Zanafilla 25 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Pasardhësit e Abrahamit

1Abrahami mori një grua tjetër që quhej Ketura.

2Ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin, Ishbakun e Shuahun.

3Jokshanit i lindi Shebai e Dedani. Bijtë e Dedanit ishin ashuritët, letushitët e leumitët.

4Bijtë e Midianit ishin Efahu, Eferi, Enoku, Abidai e Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturasë.

5Abrahami ia la Isakut gjithë pasurinë e vet.

6Por bijve të shemrave të veta u dha dhurata e, ndërsa ishte gjallë, i dërgoi drejt lindjes, në vendin lindor, larg nga i biri, Isaku.

7Abrahami jetoi njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.

8Ai dha shpirt e vdiq në pleqëri të lume, i thyer në moshë e me jetë të gjatë dhe u varros bashkë me popullin e tij.

9Isaku e Ishmaeli, bijtë e tij, e varrosën në shpellën e Makpelës, që është në lindje të Mamreut, në arën e Efronit, birit të Cohar Hititit,

10që Abrahami e pati blerë prej bijve të Hetit. Atje u varros ai e Sara, gruaja e tij.

11Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia e bekoi Isakun, birin e tij, dhe ai banoi pranë Ber Lahaj Roiut.

Pasardhësit e Ishmaelit

12Këta janë pasardhësit e Ishmaelit, birit të Abrahamit, që ia lindi Hagara, egjiptiania, skllavja e Sarës.

13Këta janë emrat e bijve të Ishmaelit sipas radhës: Nebajoti, i parëlinduri i Ishmaelit, Kedari, Adbeli, Mibsami,

14Mishmai, Dumahu, Masai,

15Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi e Kedmahu.

16Këta janë bijtë e Ishmaelit dhe emrat e tyre sipas fshatrave e fushimeve të tyre; dymbëdhjetë prijës sipas fiseve të tyre.

17Ishmaeli jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Ai dha shpirt, vdiq e u varros bashkë me popullin e vet.

18Bijtë e Ishmaelit banuan nga Havilahu deri në Shur, që është përballë Egjiptit, në drejtim të Asirisë. Ata jetuan në kundërshti me vëllezërit e tij.

Lindja e Esaut dhe e Jakobit

19Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku.

20Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit.

21Isaku iu lut Zotit për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. Zoti e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë.

22Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë Zotin.

23Atëherë Zoti i tha:

«Dy kombe janë në barkun tënd

e dy popuj do të dalin prej teje.

Njëri do të jetë më i fortë se tjetri

e i madhi do t'i shërbejë të voglit».

24Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë.

25I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau.

26Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë.

27Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda.

28Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin.

Esau shet të drejtën e parëlindjes

29Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë, Esau erdhi prej fushës i lodhur

30e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom.

31Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes».

32Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?».

33Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes.

34Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help