Ezekieli 24 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rrethimi i Jerusalemit

1Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, në ditën e dhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

2«Bir i njeriut, shkruaje emrin e ditës, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë i është sulur Jerusalemit në këtë ditë.

3Tregoji një shëmbëlltyrë fisit kryeneç e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:

vëre kusinë, vëre!

Hidhja edhe ujin!

4Qitja copat e mishit,

të gjitha copat e mira,

kofshën dhe shpatullën,

mbushe me kockat e përzgjedhura,

5merr ajkën e grigjës,

vër edhe pirgun e urëve nën të,

vloje me valë,

që edhe kockat brenda saj të ziejnë.

6Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar, kusi e ndryshkur që nuk i ka dalë ndryshku. Nxirr prej andej një copë pas tjetrës, pa hedhur short në të!

7Se ai derdhi gjak në mesin e vet, e zbrazi mbi shkëmbin e zhveshur, nuk e derdhi përtokë, për ta mbuluar me pluhur.

8Për ta shfryrë zemërimin, për të marrë hak, e vura gjakun e tij mbi shkëmbin e zhveshur, që të mos mbulohet.

9Prandaj, kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do ta ngre pirgun e madh.

10Shumoi drutë, ndize zjarrin, zieje mishin krejt, përzieji erëzat e le të digjen kockat.

11Vëre të zbrazur mbi prush, që të nxehet, t'i skuqet bakri, të shkrihet papastërtia në mesin e saj e t'i soset ndryshku.

12E lodhën mundimet, por nuk i del me zjarr ndryshku i saj i madh.

13Unë do të të pastroja, por ti nuk u pastrove nga papastërtitë e tua, prandaj për shkak të papastërtisë sate të shthurur, nuk do të pastrohesh më deri kur të reshtë zemërimi im ndaj teje.

14Unë, Zoti, fola. Do të veproj e nuk do të ndalem. Nuk do të kem dhembshuri e nuk do të kem mëshirë. Do të të gjykoj sipas sjelljeve të tua dhe sipas bëmave të tua, kumton Zoti im, Zoti».

Vdekja e gruas së Ezekielit

15Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

16«Bir i njeriut, ja, po ta heq befas dëshirimin e syve, por mos u anko, mos qaj e mos derdh lot.

17Psherëti në heshtje e mos mbaj zi për të vdekurit. Lidhe kësulën e mbathi sandalet në këmbë. Mos u mbulo gjer mbi buzë e mos e ha bukën e njerëzve».

18Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes veprova siç më ishte urdhëruar.

19Populli më pyeti: «A s'do të na e tregosh kuptimin e këtyre që po bën?».

20Unë u përgjigja: «Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

21thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e përdhos shenjtëroren time, krenarinë e fuqisë suaj, dëshirimin e syve tuaj dhe dashurinë e shpirtit tuaj. Bijtë e bijat tuaja, që i latë atje, do të bien prej shpatës.

22Ju do të bëni siç bëra unë. Nuk do të mbuloheni gjer mbi buzë dhe nuk do ta hani bukën e njerëzve.

23Do t'i mbani kësulat në kokë dhe sandalet në këmbë. Nuk do të vajtoni, por as do të qani. Do të breheni nga fajet tuaja e do të shfryni kundër njëri-tjetrit.

24Ezekieli do të jetë shenjë për ju. Kur të ndodhin këto, ju do të veproni si ai dhe do të merrni vesh se unë jam Zoti.

25Ti, bir i njeriut, në ditën kur do t'ua heq atyre fortesën, gëzimin dhe hijeshinë e tyre, dëshirimin e syve të tyre, lehtësinë e shpirtit të tyre, bijtë dhe bijat e tyre,

26atë ditë do të vijë te ti një ikanak, për të të njoftuar.

27Atë ditë do të të hapet goja, për të folur me ikanakun. Do të flasësh e nuk do të jesh më i pagojë. Do të jesh shenjë për ta dhe ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help