Naumi 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Shkatërrimi i Ninivës

1 «Ja, mbi male,

këmba e kasnecit,

e atij që paqen shpall.

Kremtoji festat, o Judë,

përmbushi zotimet e tua,

se i poshtri nuk do të të pushtojë më,

ai mori fund krejt.

2Shpartalluesi po vjen kundër teje.

Ruaji kullat, vrojtoje udhën,

ngjishi ijët e mblidhe tërë fuqinë.

3Se Zoti ia ktheu lavdinë Jakobit,

ia ktheu lavdinë Izraelit,

ndonëse grabitësit i bastisën

e të mbjellat ua rrënuan.

4Shqytet e trimave kuqëlojnë,

luftëtarët në kërmëz vezullojnë.

Karrocat flakërojnë,

kur për luftë i rreshton,

heshtat i fërgëllojnë.

5Të tërbuara, karrocat rrugëve vërshojnë,

lart e poshtë shesheve vrapojnë.

Duken porsi rrufeja,

turren porsi shkreptima.

6I mbledh prijësit,

por rrugës ata pengohen.

Drejt mureve armiqtë shpejtojnë,

dashi gati u bë.

7U hapën portat e lumenjve,

pallati mbretëror u drodh.

8Ninivën e zhveshën, e rrëmbyen,

shërbëtoret e saj vajtojnë,

gugatin porsi pëllumba,

gjoksin rrahin fort.

9Niniva është si liqeni

uji i të cilit shteron.

“Ndaluni! Ndaluni!”.

Por askush nuk kthehet mbrapsht.

10Rrëmbeni argjend!

Rrëmbeni ar!

Thesaret nuk kanë fund,

përplot me sende të çmuara.

11Bastisje, plaçkitje e shkatërrim!

Zemra mpaket, gjunjët dridhen, shtati ngjethet,

fytyrat e të gjithëve zverdhen.

12Ç'po ndodh me këtë strofull luanësh,

me këtë shpellë këlyshësh luani?

Ku luani, luanesha e pjella e tyre

bridhnin pa u trazuar.

13Ku luani shqyente mjaftueshëm për këlyshët

e pre për luaneshat sillte.

E mbushte shpellën me pre,

strofullin me mish të shqyer.

14“Ja, jam kundra teje!”, kumton Zoti.

Do të t'i djeg qerret, tym do të t'i bëj,

shpata do t'i përpijë këlyshët e luanëve të tu.

Do ta zhduk prej faqes së dheut prenë që zure,

kasnecëve të tu kurrë s'do t'u dëgjohet zëri».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help