1Kush hakmerret, gjen hakmarrjen e Zotit,
se ai ia mban parasysh mëkatet.
2Falja shkeljen të afërtit
e, kur të lutesh, do të të falen mëkatet.
3Njeriu i zemëruar me njeriun,
a mund të kërkojë shërim nga Zoti?
4Kush nuk ka mëshirë për të ngjashmin,
a mund të lutet për mëkatet e veta?
5Kur njeriu i dobët mban mëri,
kush ndërhyn për mëkatet e tij?
6Kujto fundin e jetës e jepi fund armiqësisë,
kujto kalbjen e vdekjen e mbaj urdhërimet.
7Kujto urdhërimet e mos i mbaj mëri të afërtit,
kujto besëlidhjen e të Tejlartit e shpërfilli mëkatet.
8Rri larg zënkave e të zvogëlohen mëkatet,
se njeriu idhnak ndez zënkën,
9mëkatari trazon miqtë
e mes paqësorëve mbjell përçarje.
10Zjarri djeg sa ta ushqesh,
nga kokëfortësia ndizet zënka.
Sa forca e njeriut është zemërimit i tij,
sa e ka pasurinë aq i rritet zemërimi.
11Zënka e beftë ndizet flakë,
rragatja e beftë derdh gjak.
Grindjet12Po t'i frysh prushit, merr flakë,
po ta pështysh, shuhet,
e, pra, të dyja nga goja të dalin.
13Mallkuar shpifësi e shtinjaku,
se shumëve ua prishin paqen.
14Gjuha e gjatë ka shkundur shumë vetë,
i ka shpërndarë nga kombi në komb,
ka rrënuar qytete të rrethuara,
ka shembur shtëpitë e të mëdhenjve.
15Gjuha e gjatë ka dëbuar gra burrnesha
e ua ka rrëmbyer mundin.
16Kush e dëgjon, nuk gjen prehje
e nuk jeton në qetësi.
17Një goditje me fshikull lë varrë,
por goditja me gjuhë thyen kockat.
18Shumë kanë rënë nga tehu i shpatës,
por jo aq sa kanë ranë nga gjuha.
19Lum ai që është i mbrojtur prej saj,
që zemërimi i saj s'e ka zënë,
që s'ia ka mbartur zgjedhën
e në vargonjtë e saj s'ka rënë.
20Zgjedha e saj është zgjedhë hekuri
e vargonjtë e saj vargonj bronzi,
21vdekje e ligë vdekja e saj,
edhe skëterra është më e mirë.
22Ajo nuk i sundon besimtarët,
nuk digjen në flakën e saj.
23Ata që lënë Zotin, bien në të,
tek ata ndizet e nuk shuhet,
mbi ta lëshohet si luani,
i shqyen si leopardi.
24Siç e rrethon pronën me ferra,
siç ngjesh argjendin e arin,
25vëri edhe fjalët nën zgjedhë e mbi peshore,
gojës vëri derë e shul.
26Ruaj se të rrëshqet gjuha,
që të mos biesh në pritë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
