1Filopatori mësoi prej atyre që ishin kthyer se disa nga krahinat nën sundimin e tij ishin pushtuar prej Antiokut. Atëherë thirri nën armë të gjithë ushtrinë, këmbësorinë e kalorësinë, mori me vete të motrën, Arsinonë, dhe marshoi deri në rrethinat e Rafias, ku kishin ngritur fushimin përkrahësit e Antiokut.
2Mirëpo, njëfarë Teodoti kishte sendërgjuar marrjen e pushtetit. Ai mori disa nga ushtarët më të mirë të Ptolemeut, që ishin nën urdhrat e tij, shkoi natën te tenda e Ptolemeut për ta vrarë vetë dhe për t'i dhënë kështu fund luftës.
3Por Dositeu, biri i Drimilit, jude nga prejardhja, por që më vonë kishte ndërruar fe dhe e kishte braktisur ligjin e besimin e etërve, e kishte hequr Ptolemeun nga tenda dhe kishte vënë të flinte aty një njeri të parëndësishëm, i cili pësoi fatin e keq në vend të mbretit.
4U bë një betejë e ashpër dhe Antioku dukej se po ngadhënjente. Atëherë Arsinoa shkoi mes ushtarëve e iu lut me të qara e me flokët lëshuar, që të mbronin veten, fëmijët e gratë e tyre. U premtoi t'i jepte secilit nga tetëqind gramë ar, në rast fitoreje.
5Kështu, gjatë përleshjes kundështarët e Ptolemeut u vranë dhe shumë u kapën rob.
6Pasi ngadhënjeu mbi Antiokun, Ptolemeu vendosi të shkonte në qytetet e afërta për t'u dhënë zemër.
7Duke vepruar kështu e duke bërë dhurata për vendet e shenjta, u dha zemër nënshtetasve të vet.
Filopatori në Jerusalem8Judenjtë i dërguan Ptolemeut anëtarë të kuvendit e të pleqësisë për ta përshëndetur, për t'i sjellë dhurata e për ta përgëzuar për ç'kishte ndodhur. Atëherë Ptolemeu shprehu dëshirën për të shkuar tek ata sa më shpejt.
9Ai shkoi në Jerusalem për t'i kushtuar fli Perëndisë së madhërishëm, për ta falënderuar e për të bërë çka ishte e përshtatshme për atë vend. Kur mbërriti në shenjtërore, u mahnit nga rëndësia dhe hijeshia e vendit.
10U mrekullua nga rregulli i tempullit e donte të hynte në tempull.
11I thanë se kjo nuk ishte e mundur, sepse nuk i lejohej askujt prej popullit, as ndonjërit prej priftërinjve, përveç kreut të tyre, kryepriftit, dhe kjo vetëm një herë në vit. Por ai nuk bindej.
12I lexuan edhe ligjin, por ai nuk u tërhoq. Nguli këmbë se duhej të hynte e tha: «Nëse atyre nuk u lejohet ky nder, mua nuk mund të më ndalohet».
13Mandej pyeti se përse, kur kishte hyrë në të gjithë tempujt e tjerë, askush nuk e kishte ndalur.
14Dikush, nga pakujdesia, i tha se po gabonte duke i mëshuar kësaj gjëje.
15Por ai u përgjigj: «Meqë qenka kështu, përse të mos hyj, duan apo s'duan këta?».
16Priftërinjtë u veshën me rrobat priftërore, ranë në gjunjë dhe iu përgjëruan Perëndisë së madhërishëm që t'i ndihmonte në ato çaste e t'ia priste hovin për të bërë atë përdhosje. Shenjtërorja buçiste nga klithmat e nga lotët.
17Banorët e qytetit dolën menjëherë nga shtëpitë, pa e kuptuar mirë se çfarë po ndodhte.
18Vashat e mbyllura nëpër dhoma dolën me vrull bashkë me nënat e tyre dhe hodhën pluhur në flokë. Sheshet oshëtinin nga vajtimet dhe nga gjëma e tyre.
19Vashat e sapo premtuara për martesë, i braktisën dhomat nusërore, e harruan turpin, që u takonte, dhe dolën vrik anekënd qytetit.
20Nënat dhe mëndeshat, që mëndnin foshnjat e sapolindura, i lanë kudo gjendeshin, disa nëpër shtëpi e të tjera nëpër rrugë, dhe u mblodhën te tempulli i tërëlartë, pa e kthyer kokën pas.
21Të mbledhurit te tempulli u lutën me çfarëdolloj përgjërimi kundër veprimeve të marra që donte të bënte mbreti.
22Më të guximshmit e banorëve nuk e pranonin assesi këmbënguljen e mbretit dhe zbatimin e synimit të tij.
23Ata lëshuan kushtrimin për të rrëmbyer armët e për të vdekur me guxim për ligjin e etërve, duke shkaktuar një trazirë të madhe në tempull. Kuvendarët dhe pleqtë i ndalën me vështirësi. Atëherë iu bashkuan atyre që po luteshin.
24Ndërkohë, turma vijonte të lutej si më parë.
25Pleqtë që e rrethonin mbretin u përpoqën me shumë mënyra t'ia largonin mendjen kryeneçe nga synimi që kishte.
26Por, mbreti mori më shumë guxim dhe, duke shpërfillur gjithçka, iu afrua tempullit, i bindur se do të bënte ç'kishte shpallur.
27Kur i pa këto ndodhi, edhe shpura e mbretit iu bashkua tanëve për t'iu lutur atij që kishte pushtetin për të na ardhur në ndihmë e për të mos e lejuar atë veprim të paudhë e kryeneç.
28Nga të gjitha klithmat e shpeshta dhe të dhimbshme të turmave krijohej një oshtimë e papërshkrueshme.
29Dukej sikur oshtinin jo vetëm njerëzit, por edhe muret me mbarë dheun. Të gjithë donin të vdisnin më mirë, se të ndodhte përdhosja e vendit të shenjtë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.