Veprat 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Zgjedhja e shtatë dhjakëve

1Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, greqishtfolësit u ankuan ndaj hebraishtfolësve, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.

2Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve e thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë.

3Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirt e me urti, që t'i ngarkojmë me këtë detyrë.

4Ne, nga ana jonë, do t'i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës».

5Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin e Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve.

6Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.

7Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.

Padia kundër Stefanit

8Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull.

9Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të rragateshin me Stefanin.

10Por ata nuk mundën t'i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit që i ndriçonte mendjen kur fliste.

11Atëherë vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë.

12Kështu, ngritën në këmbë popullin, pleqtë e shkruesit dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit.

13Aty sollën disa dëshmitarë të rremë që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër Ligjit.

14Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do t'i ndryshojë doket që na ka lënë Moisiu».

15Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help