Siraku 25 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Fjalë të mençura

1Tri gjëra më pëlqejnë e janë të këndshme

para Zotit e para njerëzve:

mirëkuptimi me vëllezërit,

miqësia me të afërtit,

burri e gruaja që puqen.

2Tri dukuri i urrej me shpirt,

se më ngacmon fort jeta e tyre:

varfanjaku mburravec, pasunari gënjeshtar,

plaku kurvar i rrjedhur nga mendja.

3Po nuk mblodhe në rini,

si mund të gjesh në pleqëri?

4Sa hije i ka të thinjurit gjykimi

e plakut njohuria e këshilla!

5Sa e këndshme është urtia e të moshuarve,

mendimi dhe këshilla e të nderuarve!

6Kurora e të moshuarve është përvoja e madhe,

mburrja e tyre është droja e Zotit.

7Mendoj se nëntë gjëra e lumturojnë zemrën,

por një të dhjetë e kam në majë të gjuhës:

njeriu që u gëzohet fëmijëve

dhe sheh rënien e armikut sa është gjallë.

8Lum kush ndan shtëpinë me gruan e mençur,

kush nuk gabon me gjuhë

e nuk i nënshtrohet më të ultit.

9Lum kush gjen mençurinë

dhe i flet veshit që dëgjon.

10Sa i madh kush gjen urtinë!

Por s'ka mbi atë që druan Zotin.

11Droja e Zotit tejkalon gjithçka,

kush matet me atë që e ka?

12[Dashuria për Zotin fillon me drojën e tij,

lidhja me të nis përmes besimit.]

13Çdo plagë, por jo plagën e zemrës!

Çdo ligësi, por jo ligësinë e gruas!

14Çdo pikëllim, por jo pikëllimin prej urryesve!

Çdo hakmarrje, por jo hakmarrjen e armiqve!

15S'ka kokë si koka e gjarprit,

s'ka zemërim si zemërimi i armikut.

Ligësia e gruas

16E ndaj shtëpinë me luan e dragua

më mirë se me të ligën grua.

17Ligësia ia ndryshon pamjen gruas,

ia nxin fytyrën si ariut.

18Burri i saj ia mësyn sofrës së të tjerëve

e ofshan hidhur pa dashje.

19Çdo ligësi është e vogël para ligësisë së gruas,

asaj i rëntë shorti i mëkatarit!

20Si e përpjetë rëre për këmbët e plakut

është gruaja gojëzgjidhur për një burrë të heshtur.

21Mos u kalamend nga bukuria e gruas

e mos të të zërë epshi i gruas.

22Zemëratë, marre e turp i madh

nëse gruaja mban burrin.

23Zemrën e flashkët, fytyrën e vrenjtur

e lëngatën e zemrës i sjell gruaja e ligë.

Duar të mekura e gjunjë të këputur

vijnë prej asaj që nuk e gëzon burrin.

24Te gruaja zë fill mëkati,

prej saj vdesim të gjithë.

25Ujit mos i hap udhën

e gruas së ligë gojën.

26Nëse nuk të mban krah,

ndaje nga vetja.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help