Isaia 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Trazirë në Jerusalem

1Ja! Zoti, Zoti i ushtrive

po heq prej Jerusalemit e prej Judës

çdo përkrahje e çdo mbështetje,

çdo ndihmë me bukë

e çdo ndihmë me ujë,

2trimin e luftëtarin,

gjyqtarin e profetin,

shortarin e plakun,

3kreun e njësisë pesëdhjetëshe,

bashkë me fisnikun,

këshilltarin dhe magjistarin e aftë,

yshtësin plot mjeshtëri.

4Do t'u vë djelmosha si prijës,

foshnjat do të sundojnë mbi ta.

5Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë,

i afërti do të shtypë të afërtin,

i riu do të sillet keq me plakun

dhe i pandershmi me të ndershmin.

6Do të rrëmbejë vëllai vëllanë,

brenda në shtëpinë e të atit.

«Ja, ku e ke gunën», do t'i thotë. «Prina,

kjo rrënojë është tani në dorën tënde».

7Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë:

«S'kam për t'u bërë mjeku i plagëve,

në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë,

mos më caktoni prijës të popullit».

8Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie,

gjuha e veprat e tyre janë kundër Zotit,

i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit.

9Vetë pamja e fytyrës

dëshmon kundër tyre,

mëkatin e vet si Sodoma e shpallin

e nuk e fshehin.

Mjerë shpirti i tyre,

se vetes i kanë bërë keq!

10I thoni të drejtit se është i lum,

se do të hajë frytin e veprave të veta.

11Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin,

do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta.

12Shtypësit e popullit tim janë fëmijë,

gratë sundojnë mbi të.

O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë

e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë.

13Në këmbë u ngrit Zoti për të bërë padi,

në këmbë po rri për të gjykuar popujt.

14Po vjen Zoti për të bërë gjyq

me pleqtë e popullit e prijësit e tij:

Jeni ju që e shkatërruat vreshtin,

në shtëpitë tuaja i keni plaçkat

që u rrëmbyet të varfërve.

15Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim

dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve?

Kumton Zoti, Zoti i ushtrive!

16E Zoti tha: krenohen bijat e Sionit,

ecin me qafën zgjatur e me vështrime joshëse,

ecin me hapa të vegjël lozonjarë,

unazat nëpër këmbë u tringëllojnë.

17Por Zoti do t'ua bëjë kokën qerose,

Zoti do t'ua lërë ballin zbuluar.

18Atë ditë Zoti do t'ua heqë stolitë e kyçeve të këmbës, fjongot e kokës e varëset gjysmëhënëshe,

19vathët, byzylykët e vellot,

20kësulat, gjerdanët e këmbës, brezat, enët e aromave e hajmalitë,

21unazat e stolitë e hundës,

22rrobat festive, mbulojat, shajet e çantëzat,

23pasqyrat, këmishëzat, shamitë e kokës e xhubletat.

24Atëherë, në vend të erës së mirë do të ketë kalbësi, në vend të brezit, litar, në vend të kaçurrelave, shogë, në vend të rrobës festive, grathore, në vend të hijeshisë, shëmti.

Të vejat e Jerusalemit

25Burrat e tu do të bien nga shpata,

trimat e tu në betejë.

26Gjëmë e vaj do të ketë në portat e tua,

i shkretuar do të ulesh përdhe.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help