte të drejtë të shkelte asgjë prej këtyre, as të kundërshtonte ndonjë urdhër të tijin, as të thërriste mbledhje në vend pa miratimin e tij, as të vishej me purpur e të mbante togëz të artë.
45Kush vepron apo sillet në kundërshtim me këto do të jetë fajtor».
46I gjithë populli dha miratimin që Simoni të vepronte sipas këtyre fjalëve.
47Simoni pranoi e dha pëlqimin të bëhej kryeprift, kryeushtarak, prijës i kombit të judenjve e i priftërinjve dhe mbrojtës i të gjithëve.
48Vendosën ta vinin këtë shkresë në pllaka bakri e ta vendosnin në tremen e tempullit, në një vend të dukshëm.
49Një kopje u vendos në thesar, që ta kishin Simoni dhe bijtë e tij.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.