1Kur mbreti Astiag u bashkua me etërit e tij, mbretërinë e mori në dorë Kiri i persëve.
2Danieli ishte afër mbretit dhe dallonte mbi të gjithë miqtë e tij.
3Babilonasit kishin një idhull me emrin Bel, të cilit i kushtonin çdo ditë pesëqind kilogramë nga mielli më i mirë, dyzet kokë dhen e gjashtë masa verë.
4Mbreti e nderonte këtë idhull, prandaj shkonte dhe e adhuronte çdo ditë, ndërsa Danieli i lutej Perëndisë së vet.
5Mbreti i tha Danielit: «Pse nuk adhuron Belin?». Danieli u përgjigj: «Sepse nuk adhuroj idhujt e bërë me dorë, por Perëndinë e gjallë, krijuesin e qiellit e të dheut, që sundon mbi çdo njeri».
6Mbreti i tha: «A nuk të duket se Beli është perëndi i gjallë? A nuk e sheh sa ha e pi çdo ditë?».
7Danieli i tha duke qeshur: «Mos u mashtro, o mbret. Ky perëndi është nga brenda prej balte e nga jashtë prej bakri. As ka pirë e as ka ngrënë kurrë ndonjë gjë».
8Mbreti u zemërua, thirri priftërinjtë e tij e u tha: «Po nuk më thatë se kush i ha gjithë këto ushqime, keni për të vdekur! Po vërtetuat se i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit».
9Danieli i tha mbretit: «Ashtu le të bëhet». Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë në numër, përveç grave e fëmijëve.
10Mbreti e Danieli hynë në tempullin e Belit.
11Priftërinjtë e Belit thanë: «Ne po dalim jashtë, kurse ti, o mbret, vendos ushqimet e shërbe verën, pastaj mbyll derën dhe vulose me unazën tënde. Kur të hysh në mëngjes, po nuk i gjete të gjitha të ngrëna nga Beli, le të vdesim ne, përndryshe të vdesë Danieli që shpifi kundër nesh».
12Ata nuk i trembeshin vdekjes, se kishin hapur nën tryezë një hyrje të fshehtë, prej ku hynin vazhdimisht e hanin ushqimet.
13Ata dolën dhe mbreti i vuri ushqimet para Belit.
14Danieli urdhëroi shërbëtorët e tij të sillnin hi dhe ta shpërndanin nëpër gjithë tempullin në prani të mbretit. Pastaj dolën, mbyllën portën, e vulosën me unazën mbretit dhe u larguan
15Priftërinjtë erdhën natën, me gra e fëmijë, dhe hëngrën e pinë gjithçka siç e kishin zakon.
16Mbreti dhe Danieli u çuan herët në mëngjes.
17Mbreti pyeti: «A janë të paprekura vulat, Daniel?». Danieli u përgjigj: «Të paprekura janë, o mbret».
18Sapo u hap porta, mbreti pa tryezën dhe thirri me zë të lartë: «I madh je, o Bel, e në ty nuk gjendet asnjë mashtrim».
19Danieli qeshi, e mbajti mbretin, që të mos hynte brenda, e tha: «Shikoje pak dyshemenë e më thuaj të kujt janë këto gjurmë».
20Mbreti tha: «Shoh gjurmë burrash, grash dhe fëmijësh».
21Atëherë mbreti u zemërua dhe kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, që i treguan derën e fshehtë nga hynin e hanin gjithçka ndodhej mbi tryezë.
22Mbreti i vrau ata dhe Belin ia dorëzoi Danielit. Ai e shkatërroi atë dhe tempullin e tij.
Danieli mposht dragoin23Babilonasit nderonin një dragua të madh.
24Mbreti i tha Danielit: «Nuk mund ta mohosh se ky është perëndi i gjallë, adhuroje pra».
25Danieli u përgjigj: «Zotin, Perëndinë tim adhuroj, se ai është Perëndia i gjallë. Ti, o mbret, jepmë leje, dhe unë do ta vras dragoin pa shpatë e pa shkop».
26Mbreti tha: «Po të lejoj».
27Danieli mori zift, dhjamë e lesh, i zieu bashkë, bëri një përzierje e ia dha dragoit. Dragoi e hëngri e plasi. Pastaj Danieli tha: «Shihni çfarë nderoni!».
28Kur e morën vesh këtë babilonasit, u zemëruan shumë dhe u ngritën kundër mbretit e thanë: «Mbreti u bë jude. Shkatërroi Belin, vrau dragoin e theri priftërinjtë».
29Shkuan te mbreti e i thanë: «Na dorëzo Danielin, ndryshe të vrasim ty dhe shtëpinë tënde!».
30Kur mbreti pa se po e kërcënonin, u detyrua t'ua dorëzonte Danielin.
31Ata e hodhën në gropën e luanëve dhe e lanë atje gjashtë ditë.
32Në gropë ndodheshin shtatë luanë, të cilëve çdo ditë u hidhnin për të ngrënë dy njerëz e dy dele, por ato ditë nuk u hodhën asgjë, që të hanin Danielin.
33Në Jude ndodhej profeti Habakuk. Ai kishte gatuar një gjellë, kishte thërrmuar bukë në një enë e po ua çonte korrësve në arë.
34Një engjëll i Zotit i tha Habakukut: «Gjellën çoja Danielit në Babiloni, në gropën e luanëve».
35Habakuku i tha: «Imzot, s'e kam parë ndonjëherë Babiloninë dhe nuk e di ku është gropa».
36Engjëlli i Zotit e kapi nga koka, e mbërtheu për flokësh dhe e çoi në Babiloni përmbi gropë me shpejtësinë e erës.
37Atëherë Habakuku thirri: «Daniel, Daniel! Merre këtë gjellë se ta dërgon Perëndia».
38Danieli tha: «U kujtove për mua, o Perëndi. Ti nuk i braktis ata që të duan».
39Pastaj Danieli u ngrit dhe hëngri. Engjëlli i Perëndisë e ktheu Habakukun në shtëpinë e vet.
40Mbreti erdhi te gropa ditën e shtatë për ta vajtuar Danielin. U afrua, vështroi, dhe, ja, Danieli rrinte ulur.
41Ai thirri me zë të lartë e tha: «I madh je, o Zot, Perëndia i Danielit, dhe nuk ka tjetër si ti!».
42Atëherë e nxori Danielin nga gropa, ndërsa ata që kishin kërkuar vdekjen e tij, i hodhi në gropë. Luanët i shqyen para tij.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.