Siraku 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kur mëkaton

1Bir, mëkatove? Mos e bëj më,

por lutu edhe për mëkatet e shkuara.

2Iki mëkatit si gjarprit,

se, po t'i afrohesh, të kafshon,

dhëmbët e tij si dhëmbë luani,

ia rrënojnë shpirtin njeriut.

3Si shpatë me dy tehe është paudhësia,

për plagët e saj nuk ka shërim.

4Dhuna e mujshia rrënojnë begatinë,

ashtu do të rrënohet shtëpia e mujsharit.

5Lutja e skamnorit,

nga goja e tij në vesh të Zotit,

se gjykimi i tij vjen shpejt.

6Kush urren qortimin, ndjek gjurmën e mëkatarit,

kush druan Zotin, pendohet me gjithë zemër.

7Fjalëmadhi është i kudonjohur,

por i mençuri ia njeh shkarjet.

8Kush bën shtëpi me paratë e tjetërkujt,

është si ai që grumbullon gurë për varr.

9Shtëllungë leshi, grumbullimi i të paudhëve,

flakë zjarri, fundi i tyre.

10Mëkatarët e kanë rrugën shtruar me gurë,

por në fund gjejnë gropën e skëterrës.

Urtia dhe marrëzia

11Kush zbaton ligjin, mbledh mendjen,

droja e përsosur e Zotit është urti.

12Të paaftin nuk e mëson dot,

por ka edhe aftësi që shton hidhërimin.

13Dija e të urtit gufon si përmbytja,

këshilla e tij si gurrë e gjallë.

14Brendia e të marrit, si enë e thyer,

nuk përmban asnjë dije.

15I dituri dëgjon një fjalë të urtë,

e lavdëron e i shton diçka.

E dëgjon i shthururi, e përçmon

dhe e hedh pas krahëve.

16Rrëfimi i të marrit, si barra gjatë udhës,

por në buzët e të mençurit gjendet hir.

17Thëniet e të maturit kërkohen në bashkësi,

fjalët e tij përsiaten në zemër.

18Si fara që shuhet është urtia për të marrin,

njohuria e të pamendit, fjalim i pakuptimtë.

19Vargua në këmbët e të pamendit është dituria,

prangë në dorën e djathtë.

20I marri qesh me të madhe,

i zgjuari buzëqesh heshtur.

21Si stoli ari i rri dituria të mençurit,

rreth në krahun e djathtë.

22I marri ngutet të hyjë në çdo shtëpi,

i maturi rri përjashta.

23I marri përgjon shtëpinë nga dera,

njeriu i ditur rri përjashta.

24Kush dëgjon pas derës është njeri i panxënë,

të mençurin e rëndon ky çnderim.

25Fjalëshumët flasin me fjalët e të tjerëve,

por fjalët e të mençurve maten me peshore.

26I marri ç'ka në zemër e thotë me gojë,

i mençuri ka në zemër ç'thotë me gojë.

27Kur i pafeu mallkon kundërshtarin,

shpirtin e vet mallkon.

28Shpifësi ndyen veten

dhe urrehet nga të afërtit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help