1Mbreti i Egjiptit mblodhi një ushtri të madhe sa rëra e bregdetit e shumë anije. Ai u përpoq ta nënshtronte mbretërinë e Aleksandrit me mashtrim.
2Doli në Siri me fjalë paqësore dhe banorët e qyteteve ia hapën dyert dhe e pritën, se mbreti Aleksandër kishte urdhëruar ta takonin, meqë e kishte vjehërr.
3Kur Ptolemeu hynte nëpër qytete, vendoste ushtarë roje në secilin qytet.
4Iu afruan Azotit, i treguan për tempullin e djegur të Dagonit, për rrënimin e Azotit me rrethina, për kufomat e shpërndara e të djegura në luftë që i kishin grumbulluar gjatë udhës së tij.
5I treguan mbretit çfarë kishte bërë Jonatani, që ta fajësonin, por mbreti heshti.
6Jonatani i doli para mbretit me nderime në Jopë, u përshëndetën dhe kaluan natën atje.
7Jonatani e mbreti shkuan deri te lumi që quhet Eleuter, pastaj u kthyen në Jerusalem.
8Mbreti Ptoleme mori në zotërim qytetet e bregdetit deri në Seleukinë detare e thurte mendime të liga kundër Aleksandrit.
9Dërgoi lajmës te mbreti Dhimitër, për t'i thënë: «Të bëjmë marrëveshje me njëri-tjetrin e do të të jap time bijë, që ishte e Aleksandrit, dhe do të mbretërosh në mbretërinë e atit tënd.
10Jam penduar që ia dhashë bijën time, se ai u përpoq të më vriste».
11Ai e fajësoi Aleksandrin, se i lakmonte mbretërinë.
12Ia mori të bijën e ia dha Dhimitrit. Me Aleksandrin ndryshoi qëndrim e doli në pah armiqësia mes tyre.
13Ptolemeu hyri në Antioki e mori kurorën e Azisë. Vuri në kokë dy kurora, atë të Egjiptit e të Azisë.
14Mbreti Aleksandër ndodhej në atë kohë në Kiliki, për shkak se banorët e atyre vendeve kishin ngritur krye.
15Kur dëgjoi këtë gjë, doli në luftë kundër tij. Edhe Ptolemeu doli, iu përgjigj me dorë të fortë dhe e mposhti.
16Aleksandri u arratis në Arabi për t'u strehuar atje e mbreti Ptoleme ngadhënjeu.
17Arabi Zabdiel ia preu kokën Aleksandrit e ia dërgoi Ptolemeut.
18Pas tri ditësh vdiq edhe mbreti Ptoleme dhe ata që gjendeshin nëpër fortesa u vranë nga banorët e fortesave.
19Dhimitri u bë mbret në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë.
Jonatani dhe Dhimitri II20Në ato kohë Jonatani mblodhi burrat e Judesë për të sulmuar fortesën e Jerusalemit e sajoi shumë mjete lufte.
21Por disa burra të paudhë, që e urrenin kombin e tyre, shkuan te mbreti e i thanë se Jonatani po rrethonte fortesën.
22Kur e dëgjoi këtë, ai u zemërua, u ngrit menjëherë dhe erdhi në Ptolemaidë. I shkroi Jonatanit të mos e vinte rrethimin e t'i dilte para në takim në Ptolemaidë sa më shpejt.
23Kur Jonatani dëgjoi këtë, urdhëroi të vijonte rrethimi. Zgjodhi disa nga pleqtë e priftërinjtë e Izraelit dhe vuri veten në rrezik,
24se mori me vete argjend, ar, rroba e dhurata të tjera të shumta, shkoi te mbreti në Ptolemaidë dhe gjeti përkrahje prej tij.
25Disa të paudhë nga kombi i tij i dolën kundër.
26Mbreti u soll me Jonatanin si paraardhësit e vet dhe e lartësoi para të gjithë miqve të tij.
27Ia njohu kryepriftërinë e të gjitha nderimet e tjera të mëparshme dhe e rreshtoi me miqtë e vet më të afërt.
28Jonatani i kërkoi mbretit ta lironte nga tagrat Judenë me tre rrethet e me Samarinë e i premtoi tetë mijë e njëqind kilogramë argjend.
29Mbreti dha pëlqimin e i shkroi letra Jonatanit, për çdo çështje, me këtë përmbajtje:
30«Mbreti Dhimitër vëllait të vet Jonatanit e kombit të judenjve: përshëndetje.
31Kopjen e letrës që ia shkruam të afërmit tonë Lastenit në lidhje me ju, po jua shkruajmë edhe juve për dijeni:
32“Mbreti Dhimitër, Lastenit, të atit: përshëndetje.
33Kemi gjykuar se është mirë ta përkrahim kombin e judenjve që janë miqtë tanë e nderojnë të drejtat tona, falë mirësisë që tregojnë ndaj nesh.
34U kemi dhënë trojet e Judesë dhe tre rrethet e Aferemës me Lidën e Ratamin që i qenë bashkangjitur Judesë nga Samaria bashkë me vartëset e tyre. Të gjithë ata që shkojnë të kushtojnë fli në Jerusalem, i kemi liruar nga tagrat e përvitshme të prodhimit të tokës e të pemëve që mblidhte mbreti më parë.
35U falim edhe tatimet e tjera që na takojnë nga e dhjeta e tagrat që na përkasin, nga kriporet e tagrat e kurorës që na përkasin.
36Asnjë nga këto vendime nuk do të zhbëhet sot e mot.
37Tani kujdesuni t'i bëni kopje të kësaj letre e t'i jepet Jonatanit, që ta vendosë në një vend të shquar në malin e shenjtë”».
Jonatani ndihmon Dhimitrin II38Kur mbreti Dhimitër pa se vendi ishte qetësuar falë tij dhe se nuk kishte asnjë kundërshti, e shpërbëri mbarë ushtrinë dhe e nisi secilin në vendin e vet, përveç ushtarëve të huaj që i kishte mbledhur nga ishujt e kombeve. Të gjithë ushtarët që kishin qenë nën paraardhësit e tij e urryen.
39Trifoni, që më parë kishte qenë me Aleksandrin, pa se të gjithë ushtarët po flisnin tinëz kundër Dhimitrit dhe shkoi tek arabi Imalkue, i cili po rriste Antiokun, të birin e Aleksandrit.
40Ai nguli këmbë t'ia dorëzonte Antiokun, që ta vinte mbret në vend të të atit. I tregoi çfarë kishte thënë Dhimitri dhe për armiqësinë e ushtarëve ndaj tij e ndenji atje shumë ditë.
41Jonatani i dërgoi fjalë mbretit Dhimitër të tërhiqte trupat nga fortesa e Jerusalemit e nga fortesat të tjera, se luftonin gjithnjë kundër Izraelit.
42Dhimitri iu përgjigj Jonatanit: «Për ty e kombin tënd nuk do të bëj vetëm këtë, por do të të mbuloj me lavdi ty e kombin tënd, po të më jepet rasti.
43Tani do të bëje mirë të më dërgoje ushtarë, se ushtria më është ngritur kundër».
44Jonatani i dërgoi tre mijë burra të fuqishëm në Antioki. Shkuan përpara mbretit e ai u gëzua kur mbërritën.
45Banorët e qytetit u mblodhën në mes të qytetit, rreth njëqind e njëzet mijë burra dhe deshën të vrisnin mbretin.
46Mbreti u fsheh në pallat, por banorët e qytetit zunë rrugët e qytetit e filluan luftën.
47Mbreti thirri në ndihmë judenjtë e ata shkuan me të shpejtë të gjithë tek ai. Pastaj u shpërndanë nëpër qytet e atë ditë vranë rreth njëqind mijë vetë.
48Qytetit i vunë flakën, morën shumë plaçkë lufte atë ditë dhe shpëtuan mbretin.
49Kur banorët e qytetit panë se judenjtë e kishin nënshtruar qytetin, siç kishin dashur, u ligështuan, i thirrën mbretit e iu lutën:
50«Na e shtrij dorën e mos i lejo judenjtë të luftojnë kundër nesh e kundër qytetit tonë».
51Hodhën armët e bënë paqe. Judenjtë fituan lavdi në sytë e mbretit dhe në sytë e të gjithë mbretërisë. U kthyen në Jerusalem me plaçkë të madhe.
52Mbreti Dhimitër u ul në fronin e mbretërisë së tij e vendi ra në qetësi para tij.
53Por ai mohoi gjithçka kishte thënë, u armiqësua me Jonatanin, nuk ia shpërbleu nderet që i kishte bërë ai dhe e mundoi shumë.
Jonatani kundër Dhimitrit II54Pas këtyre, Trifoni u kthye e bashkë me të edhe djaloshi Antiok, që filloi të mbretërojë dhe mori kurorën.
55Të gjithë ushtarët që kishte liruar Dhimitri u mblodhën me të. Luftuan kundër Dhimitrit dhe ai iku e u mund.
56Trifoni mori elefantët dhe vuri nën sundim Antiokinë.
57Djaloshi Antiok i shkroi Jonatanit këto fjalë: «Të njoh si kryeprift, të vë në krye të katër rretheve dhe të rreshtoj me miqtë e mbretit».
58I dërgoi enë të arta dhe enë tryeze, i dha pushtetin të pinte në gotën e artë, të vishej me purpur dhe të mbante togëz të artë.
59Simonin, të vëllanë, e bëri kryeushtarak nga Shkalla e Tirit deri në viset e Egjiptit.
60Jonatani doli, kaloi lumin dhe nëpër qytete. Gjithë ushtria e Sirisë u mblodh rreth tij për ta përkrahur. Kur mbërriti në Ashkelon, banorët e qytetit e pritën me lavdi.
61Prej andej shkoi në Gazë, por banorët e Gazës i mbyllën dyert. Ai i vuri rrethimin, i dogji rrethinat dhe i plaçkiti.
62Atëherë banorët e Gazës iu lutën Jonatanit dhe ai u shtriu dorën e djathtë, mori peng bijtë e sundimtarëve të vendit dhe i dërgoi në Jerusalem. Pastaj e përshkoi krahinën deri në Damask.
63Aty dëgjoi se prijësit e Dhimitrit gjendeshin në Kadesh të Galilesë me ushtri të madhe me synimin për ta hequr nga detyra.
64Ai shkoi për t'u ndeshur me ta dhe la në vend vëllanë e vet Simonin.
65Simoni fushoi para Betcurit, e sulmoi për shumë ditë dhe e mbajti nën rrethim.
66Banorët iu lutën t'u shtrinte dorën dhe ai ua shtriu. I nxori prej andej, mori qytetin dhe i vuri roje.
67Jonatani dhe ushtria e tij fushuan pranë ujërave të Gjenesaretit dhe mbërritën në fushat e Azorit në mëngjes herët.
68Ushtria e të huajve u doli para në fushë dhe në male kishin vënë pusi kundër tij, por ata vetë dolën përballë.
69Ata që kishin zënë pusi dolën nga vendet e veta dhe hapën luftë.
70Të gjithë ushtarët e Jonatanit morën arratinë dhe nuk mbeti askush përveç Matatisë, të birit të Absalomit, dhe Juda, biri i Halfit, krerë të ushtrisë.
71Jonatani shqeu petkat, hodhi pluhur mbi kokë dhe u lut.
72Pastaj u kthye dhe luftoi kundër armikut, i mundi dhe ata morën arratinë.
73Kur ushtarët e tij, që po iknin, e panë këtë, u kthyen tek ai dhe i ndoqën bashkë me të deri në Kadesh, tek fushimi i tyre, dhe aty fushuan.
74Nga të huajt atë ditë u vranë tre mijë ushtarë. Pastaj Jonatani u kthye në Jerusalem.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.