Isaia 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Mjerë ata që nxjerrin rregulla paudhësie

e shkruajnë ligje që përligjin shfryrëzimin,

2për t'u shkelur të drejtën skamnorëve,

për t'u mohuar drejtësinë mjeranëve të popullit tim,

për t'i bërë vejushat prenë e tyre,

për t'i plaçkitur jetimët.

3Ç'do të bëni ditën e ndëshkimit,

kur të vijë mjerimi prej së largu?

Te kush do të vraponi për ndihmë,

thesaret tuaja ku do t'i lini?

4Sepse do të gjunjëzoheni mes të burgosurve

e do të bini ndër të vrarët.

E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit

e krahu i tij mbeti i shtrirë.

Profeci kundër Asirisë

5Mjerë Asiria, thupra e zemërimit tim!

Në duart e saj është shkopi i furisë sime.

6Kundër një kombi të pafe po e dërgoj,

kundër një populli, që më zemëron, e urdhëroj,

që ta plaçkitë e ta bëjë pre,

që ta shkelë me këmbë si baltën e rrugës.

7Por ai nuk e mendon kështu,

në zemër sheston tjetër gjë,

ka vendosur të shfarosë,

të shuajë kombe jo të pakta.

8E thotë: «A nuk janë prijësit e mi si mbretërit?

9A s'është Kalnehu si Karkemishi?

A s'është Hamati si Arpadi?

Si Damasku a s'është Samaria?

10Dora ime pushtoi mbretëritë idhujtare,

ndonëse idhujt e tyre ishin më të shumtë

se në Jerusalem e në Samari.

11A nuk do t'ia bëj Jerusalemit e idhujve të tij

siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj?».

12E kur Zoti ta ketë përfunduar veprën e tij në malin e Sionit e në Jerusalem, do ta ndëshkojë krenarinë e zemrës së mbretit të Asirisë e vështrimin kryeneç të syve të tij,

13se tha:

«Veprova me fuqinë e krahut tim,

me urtinë e mençurinë time.

Kufijtë mes popujve i zhduka,

thesaret e tyre i plaçkita,

si trim i plandosa ata që ulen ndër frone.

14Dora ime i gjeti thesaret e popujve,

si të ishin në një fole zogjsh,

dhe siç mblidhen vezët e braktisura,

ashtu e mblodha botën mbarë.

Askush s'i hapi dot krahët për të fluturuar,

askush s'e hapi sqepin për të cicëruar».

15A mburret sëpata para atij që me të pret?

A krenohet sharra para atij që e përdor?

A thua shufra e drejton atë që e mban në dorë,

apo shkopi e ngre lart atë që s'është prej druri?

16Prandaj, Zoti, Zoti i ushtrive,

mes më të fortëve të tij plagë do të dërgojë,

atje ku kishte lavdi do të ndizet flaka,

do të djegë si zjarri përvëlues.

17Drita e Izraelit do të jetë si zjarri,

i shenjti i Izraelit porsi flaka,

do të djegë e do të përpijë brenda ditës

shkurret e ferrat e tij.

18Lavdisë së pyllit e të kopshtit të tij

do t'ia përpijë mishin e shpirtin,

si i sëmuri që lëngon për vdekje,

ashtu do të mbetet.

19Do të mbesin aq pemë nga pylli i tij,

sa t'i numërojë edhe një fëmijë.

20Atë ditë do të ndodhë që teprica e Izraelit dhe të mbijetuarit e shtëpisë së Jakobit nuk do të mbështeten më tek ai që i godiste, por do të mbështeten me besnikëri te Zoti, i shenjti i Izraelit.

21Teprica, teprica e Jakobit, do të kthehet te Perëndia i fuqishëm.

22E megjithatë, o Izrael, edhe nëse populli yt do të ishte si rëra e detit, vetëm teprica do të kthehej atje. Është vendosur shfarosja, që të shkojë në vend drejtësia.

23Urdhrin e shfarosjes e dha Zoti, Zoti i ushtrive, dhe po e zbaton në mbarë vendin.

24Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: «Mos ki frikë prej Asirisë, o populli im, që banon në Sion. Njëmend do të të godasë me thupër e shkopin do të ngrejë mbi ty, ashtu si Egjipti,

25por edhe pak e do të marrë fund, se zemërimi im do të ndizet flakë për t'i shkatërruar».

26Mbi të Zoti i ushtrive do të ngrejë një fshikull, ashtu siç bëri kundër Midianit te shkëmbi i Orebit. Do ta lartësojë shkopin e tij mbi det, ashtu siç bëri në Egjipt.

27E do të ndodhë atë ditë,

që barra e tij do të hiqet prej shpatullës sate,

zgjedha e tij prej qafës sate,

prej të majmurit do të thyhet zgjedha e tij.

28Ia behu në Ajat,

nëpër Migron kaloi,

në Mikmas plaçkat shkarkoi.

29Ja, tek përshkuan shtegun,

në Gebë po kalojnë natën,

Ramahu po dridhet,

Gibeahu i Saulit merr arratinë.

30Gërthit sa të kesh zë, o bija e Galimit!

Dëgjo mirë, o Lajshah, përgjigju, o Anatot!

31Madmenahu ka marrë arratinë,

banorët e Gebimit kanë ikur.

32Po atë ditë do të qëndrojë në Nob

e do të tundë grushtin kundër malit të bijës së Sionit,

kundër kodrës së Jerusalemit.

33Ja, Zoti, Zoti i ushtrive

me dhunë do t'i presë degët,

më të lartat do të priten,

majat do të shkurtohen.

34Pyllin e dendur do ta presë me sëpatë,

Libani do të bjerë me gjithë madhështinë e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help