1Gjithësinë e krijoi ai që jeton në amshim.
2Vetëm Zoti do të dalë i drejtë
[e nuk ka tjetër përveç tij.
3Ai e ka botën në pëllëmbë të dorës
dhe e drejton,
gjithësia i bindet vullnetit të tij,
ai mbretëron mbi gjithçka me fuqi,
duke dalluar tek ato
të shenjtën nga e rëndomta.]
4Nuk ngarkoi askënd t'ia kumtojë veprat,
se kush i hulumton madhështitë e tij?
5Kush ia mat vallë fuqinë madhështore?
Kush i rrëfen dot përdëllimet e tij?
6Nuk ka kush t'i pakësojë as t'i shtojë,
nuk ka kush t'i matë mrekullitë e Zotit.
7Kur përfundon njeriu, atëherë fillon,
kur ndalet, ngec.
8Ç'është njeriu? Për çfarë nevojitet?
Ç'është e mira dhe e keqja e tij?
9Numri i ditëve të tij
është e shumta njëqind vjet.
10Si një pikë nga uji i detit e si kokrrizë rëre,
ashtu janë pak vite ndër ditët e amshimit.
11Prandaj Zoti është i duruar me ta
e zbraz mbi ta mëshirën e vet.
12Ai sheh dhe e di se fundi i tyre është i lig,
prandaj e shton përdëllimin e vet.
13Njeriu e tregon mëshirën me të afërtin e vet,
por Zoti është i mëshirshëm me çdo gjallesë.
Ai qorton, mëson, udhëzon
dhe kthen pas, siç bën bariu me grigjën e vet.
14Ata që ia pranojnë mësimin i mëshiron,
bashkë me ata që ia dëshirojnë gjykimet.
15Bir, kur të bësh mirë, mos qorto,
mos fol rëndë kur të bësh ndonjë dhuratë.
16A nuk e shuan vesa vapën?
Ashtu edhe fjala është më e mirë se dhurata.
17A nuk është fjala më e mirë se dhurata?
Të dyja vijnë nga njeriu i hirshëm.
18I marri qorton vrazhdë,
dhurata e kopracit rrëmbush sytë.
19Para se të flasësh, njoftohu.
Kujdesu para se të sëmuresh.
20Shqyrtoje veten para gjykimit
dhe në çastin e hetimit do të gjesh falje.
21Para se të lëngosh, përule veten,
në kohë mëkatesh shfaqe pendesën.
22Mos ngurro ta kryesh betimin në kohën e duhur
e mos prit gjer në vdekje për t'u shfajësuar.
23Përgatitu para se t'i vësh vetes një kusht
e mos u bëj si njeriu që vë në provë Zotin.
24Kujtoje zemërimin në ditët e fundit
dhe kohën e hakmarrjes, kur ai kthen kokën.
25Në kohë begatie kujto kohën e urisë,
skamjen dhe nevojën në ditët e kamjes.
26Nga agu në mug ndërron koha,
gjithçka është kalimtare para Zotit.
27Njeriu i urtë është i matur në gjithçka,
në ditë mëkatesh i ruhet shkeljes.
28Çdo i mençur e njeh urtinë
e i thur lëvdata atij që e gjen.
29Ata që i kuptojnë fjalët bëhen të urtë
e u burojnë thënie të përpikta.
30Mos rend pas ëndjeve,
por vëru fre epsheve.
31Po t'u kënaq shpirti me ëndje
bëhesh gazi i armiqve të tu.
32Mos u zdërhall në mirakande të madhe,
mos të të zënë pasojat e saj.
33Mos u skam me hua për gosti,
kur e ke qesen pa gjë,
se luan me jetën.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.