Psalmet 74 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Himn i Asafit.

Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi?

Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?

2Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove,

fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre,

malin e Sionit, ku banesën vure.

3Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme,

armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore.

4Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë,

kanë ngritur emblemat e tyre.

5Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat

brenda në pyllin e dendur.

6E tani me sëpata e me sakica

po ia thyejnë të gjitha gdhendjet.

7I vunë zjarrin shenjtërores sate,

e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd.

8E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!».

I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë.

9Nuk i shohim më emblemat tona,

as profet nuk ka më,

e askush nga ne nuk e di

edhe sa kohë do të zgjatë.

10Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku?

Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd?

11Përse e ke tërhequr dorën tënde?

Të djathtën tënde përse e mban në gji?

12O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi,

ai që sjell shpëtimin mbi tokë.

13Me fuqinë tënde e ndave detin,

përbindëshave të ujit u thërrmove kokën.

14Ti ia shtype kokën Leviatanit,

ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës.

15Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj,

ti thave lumenj të pashtershëm.

16Jotja është dita, jotja edhe nata,

ti e krijove ndriçuesin dhe diellin.

17Ti i caktove tërë kufijtë tokës,

ti e përftove verën edhe dimrin.

18Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar,

se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd.

19Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate,

mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu.

20Përfille besëlidhjen tënde,

se vendet e errëta të tokës

janë mbushur me strofka dhune.

21I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar,

skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd.

22Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde,

kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën!

23Mos e harro britmën e armiqve të tu,

ulërimën e kundërshtarëve të tu,

që ngjitet lart pa pushim.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help