1Aleksandri, biri i Filipit, maqedonasit, doli nga vendi i Ketimit dhe pasi mposhti Darin, mbretin e persëve e të medëve, mbretëroi në vend të tij. Më parë kishte mbretëruar në Greqi.
2Ai luftoi në shumë beteja, pushtoi shumë fortesa, vrau mbretërit e tokës,
3arriti deri në skajet e dheut dhe plaçkiti shumë kombe. Kur toka ra në heshtje nën sundimin e tij, ai u madhërua e zemrën ia pushtoi krenaria.
4Mblodhi një ushtri shumë të fuqishme dhe sundoi përmbi vende, kombe e mbretër, të cilët i paguanin taksën e nënshtrimit.
5Pas këtyre, zuri shtratin dhe kuptoi se po vdiste.
6Atëherë thirri vartësit më të rëndësishëm, me të cilët ishte rritur që fëmijë, dhe ua ndau mbretërinë sa ishte gjallë.
7Kështu, pas dymbëdhjetë viteve mbretërim, Aleksandri vdiq.
8Vartësit e tij qeverisën secili në vendin e vet.
9Pas vdekjes së Aleksandrit, të gjithë vunë nga një kurorë në kokë, lanë në fron bijtë e vet dhe të këqijat u shtuan mbi dhe.
10Prej pasardhësve të tyre erdhi mëkatari Antiok Epifani, biri i mbretit Antiok, që ishte rob në Romë. Ky mbretëroi në vitin e njëqindetridhjeteshtatë të mbretërimit të helenëve.
11Në ato ditë erdhën nga Izraeli ca njerëz të paudhë e bindën shumë vetë duke u thënë: «Le të shkojmë të lidhim besën me kombet, sepse, që kur jemi ndarë, na kanë rënë shumë të këqija».
12Kjo u pëlqeu shumë vetëve,
13prandaj disa prej popullit shkuan te mbreti dhe ky u dha leje të jetonin sipas dokeve të kombeve.
14Ndërtuan një shkollë sporti në Jerusalem sipas dokeve të kombeve,
15hoqën shenjat e rrethprerjes, u larguan nga besëlidhja e shenjtë, u përshtatën me kombet dhe u shitën për të bërë të keqen.
Përdhosja e tempullit16Kur Antiokut iu duk se mbretëria ishte e qëndrueshme, ai synoi të mbretëronte edhe mbi Egjipt e të bëhej mbret i dy mbretërive.
17Mësyu Egjiptin me ushtri të madhe, me koçi, elefantë, kuaj e me flotë të madhe.
18I shpalli luftë Ptolemeut, mbretit të Egjiptit, dhe Ptolemeu ia mbathi e u largua. Shumë vetë mbetën të plagosur.
19Egjiptit i pushtoi qytetet e fortesat dhe i mori prenë.
20Në vitin e njëqind e dyzet e tretë, pasi kishte pushtuar Egjiptin, Antioku u kthye kundër Izraelit e u ngjit në Jerusalem me ushtri të madhe.
21Hyri në shenjtërore me kryeneçësi, mori altarin e artë, shandanin, të gjitha enët e tempullit,
22tryezën e paravënies, kanat, kupat, tasat e artë, perdet, kurorat e zbukurimet e arta në balloren e tempullit. I përlau të gjitha.
23Mori edhe argjendin, arin, enët e shtrenjta dhe thesaret e fshehura që gjeti.
24Pasi mori gjithçka, u nis për në vendin e vet. La pas shumë të vrarë e fliste tërë mburrje.
25Zi e madhe ra mbi Izraelin
e mbi çdo vend të tij.
26Prijësit e pleqtë vajtonin,
vashat e djelmoshat u sëmurën,
hijeshia e grave u venit.
27Dhëndurët ia nisën vajit,
nusja në dhomën e nusërisë
qante e pikëlluar.
28U trand toka për banorët e vet,
mbarë shtëpia e Jakobit u mbulua me turp.
Pushtimi i Jerusalemit29Pas dy vitesh mbreti dërgoi një tagrambledhës në qytetet e Judës. Ai erdhi në Jerusalem me një ushtri të madhe.
30I mashtroi njerëzit me fjalë të paqme dhe ata e besuan. Iu sul qytetit me befasi, e goditi rëndë e vrau shumë izraelitë.
31E plaçkiti qytetin, e dogji me zjarr dhe shkatërroi shtëpitë e muret përreth.
32Gratë e fëmijët i mori rob dhe bagëtitë i ndanë me short.
33Qytetin e Davidit e rrethuan me mure të mëdha e me kulla të fortifikuara dhe e kthyen në vend strehimi.
34Vendosën aty një komb mëkatar, burra të paudhë, që u ngulën atje.
35Mblodhën armë e ushqime, gjithçka kishin plaçkitur në Jerusalem dhe u bënë kërcënim i madh.
36U bë kurth për shenjtëroren, kundërshtar i lig për Izraelin në çdo kohë.
37Përreth shenjtërores derdhën gjak të pafajshëm,
përdhosën vendin e shenjtë.
38Banorët e Jerusalemit u larguan për shkak të tyre,
qyteti u bë vendbanimi i të huajve,
i huaj për të vetët,
bijtë e tij e braktisën.
39Shenjtërorja iu shkretua si shkretëtira,
festat iu kthyen në zi,
të shtunat në fyerje,
nderi në përbuzje.
40Më i madh çnderimi,
se lavdia e dikurshme
e madhështia iu kthye në pikëllim.
41Mbreti i shkroi mbarë mbretërisë, që të gjithë të bëheshin një popull
42e secili të braktiste doket e veta. Të gjitha kombet vepruan sipas urdhrit të mbretit.
43Shumë izraelitë e pranuan fenë e mbretit, u kushtuan fli idhujve dhe përdhosën të shtunën.
44Mbreti dërgoi letra në Jerusalem e në qytetet e Judës me anë të lajmëtarëve dhe urdhëroi të ndiqnin ligjet e të huajve në atë vend.
45Ndaloi flitë e shkrumbimit, flitë e drithit e të stërpikjes në shenjtërore dhe përdhosi të shtunat e festat,
46tempullin e priftërinjtë.
47Ndërtoi altarë, faltore e idhuj dhe kushtoi derra e kafshë të papastra.
48Ua ndaloi rrethprerjen e bijve dhe ata u ndotën me çfarëdolloj ndyrësie e përdhosjeje,
49aq sa harruan ligjin dhe ndryshuan doket.
50Kush nuk i bindej urdhrit të mbretit, vritej.
51Këto fjalë i dërgoi në mbarë mbretërinë, caktoi mbikëqyrës mbi gjithë popullin, të cilët i dërgoi në qytetet e Judës, që të kushtonin fli në çdo qytet.
52Shumë nga populli, të gjithë ata që kishin braktisur ligjin, u bashkuan me mbikëqyrësit e bënë ligësi në vend.
53E detyruan Izraelin të fshihej në çfarëdolloj strehimi.
54Në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit Haselev, të vitit të njëqindedyzetepestë, ngriti një idhull përdhosës mbi altar. Ndërtuan altarë edhe përreth qyteteve të Judës.
55Kushtuan temjan në pragjet e dyerve e në sheshe.
56Të gjithë librat e ligjit, që gjetën, i dogjën në zjarr.
57Kush gjendej me ndonjë libër të besëlidhjes apo duke mbajtur ligjin, vritej me urdhër të mbretit.
58Izraelitët që gjenin nëpër qytete i shtypnin me dhunë muaj për muaj.
59Ditën e njëzetepestë të muajit kushtonin fli në altarin e ndërtuar përmbi altarin e tempullit.
60Gratë, që i rrethprisnin bijtë, vriteshin sipas urdhrit
61bashkë me familjet e me rrethprerësit, kurse foshnjat ua varnin në qafë nënave.
62Megjithatë, shumë izraelitë qëndruan të palëkundur e nuk hëngrën ushqime të papastra.
63Zgjodhën të vdisnin që të mos ndoteshin nga ushqimi e të mos përdhosnin besëlidhjen e shenjtë. Dhe vdiqën.
64Në Izrael u ndez një zemërim i madh.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.