Psalmet 73 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Psalm i Asafit.

Sa i mirë është Perëndia për Izraelin,

për ata që e kanë zemrën të pastër!

2E mua gati m'u morën këmbët,

për pak m'u ngatërruan hapat.

3Lakmi i pata mburravecët,

kur pashë mirëqenien e të paudhëve.

4Nuk kanë dhimbje deri në vdekje,

barkun e kanë tërë dhjamë.

5Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë,

nuk mundohen si njerëzit e tjerë.

6Krenaria stolis qafat e tyre,

dhuna i mbulon si petk.

7U pëlcasin sytë prej dhjamit,

prej zemrave u burojnë dëshirime.

8Përqeshin e flasin me ligësi,

nga lart kërcënojnë me shtypje.

9E hapin gojën edhe kundër qiellit,

gjuha e tyre përshkon tokën.

10Prandaj populli im kthehet drejt tyre

dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë.

11«E si e ditka Perëndia», thonë,

«Nga e marrka vesh i Tejlarti?».

12Ja, këta janë të paudhët!

Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri.

13Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër,

më kot i kam larë duart në pafajësi!

14Tërë ditën kam pësuar fshikullima

e jam munduar deri në mëngjes.

15Po të kisha thënë: «Do të flas si ata»,

do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu.

16U përpoqa ta kuptoj këtë,

por m'u errën sytë.

17Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë,

vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre.

18Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm,

i plandose në rrënim.

19Si u shkatërruan kështu përnjëherë!

U sosën e morën fund me tmerr!

20Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot,

ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre.

21Kur më hidhërohej zemra,

e veshkat më thernin,

22isha i marrë e nuk kuptoja,

para teje isha si kafshë.

23Por ja, unë jam gjithmonë me ty,

ti më mban dorën e djathtë.

24Ti më udhëheq me këshillat e tua,

e pastaj do të më marrësh me lavdi.

25Kë tjetër kam unë në qiell?

Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër.

26Më janë ligështuar trupi e zemra,

por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime

është Perëndia në amshim.

27Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen,

ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.

28Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë,

të kërkoj strehë te Zoti, Zoti im,

për t'i shpallur të gjitha veprat e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help