1 Ezra 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rifillimi i punimeve

1Në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, Hagai dhe Zakaria, biri i Idoit, u profetizuan judenjve, që banonin në Jude dhe në Jerusalem, në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, që ishte me ta.

2Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Salatielit, dhe Jozuehu, biri i Jocadakut, dhe filluan të ndërtojnë tempullin e Zotit në Jerusalem, me mbështetjen e profetëve të Zotit, që i ndihmonin.

3Por, në atë kohë erdhën tek ata Sisini, qeveritari i Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznai dhe bashkëpunëtorët e tyre e u thanë:

4«Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull dhe të bëni meremetimet e kësaj çatije dhe të gjithçkaje tjetër? Kush janë ata që po i kryejnë këto punime?».

5Por mbi pleqësinë e Judës ishin sytë e Zotit, i cili kujdesej për të kthyerit nga robëria.

6Punimet nuk u ndalën, derisa lajmi për ta të shkonte tek Dari e të vinte përgjigjja.

7Ja letra që i shkruan e i dërguan Darit Sisini, qeveritari i Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznai dhe bashkëpunëtorët e tyre, zyrtarë në Siri dhe në Fenikë:

8«Mbretit Dar, paqe! Le t'i bëhet me dije zotërisë, mbretit, se kemi shkuar në krahinën e Judesë dhe, kur mbërritëm në qytetin e Jerusalemit, i gjetëm të kthyerit nga robëria, pleqtë e Judës në qytetin e Jerusalemit, duke ndërtuar një tempull të ri për Zotin e madh me gurë të gdhendur dhe me dru të shtrenjtë nëpër mure.

9Këto punime po bëhen me shpejtësi, po ecin mirë prej mjeshtërisë së tyre dhe po kryhen bukur e me kujdes.

10Ne e pyetëm pleqësinë e tyre e u thamë: “Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?”.

11U kërkuam edhe emrat për të t'i njoftuar me shkrim drejtuesit e tyre dhe u kërkuam listën e emrave të prijësve të tyre.

12Ata na u përgjigjën: “Ne jemi shërbëtorë të Zotit, që krijoi qiellin dhe tokën.

13Ky tempull është ndërtuar dhe është përfunduar para shumë kohësh prej një mbreti të madh e të fuqishëm të Izraelit.

14Por, ngaqë etërit tanë mëkatuan dhe hidhëruan Zotin e Izraelit, qiellorin, ai i dorëzoi te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbreti i kaldenjve.

15Ata i vunë flakën dhe e shkatërruan këtë tempull, ndërsa popullin e degdisën në Babiloni.

16Megjithatë, në vitin e parë të mbretërimit të Kirit të Babilonisë, vetë mbreti Kir shkroi një vendim për ta ndërtuar këtë tempull.

17Për më tepër, enët e shenjta prej ari e prej argjendi, që mbreti Nabukodonosor i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e vet, mbreti Kir i mori prej tempullit të Babilonisë dhe ia dha Zorobabelit dhe Sheshbacarit, qeveritarit.

18Atij i dha urdhër t'i merrte ato enë e t'i vendoste në tempullin e Jerusalemit dhe që ky tempull i Zotit të ndërtohej në të njëjtin vend.

19Atëherë Sheshbacari erdhi e hodhi themelet i tempullit të Zotit në Jerusalem. Që prej asaj kohe e deri tani po ndërtohet, por nuk ka përfunduar ende”.

20Tani, nëse mbreti e gjykon të drejtë, le të bëhen kërkime në shkresat mbretërore të zotërisë, mbretit të Babilonisë,

21dhe nëse shihet se ndërtimi i tempullit të Zotit në Jerusalem bëhet me vendim të mbretit Kir, të na bëhet i ditur vendimi i mbretit për këto çështje».

22Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë, që të bënin kërkime në shkresat mbretërore, që ndodheshin në Babiloni. Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një libër, në të cilin ishte shkruar ky shënim:

23«Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim për ndërtimin e tempullit të Zotit në Jerusalem në vendin ku kushtohet flija me zjarr të përhershëm.

24Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. Për çdo tri radhë gurësh të gdhendur, të ketë një radhë me dru të ri. Shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror i mbretit Kir.

25Për më tepër, enët e shenjta të tempullit të Zotit, ato prej ari dhe argjendi, që mori Nabukodonosori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre në tempullin e Jerusalemit dhe të vendosen atje».

26Mandej urdhëroi Sisinin, qeveritarin e Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznain, bashkëpunëtorët e tyre dhe zyrtarët e Sirisë dhe Fenikës të rrijnë larg atij vendi dhe ta lejojnë Zorobabelin, shërbëtorin e Zotit, qeveritarin e Judesë, dhe pleqësinë e judenjve të ndërtonin tempullin e Zotit në vendin e vet:

27«Kam dhënë urdhër të përfundojë ndërtimi dhe, derisa të mbarojë ndërtimi i tempullit të Zotit, të përpiqeni edhe ju t'i ndihmoni judenjtë e kthyer nga robëria.

28Nga tagrat e Sirisë së Madhe dhe të Fenikës t'i jepet rregullisht një sasi të ardhurash qeveritarit Zorobabel për dema, desh e qengja, që këta njerëz t'i kushtojnë fli Zotit.

29Po ashtu, t'i jepet çdo vit në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ngurrim grurë, kripë, verë e vaj, sipas kërkesave të përditshme të priftërinjve të Jerusalemit,

30që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së tejlartë për mbretin e për fëmijët e tij dhe që të luten për jetën e tyre».

31Mbreti Dar dha urdhër që, nëse dikush e shkel apo e shfuqizon këtë urdhëresë të shkruar, të hiqet një tra nga shtëpia e tij, ai të varet në të dhe pasuritë e tij t'i kalojnë mbretërisë.

32«Prandaj, Zoti, që e ka caktuar atë vend për t'u thirrur emri i tij, shkatërroftë çdo mbret e komb, që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Zotit në Jerusalem.

33Këtë urdhëresë e lëshova unë, mbreti Dar. Le të zbatohet me përpikëri».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help