Urtia 17 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Errësira dhe shtylla e zjarrtë

1Madhështore dhe të pashqyrtueshme janë gjykimet e tua;

çdo shpirt i pamësuar bie në mashtrim.

2Të paudhët menduan

se do të shtypnin kombin e shenjtë,

por u lidhën nga errësira

e u zunë rob nga nata e gjatë,

ndryrë në shtëpitë e tyre,

dëbuar prej kujdesit të amshuar.

3I gënjente mendja se do të fshiheshin pas mëkateve,

mbuluar me perden e harresës,

por u shpërndanë fort të trembur,

të tmerruar nga hijet.

4As strofulli i fshehtë nuk i ruajti nga frika,

u rrethuan nga ushtima të tmerrshme,

u shfaqeshin hije fytyrëvrenjtura e të zymta.

5Asnjë flakë zjarri s'bënte dritë,

as vezullimi i yjeve

s'e zbardhte dot atë natë të urryer.

6I ndriçonte vetëm një zjarr i frikshëm

që ndizej vetë.

U tmerruan kur panë se gjërat ishin më të frikshme

se ç'i mendonin pa i parë.

7Aftësia për magji u doli e kotë,

mburrja me mençurinë u poshtërua.

8Premtuan se do ta largonin frikën

dhe trazimin e shpirtit të sëmurë,

por u sëmurën vetë me një frikë qesharake.

9Edhe po të mos i trembte asgjë e frikshme,

trembeshin nga hapat e bishave e nga vërshëllimat e gjarpërinjve

dhe i mbyste frika,

saqë nuk shihnin dot as mugun e pashmangshëm.

10Ligësia është frikacake,

dëshmon kundër vetvetes,

i shtohen vuajtjet kur e bren ndërgjegjja.

11Frika s'është gjë tjetër

veç se dështim dhe mungesë e arsyes.

12Sa më i vogël të jetë besimi tek arsyeja,

aq më pak e dimë përse vuajmë.

13Natën që ishte e pafuqishme,

që dilte nga humnera e skëterrës së pafuqishme,

kur bënin të njëjtin gjumë,

14i mundonin hijet e tmerrshme,

çdo forcë shpirtërore i mpinte

dhe i mbulonte një frikë e beftë dhe e papritur.

15Të gjithë sa ishin atje u plandosën,

mbetën të mbyllur në një burg pa hekura.

16Bujq edhe barinj,

punëtorë që rropateshin shkretëtirave,

mbërthyer nga fati i pashmangshëm,

ishin lidhur të gjithë me vargonjtë e errësirës.

17Fëshfërima e flladit,

kënga e ëmbël e zogjve në degët e dendura të pemëve,

gurgullima e ujit që rridhte me vrull,

kërcitja egërshane e gurëve që rrokulliseshin,

18kafshët që vraponin e kërcenin pa u dukur,

ulërimat e bishave të egra,

dhe zëri që jehonte nëpër lugina,

i shtangnin nga tmerri.

19Mbarë bota ndriçohej nga një dritë vezulluese

dhe njerëzit merreshin me punët e veta lirisht,

20por të paudhët i mbulonte nata e rëndë,

errësira ishte e ardhmja që i priste.

Vetja u rëndonte më shumë se nata.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help