Ezekieli 19 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vajtim për prijësit e Judës

1Tani ti lësho vajtimin për prijësit e Izraelit

2e thuaj:

«Çfarë ishte nëna jote?

Luaneshë mes luanësh ulur.

Mes këlyshëve të luanëve

këlyshët e vet i mëkonte.

3Njërin prej këlyshëve e rriti

e ai u bë luan.

Mësoi të zinte prenë

e njerëz përpiu.

4Por kombet dëgjuan për të

e në gropën e tyre u zu,

pastaj me vargonj e çuan

në dheun e Egjiptit.

5Kur ajo pa se po priste

e po shpresonte më kot,

mori një tjetër këlysh

dhe e bëri luan.

6Ai endej ndër luanë,

kur u bë luan,

mësoi të zinte pre

e njerëz përpiu.

7Shkoi me të vejat,

qytetet rrënoi,

vendi e gjithë ç'kish në të

prej ulërimës së tij tronditej.

8Pastaj e sulmuan kombet

nga krahinat përreth,

rrjetën mbi të e hodhën

e ra në gropën e tyre.

9Me pranga e shtinë në kafaz,

mbretit të Babilonisë ia çuan,

brenda në burg e ndrynë,

që në malet e Izraelit

zëri më të mos i ndihej.

10Nëna jote porsi hardhi

mbjellë buzë ujit,

plot fryte e kurorëplotë

falë ujit të shumtë.

11Degët të forta i kishte

për skeptra mbretërish,

spikaste shtati i saj

në mes të degëzimeve,

binte në sy, se ishte e lartë,

se degët të begata i kishte.

12Por me zemërim u shkul,

përdhe u përplas,

ia thau frytet era e lindjes,

u këputën e u thanë

dhe trungun e fortë

zjarri e përpiu.

13E tani është mbjellë në shkretëtirë,

në një tokë të thatë e të etur.

14Një zjarr doli nga një degë e saj,

filizat e frytin ia dogji,

s'ka mbetur në të një filiz i fortë

për skeptër sundimtari».

Ky është vajtim e duhet të shërbejë si vajtim.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help